Ndërlidhjet

Qendër votimi në Prishtinë.
Qendër votimi në Prishtinë.

Drejtpërdrejt KQZ: Procesi i votimit pa probleme, 7.84% e qytetarëve votuan deri në 11:00

E përditësuar

• Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.

•Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

•Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.


08:26

Qytetarët në Mitrovicën e Veriut votojnë në grup

Nga qendra e Mitrovicës së Veriut, qytetarët - së bashku me zyrtarë të Listës Serbe - kanë shkuar kolektivisht për të votuar.

Edhe më herët ka qenë praktikë që punonjësit në institucionet e Serbisë në Kosovë, të votojnë në mënyrë kolektive.

Mitrovicë e Veriut
Mitrovicë e Veriut

Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka udhëhequr Mitrovicën e Veriut dhe tri komunat e tjera me shumicë serbe në veri - Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - deri në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit e saj janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas këtij vendimi, komuniteti serb ka bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit 2023 dhe votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në vitin 2024, në përputhje me thirrjet e Listës Serbe.

Largimi i përfaqësuesve serbë nga institucionet ka ndodhur pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.

08:13

KQZ: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë në disa vendvotime të caktuara.

“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit”, deklaroi ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.

Në konferencën e parë për media për ditën e sotme, Elezi theksoi se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike me platformën e rezultateve preliminare.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kjo platformë ka pasur pengesa të vazhdueshme.

Material zgjedhor
Material zgjedhor
07:58

Votimi në veri

Në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe, qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Gazetarja e REL-it, Sandra Cvetkoviq, dhe fotoreporteri Bujar Tërstena kanë vizituar Shkollën Teknike në këtë qytet dhe atë Sveti Sava, ku kanë vërejtur se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt.

Më poshtë janë disa pamje nga votimet në Shkollën Teknike:


07:46

Radoniqi: KQZ-ja ka marrë masa që të mos përsëriten problemet e 9 shkurtit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, e ushtroi të drejtën e votës në një qendër votimi në Pejë.

Pas votimit, ai tha se KQZ-ja ka marrë të gjitha masat që të mos përsëriten problemet e ngjashme me ato të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, kur platforma e publikimit të rezultateve ka pasur pengesa të vazhdueshme.

“Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën, ku presim të dalim me rezultatet preliminare. Gjithashtu, edhe qendrat komunale të numërimit janë të pajisura me të gjitha pajisjet për numërim”, tha Radoniqi.

Një qytetare duke votuar.
Një qytetare duke votuar.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG