Ndërlidhjet

Tri dekada pas luftërave: Si trajtohen veteranët në Kosovë e si në rajon?


Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përfaqësuesit e 47 mijë veteranëve të regjistruar të luftës në Kosovë ankohen për trajtim të padinjitetshëm nga institucionet shtetërore. Nga shuma e pensionit mujor e deri te kujdesi shëndetësor e psikologjik, ata ndihen të lënë pas dore nga shteti për të cilin luftuan për ta çliruar. Përtej kufirit, veteranët në rajon kanë dukshëm më shumë beneficione.

Në moshën 23-vjeçare, Xhevdet Thaqi kishte lënë rehatinë e jetës që kishte ndërtuar në Zvicër më 1998 dhe ishte kthyer në vendlindjen e tij në rajonin e Hasit, në verilindje të Kosovës.

Për 14 muaj rresht, deri në fund të luftës, ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke u angazhuar përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Tani, 26 vjet më vonë, ai i përfaqëson veteranët e luftës së UÇK-së nga rajoni i Hasit. Këta veteranë kanë disa pakënaqësi kryesore, duke nisur nga pensioni mujor që u takon veteranëve luftëtarë.

Problemi nuk qëndron vetëm te shuma e pensionit, por edhe te pamundësia e marrjes së tij nëse je i punësuar. Kjo pasi që Thaqi thotë se pensioni i veteranit nuk duhet të shihet si ndihmë sociale.

“Luftëtarët e marrin atë pagë sepse shërbyen për ta liruar atdheun dikur dhe ajo pagë duhet të shihet si shpërblim për kontributin e dhënë për lirinë e vendit të tyre”, thotë Thaqi për Radion Evropa e Lirë.

Për më tepër, Thaqi thotë se ky pension është i pamjaftueshëm për veteranët e papunësuar.

Nga viti 2015, kur veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë filluan të marrin pension mujor, shuma e pensionit ishte përcaktuar me ligj se “nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”.

Me kalimin e viteve, ligji për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi. Por, jo ashtu siç kërkonin veteranët dhe përfaqësuesit e tyre.

Vitin e kaluar, kur paga minimale u rrit në 350 euro, pensioni i veteranëve u vendos të mos bëhej sa paga minimale, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së”.

Më vonë, në janar të këtij viti, Qeveria rriti pensionet për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë për 20 për qind. Nga 170 euro sa merrnin më parë, tani veteranët e luftës - ata që nuk janë të punësuar - marrin pension mujor prej 204 eurosh.

Rreth 37 mijë veteranë në Kosovë, nga gjithsej 47 mijë të regjistruar, e marrin këtë pension mujor tani - që edhe pse është rritur për 34 euro, është ende dukshëm më i ulët sesa paga minimale.

Ndër kundërshtarët e vendimit për të mos harmonizuar pensionin e veteranëve me pagën minimale është edhe Enver Hajdari, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenas.

“Nuk e meritojmë. Edhe ne kemi të drejtë të hamë, të ekzistojmë, të rrisim familje, t’i shkollojmë fëmijët tanë. Veteranët janë trajtuar në mënyrën më të keqe të mundshme”, thotë Hajdari për Radion Evropa e Lirë.

Kërkesat e tyre? Rishikimi i Ligjit për veteranët, rritje e mbështetjes ekonomike, qasje në trajtime psikologjike.

“Kurrë nuk kemi kërkuar lëmoshë, por edhe ne i përkasim këtij shteti, kemi bërë për këtë shtet, kemi dhënë gjak e mund dhe kërkojmë nga ky shtet që të na mbështetë”, thotë Hajdari.

Ligji për veteranët, ligj “sa për sy e faqe”

Hajdari e përshkruan ligjin në fuqi për veteranët si jo të mirëfilltë dhe “sa për sy e faqe”.

Sipas ligjit, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Pas vdekjes së tyre, pensionin mund ta marrë një familjar - në vlerë prej 70 për qind të pensionit dhe pa përfituar pensione të tjera nga sigurimet shoqërore.

Disa nga përfitimet e tjera që parasheh ligji, për të cilin edhe Thaqi edhe Hajdari kërkojnë përditësim, janë:

  • Veteranët dhe anëtarët e familjes së ngushtë gëzojnë të drejtën e shërbimit shëndetësor falas në spitalet e financuara nga shteti – ku qytetarët e zakonshëm paguajnë vetëm ca euro për procedurat administrative – dhe përfitojnë falas barna për sëmundje kronike.
  • Përparësi për punësim në sektorin publik për veteranët luftëtarë dhe pjesëtarët e UÇK-së;
  • Udhëtim falas me mjetet e komunikacionit urban dhe udhëtim ndërurban me gjysmë çmimi;
  • Vendosje pa kompensim në shtëpitë e personave të moshuar për veteranët;
  • Heqje e shpenzimeve për varrim të veteranëve.

Megjithatë, zbatimi i këtij ligji është gjysmak, sipas Hajdarit.

Për shembull, themelimi i Qendrës së Stresit Posttraumatik, që ishte paraparë në ligj me qëllim të “rehabilitimit emocional, shpirtëror dhe të traumave si pasojë e luftës” për veteranët ka mbetur vetëm në letër.

Rreth një vit më parë, Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se si, rreth 100 veteranë besohet se kanë vdekur nga vetëvrasjet që nga paslufta.

Thaqi tregon se në mesin e këtyre janë edhe dy veteranë nga rajoni i Hasit.

“Kemi qenë në zona të luftës dhe kemi përjetuar gjëra shumë të ndjeshme, sidomos me bashkëluftëtarët që na kanë vdekur në duar. Traumat kanë ardhur edhe në pamundësi t’i dalim në ndihmë popullit tonë, kur na janë vrarë civilë”, thotë Thaqi.

Më shumë beneficione parashihen me ligj për invalidët dhe familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si:

  • Lirim nga tatimi dhe dogana për vetura dhe pajisje ortopedike për invalidët;
  • Tarifë më e lirë për energji elektrike për familjet e ngushta të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së, kur ata plotësojnë kriteret për kushte të këqija ekonomike;
  • Lirimi nga tatimi në pronë për familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve që janë në gjendje të rëndë ekonomike;
  • Përkujdesja për banim përmes objekteve kolektive të banimit social për familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve që janë në gjendje të keqe financiare; dhe
  • Përparësi në regjistrim në institucione arsimore publike për familjarëve e dëshmorëve, të të zhdukurve dhe invalidëve.

Nga këto beneficione dhe të tjera janë të përjashtuar veteranët luftëtarë.

Gjykimet me fokus te veteranët e UÇK-së

Por, për Thaqin, është e pamundur të flitet për problemet e veteranëve pa përmendur listat e fryra të tyre.

Thaqi thotë se edhe vetë lista e veteranëve për rajonin që përfaqëson ai ishte ndryshuar dhe se tani, në bashkëpunim me Prokurorinë, nga kjo listë janë larguar mbi 1.600 persona që kishin përfituar statusin e veteranit, pa qenë të tillë.

“Luftëtarët e vërtetë ndihen tepër të zhgënjyer që u barazuan me secilin që nuk ishte luftëtar i vërtetë apo nuk ia donin të mirën UÇK-së, por që posedojnë të njëjtin status”, thotë Thaqi.

Shumica e veteranëve të regjistruar në Kosovë janë burra shqiptarë, nga rajoni i Dukagjinit.

Mirëpo, që nga fillimi, ajo se kush është regjistruar si veteran ka nxitur shumë debat. Nga përfitues të jashtëligjshëm të pensionit për veteranë besohet që Kosova është dëmtuar në vlerë prej afro 90 milionë eurosh, pasi Prokuroria pretendon se janë rreth 19.500 veteranë të rrejshëm.

Tashmë, lidhur me këtë, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët” pasi besohet se ata, përmes komisionit qeveritar përkatës, ua kishin mundësuar shumë personave të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme pensionin e veteranit.

E, një shqetësim tjetër që ka qenë në fokus të organizatave të veteranëve të luftës është një proces gjyqësor, që po zhvillohet qindra kilometra larg Kosovës.

Bëhet fjalë për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin – që po përballen me një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta dhe gjykimi i tyre është cilësuar nga Organizatatat e Veteranëve të Luftës si i padrejtë dhe i njëanshëm.

Shpenzimet për ekipet mbrojtëse të të pandehurve i kryen kryesisht shteti i Kosovës. Por, kjo ka nxitur akuza e kundërakuza mes OVL-së së UÇK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

OVL-ja e UÇK-së ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës pasi u raportua se për shkak të çështjes së pagesave mund të largohen avokatë që po mbrojnë të akuzuarit në Hagë. Por, Ministria e Drejtësisë insistoi se, që nga nisja e procesit gjyqësor, janë realizuar pagesa të rregullta, në përputhje me marrëveshjet dhe obligimet e përcaktuara paraprakisht.

Për këtë arsye, OVL-ja ka paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë këtë javë.

Veteranët në Kroaci dhe përfitimet e tyre

Qasje në ndihmë juridike kanë edhe veteranët në Kroaci, por përfitimet e tyre, të përcakuara me ligjin për luftëtarët kroatë të vitit 2017, shkojnë përtej kërkesave aktuale të veteranëve në Kosovë.

Sipas të dhënave nga viti 2021 në evidencën e Ministrisë së Luftëtarëve Kroatë ishin gjithsej 513.140 luftëtarë. Më vonë, numri i luftëtarëve u rrit për 7.205 persona pasi u tha se, disa, për “arsye normative apo personale” nuk e kishin rregulluar më parë statusin e tyre.

Luftëtar konsiderohet kushdo që ka marrë pjesë në mënyrë të organizuar në mbrojtjen e Kroacisë nga gushti i vitit 1990 deri në fund të qershorit 1996, përfshirë ata që u burgosën, vdiqën ose u zhdukën në atë periudhë, ata që kanë statusin e invalidit ushtarak të luftës, si dhe vullnetarët.

Sipas të dhënave të Institutit Kroat për Sigurim Pensional, pensioni mesatar në janar të vitit 2025 ishte 1.213 euro dhe atë e përfitojnë rreth 72 mijë persona.

Prej tyre, rreth 52 mijë janë përfitues të pensionit invalidor, ndërsa rreth 15 mijë persona marrin pension familjar, përkatësisht pas vdekjes së luftëtarit.

Çdo vit, Qeveria e Kroacisë është e detyruar ligjërisht ta përshtatë pensionin e invalidit me gjendjen ekonomike të vendit. Kështu, në fillim të qershorit të këtij viti ajo u rrit nga 520 në 540 euro.

Shumës bazë të pensionit i bashkangjiten edhe disa shtesa të veçanta, shtesa për kujdesin dhe ndihmën e një personi tjetër, shtesa ortopedike si dhe kompensim për kujdestarë dhe pensione familjare, si dhe për të papunët që janë luftëtarë kroatë.

E, çfarë të drejta të tjera kanë luftëtarët?

  • Të drejtë në sigurim shëndetësor të detyrueshëm, pension pleqërie dhe të parakohshëm, si dhe të drejtë në pension familjar dhe invalidor;
  • Shërbime të personave për kujdes, të drejta për automjet të përshtatur, ndihmë financiare një herë në vit, shtesë për fëmijët, përparësi në punësim, libra falas për fëmijët, mbështetje gjatë shkollimit si dhe përparësi në akomodim në konvikte studentore;
  • Përparësi në zgjidhjen e çështjes së strehimit, dhe mundësi për blerje banese me kushte më të favorshme në lidhje me interesat dhe afatet e shlyerjes;
  • Të drejtë në ndihmë juridike, ndihmë psikosociale, si dhe sigurimin e vendit të varrit, ndër të tjera;
  • Ndihmë financiare një herë në vit në raste sëmundjesh të rënda të vetë luftëtarit ose anëtarëve të ngushtë të familjes, fatkeqësive natyrore, vdekjes së një anëtari;
  • Mosha minimale prej 65 vjetësh për pension mund të ulet në varësi të kohëzgjatjes së pjesëmarrjes së luftëtarit në luftë. Nëse ka marrë pjesë nga 100 ditë deri në pesë muaj, mosha ulet me katër muaj. Nëse ka marrë pjesë më shumë se pesë muaj, mosha ulet me një muaj për çdo muaj të pjesëmarrjes në luftë;
  • Ata që fitojnë pension mbi bazën e përvojës së gjatë të punës, stazhi mund të shtohet për kohën e kaluar në ushtri.

Në pesë qytete të ndryshme gjenden edhe zyret e një qendre për veteranë, ku luftëtarët mund të marrin akomodim deri në 20 ditë, ndihmë psikosociale dhe mbështetje, këshillim, terapi, kurse të ndryshme dhe punëtori.

Shërbimet në këto qendra mund t’i shfrytëzojnë edhe familjarët e luftëtarëve.

Në Bosnje e Hercegovinë, praktika të ndryshme

Edhe 30 vjet pas përfundimit të luftës, të drejtat e atyre që morën pjesë në konfliktet e armatosura në Bosnje e Hercegovinë (BeH) rregullohen përmes dy sistemeve të ndara të entiteteve, pa një kornizë të përbashkët shtetërore.

Gjatë luftës në vitet ’90, në Bosnje dhe Hercegovinë vepruan tre ushtri: Ushtria e Republikës së BeH (Armija RBiH), Këshilli Kroat i Mbrojtjes (HVO), dhe Ushtria e Republikës Serbe (VRS).

Pyetjet e Radios Evropa e Lirë për numrin e përfituesve dhe shumën e kompensimeve në entitetin Federata e Bosnje e Hercegovinës nuk morën përgjigje nga ministria përkatëse.

Në Federatën e BeH, çështja e përfitimeve dhe të drejtave për ushtarët e çmobilizuar të dy ushtrive (Armata e BiH dhe HVO), invalidët e luftës dhe anëtarët e familjeve të tyre rregullohet përmes një ligji të veçantë, ndërsa rregullime shtesë ka edhe në nivel kantoni.

Ligji federal parasheh:

  • kompensime që varen nga mosha dhe kohëzgjatja e pjesëmarrjes në forcat e armatosura;
  • qasje në kujdes shëndetësor;
  • ndihmë për trajtim mjekësor;
  • mundësi për zgjidhje të strehimit;
  • përparësi në punësim.

Fëmijët dhe anëtarët e familjeve të mbrojtësve të luftës përfitojnë në arsimim përmes bursave, shkollimit falas dhe formave të tjera të mbështetjes.

Shuma e kompensimeve përshtatet çdo vit sipas treguesve ekonomikë, me qëllim që të ruhet vlera reale e tyre.

Në entitetin tjetër të Bosnje dhe Hercegovinës, Republikën Sërpska, mbi 178 mijë persona marrin shtesë mujore për veteranët, ndërsa 28 mijë të tjerë përfitojnë pension invalidor personal.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punës dhe Mbrojtjes së Invalidëve të Luftës e këtij entiteti.

Shumat e këtyre përfitimeve ndryshojnë ndjeshëm.

  • Shtesa mujore për veteranët mund të jetë simbolike, nga vetëm disa marka, por, mund të arrijë deri në 189 marka (rreth 97 euro);
  • Pensionet invalidore varen nga shkalla e invaliditetit dhe variojnë nga rreth 40 marka (20 euro) deri në mbi 3 mijë marka (mbi 1.500 euro).

Ligji parasheh edhe kujdes shëndetësor për luftëtarët dhe anëtarët e familjeve të tyre, nëse nuk e realizojnë këtë të drejtë përmes ndonjë ligji tjetër. Në këto raste, ministria mbulon shpenzimet për sigurimin shëndetësor dhe për trajtimin mjekësor.

Si është situata në Serbi?

Sa persona ka Serbia që kanë marrë pjesë në luftë dhe tani marrin pension, nuk dihet, sepse numri i veteranëve ushtarakë në Serbi nuk është bërë publik zyrtarisht.

Të drejtat e tyre janë të përcaktuara në bazë të Ligjit për të drejtat e luftëtarëve, invalidëve ushtarakë, invalidëve civilë të luftës dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Statusi i luftëtarit përcaktohet në bazë të territorit dhe kohës së kaluar në ushtri dhe ligji përcakton se luftëtar është edhe personi që ka marrë pjesë vullnetarisht në luftë apo në aksione të armatosura në kohë paqeje, nëse ka qenë pjesë e njësive të përfshira sipas këtij ligji.

Disa nga pjesëmarrësit e forcave të armatosura serbe janë dënuar ose kërkohen në Kosovë për akuza se kishin kryer krime të luftës.

Invalidët e luftës nuk janë të ndarë nëpër kategori të ndryshme, ndërsa luftëtarët ndahen në tri kategori varësisht se sa kanë qenë të përfshirë në luftë:

  • Luftëtar i kategorisë I: angazhim mbi 200 ditë dhe marrin 100 për qind të pensionit;
  • Kategoria II: angazhim nga 46 deri në 200 ditë dhe marrin 80 për qind të pensionit;
  • Kategoria III: angazhim deri në 45 ditë dhe marrin 60 për qind të pensionit.

Në Serbi, ish-luftëtarët kanë të drejtë për përfitime shtesë financiare, varësisht nga statusi i tyre – nëse janë të punësuar, të papunë apo pensionistë – si dhe niveli i të ardhurave që marrin.

Sipas rregullores në fuqi, një invalid lufte mbi moshën 65-vjeçare mund të përfitojë shtesë mujore, e cila llogaritet në bazë të pagës mesatare neto në vend, dy muaj para se të bëhet pagesa. Për muajin korrik, kjo bazë është rreth 920 euro, që i referohet pagës mesatare në muajin maj.

Shuma përfundimtare e shtesës varet nga lartësia e pensionit. Në rastet kur invalidi i luftës është edhe pensionist, ai përfiton diferencën mes pensionit dhe pagës mesatare, me qëllim që të ardhurat e tij mujore të arrijnë nivelin e pagës mesatare në Serbi.

Sa i përket zgjidhjes së çështjes së banimit, ligji përcakton që njësitë e vetëqeverisjes lokale të ndajnë të paktën 10 për qind të banesave të ndërtuara për strehim social për veteranët, si dhe 10 për qind të vlerës së investimeve për forma të tjera të strehimit – si kredi të favorshme, subvencione për blerjen e pronave, rinovim ose ndërtim shtëpish.

E drejta për të blerë banesë me kushte të favorshme mund të realizohet nga luftëtari, anëtarët e familjes së ushtarit të rënë, invalidi i luftës dhe invalidi ushtarak në kohë paqeje, sipas rregullave për ndërtimin e banesave për pjesëtarët e forcave të sigurisë.

Të drejtat sipas këtij ligji përfshijnë edhe pension invalidor personal, pension familjar invalidor, shtesë për kujdes, shtesë për fëmijë, shtesë ortopedike, kujdes shëndetësor, pajisje mjekësore teknike, ndihmë financiare mujore, shtesë për familje, shtesë për luftëtarë, kompensim financiar për blerjen e automjetit, stazh pensional i veçantë, rimbursim për shpenzime udhëtimi, transport falas apo i subvencionuar, të drejtë për kartelë identiteti, përparësi në punësim, ndihmë në rast vdekjeje dhe të drejtë për uniformë.

Komunat, qytetet dhe provincat autonome mund të përcaktojnë edhe të drejta shtesë për veteranët, si për shembull: zbritje për shërbimet komunale, transport falas në qytetin e tyre, parkim falas, libra shkollorë falas për fëmijët, e tjera.

Invalidët ushtarakë dhe civilë të luftës kanë të drejtë në rehabilitim profesional dhe ndihmë financiare, si dhe përparësi në punësim në organet shtetërore, të vetëqeverisjes lokale dhe të provincës, sipas këtij rendi:

  1. fëmija i ushtarit të rënë,
  2. invalidi i luftës,
  3. luftëtari.

Lidhja e Shoqatave të Luftëtarëve të Serbisë (SUBOS) thotë se synimi i saj kryesor është përmirësimi i statusit të luftëtarëve dhe ndihma humanitare për personat në nevojë dhe anëtarët e familjeve të tyre.

“Sa i përket ndihmës psikologjike dhe kujdesit shëndetësor falas për veteranët ushtarakë, në dhjetor të vitit 2023, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandimin e Qeverisë së Serbisë, mori vendim që të gjithë veteranët që kanë kartelë të veteranit të kenë të drejtë në kujdes shëndetësor falas”, tha Aco Draça, nënkryetar i SUBOS për Radion Evropa e Lirë.

Kjo organizatë përfshin mbi njëzet shoqata të veteranëve ushtarakë në Serbi, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me këtë temë.

Pasojat e luftërave të viteve të 90-ta në Ballkan

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (HLC), mbi 10 mijë të vdekur gjatë luftës janë viktima civile. Prej tyre, mbi 1.000 janë fëmijë.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.

Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, mbi 100.000 persona humbën jetën dhe 2.2 milionë u detyruan t'i braktisin shtëpitë e tyre. Tridhjetë vjet pas përfundimit të luftës, në Bosnjë e Hercegovinë ende po kërkohen mbi 7.600 persona.

Sipas të dhënave të Qendrës Kroate Memoriale-Dokumentuese të Luftës së Atdheut, në luftën në Kroaci kanë humbur jetën 22.211 persona.

Organizata joqeveritare kroate Documenta publikoi para 30-vjetorit se ka identifikuar 2.353 viktima gjatë dhe pas operacionit ushtarako-policor “Stuhia” të vitit 1995, shumica prej të cilëve janë persona të nacionalitetit serb, ose ishin civilë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG