Ndërlidhjet

Qendër votimi në Prishtinë.
Qendër votimi në Prishtinë.

Drejtpërdrejt KQZ: Procesi i votimit pa probleme

E përditësuar

• Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.84 për qind.

•Të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

•Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme.


07:24

Kush garon?

Për zgjedhjet lokale janë certifikuar 5.626 kandidatë, përfshirë 206 kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvendet komunale.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në garë janë 93 subjekte politike, ndër to 32 parti, 32 iniciativa qytetare, 2 koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Votuesit duhet të plotësojnë dy fletëvotime në kabinën e votimit: një për kryetarin e komunës dhe një tjetër për kandidatin për kuvendin komunal, duke shënuar numrin e kandidatit dhe subjektin politik me të cilin ai garon.

Nga një qendër votimi në Prishtinë.
Nga një qendër votimi në Prishtinë.
07:21

Në Mitrovicë të Veriut u hapën vendvotimet

Vendvotimet në Shkollën Teknike në Mitrovicën e Veriut u hapën në orën 7:00 dhe votuesit e parë tashmë kanë hedhur votën e tyre.

Një banore e Mitrovicës së Veriut, e cila ka votuar, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se dëshiron ndryshime, para së gjithash zëvendësimin e kryetarëve shqiptarë.

Kjo komunë, ashtu si edhe tri të tjerat të banuara me shumicë shqiptare në veri - Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi - u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga viti 2023.

Votimi në Mitrovicë të Veriut.
Votimi në Mitrovicë të Veriut.


07:15

Vendvotimet hapur nga ora 7:00 deri në 19:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Për qytetarët që votojnë nga jashtë vendit, është mundësuar votimi me postë - proces që ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.

Qendër votimi në Prishtinë.
Qendër votimi në Prishtinë.
07:00

Votime në të 38 komunat

Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit.

Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.

Kjo pasoi dorëheqjet e përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor të vitit 2022, në shenjë proteste ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i hequr nga qarkullimi targat serbe të automjeteve.

Në prill të vitit 2023, serbët e veriut - duke ndjekur udhëzimet e Listës Serbe - i bojkotuan zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale.

Bojkotim kishte edhe një vit më vonë, në prill të vitit 2024, gjatë votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Mitrovicë e Veriut
Mitrovicë e Veriut

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug, si dhe në Obiliq.

Kandidatë në komunat me shumicë serbe kanë edhe disa parti tjera serbe: Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG