Ndërlidhjet

Trump ‘i hapur’ për takim me Putinin, thotë Shtëpia e Bardhë


Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe i dërguari amerikan, Steve Witkoff. Moskë, 6 gusht 2025.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe i dërguari amerikan, Steve Witkoff. Moskë, 6 gusht 2025.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është i hapur për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi Shtëpia e Bardhë më 6 gusht, pas takimit që i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, zhvilloi me Putinin në Moskë – bisedime që Trump i cilësoi si “përparim i madh” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Mediat amerikane, duke cituar burime nga administrata, raportojnë se një takim mes Trumpit dhe Putinit mund të zhvillohet që javën e ardhshme.

“Takimi personal mes Trumpit dhe Putinit duket se është në përgatitje”, tha për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatik nga radhët e Bashkimit Evropian.

Takimi i mundshëm është diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike mes Donald Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas takimit që i dërguari amerikan, Steve Witkoff, zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin, sipas raportimeve të mediave.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe udhëheqësit e Britanisë, Gjermanisë dhe Finlandës, morën pjesë në këtë bisedë telefonike, tha një burim në Kiev, sipas agjencisë AFP.

"Të gjithë pajtohemi se kjo luftë duhet të marrë fund, dhe ne do të punojmë për ta arritur këtë në ditët dhe javët në vijim", tha Trump në një postim në rrjetin e tij Truth Social.

“Rusët shprehën dëshirën për të takuar presidentin Trump, dhe presidenti është i hapur për takim si me presidentin Putin, ashtu edhe me presidentin Zelensky”, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Shtëpia e Bardhë ka dhënë një ultimatum për Kremlinin që të ndalë luftimet në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione shtesë të drejtpërdrejta, si dhe me masa dytësore ndaj vendeve që konsiderohen se po ndihmojnë në financimin e makinerisë luftarake ruse.

Më 6 gusht, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që vendos tarifë prej 25 për qind për mallrat që hyjnë në SHBA nga India, për shkak të blerjeve të saj të naftës ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të balancojë dëshirën e dukshme për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara me Shtetet e Bashkuara me përpjekjet e vazhdueshme për ta nënshtruar Ukrainën — vend ndaj të cilit ai nisi luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945, me pushtimin e plotë në shkurt të vitit 2022.

Më herët, një këshilltar i Kremlinit tha se Putinin dhe Witkoff kanë këmbyer "sinjale" lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës gjatë takimit që u zhvillua vetëm dy ditë para afatit të vendosur nga Shtëpia e Bardhë që Moska të ndalë luftën kundër Ukrainës.

Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i Putinit, Yury Ushakov, tha se takimi që zgjati rreth tri orë në Kremlin, ishte "mjaft i dobishëm dhe konstruktiv”.

"Ne dhamë disa sinjale lidhur me çështjen ukrainase, ndër të tjera", dhe "sinjale u morën edhe nga presidenti Trump", tha Ushakov.

Përveç luftës, ata diskutuan edhe "perspektivat për zhvillimin e mundshëm të bashkëpunimit strategjik mes SHBA-së dhe Rusisë".

Witkoff u prit në Moskë nga Kirill Dmitriyev, i dërguari për investime i Rusisë dhe drejtuesi i Fondit Sovran.

Trump, i cili kohëve të fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit, paralajmëroi javën e kaluar se “do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e tyre”.

Presidenti Trump bëri të ditur më 14 korrik se i ka dhënë Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të kundërtën do të vendosen tarifa të ashpra ndaj eksporteve ruse. Më pas, ai e zhvendosi afatin për më herët – më 8 gusht.

Afati i ri erdhi në një periudhë me sulme të ashpra në Ukrainë. Më 31 korrik, mbi 300 dronë rusë goditën Kievin, duke vrarë të paktën 31 persona. Po ashtu, forcat ukrainase kanë shtuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.

Disa analistë paralajmërojnë se kërcënimet ndaj Kinës për importet e saj të naftës nga Rusia mund të kenë efekt të kundërt dhe të çojnë në rritje të çmimeve globale të energjisë.

Megjithatë, sipas analistit politik Alexander Morozov nga Universiteti Charles në Pragë, Shtetet e Bashkuara duan që çdo vendim të merret përpara vizitës së planifikuar të Putinit në Pekin, ku ai pritet të takohet me udhëheqësin kinez, Xi Jinping.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të hyjnë në samitin e APEC-ut më 31 tetor me një marrëveshje tregtare me Kinën dhe, në mënyrë ideale, me një pozicion të përbashkët edhe për luftën në Ukrainë”, tha Morozov.

Në të njëjtën kohë, Trump ka deklaruar se ka lëvizur në rajone të caktuara nëndetëse me kapacitet bërthamor. Ai tha më 1 gusht se ky vendim u mor pas “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG