Dy muaj para se Kremlini të sulmonte në shkallë të plotë Ukrainën, fotografi i Radios Evropa e Lirë, Amos Chapple, kishte vizituar llogoret në atë që atëbotë ishte një konflikt statik mes trupave ukrainase dhe separatistëve në mbështetur nga Rusia në rajonin e Luhanskut.
Dy vjet më vonë, ukrainasit që i kanë mbijetuar pushtimit kujtojnë se çfarë ndodhi më 24 shkurt 2022. Fotografitë në këtë artikull janë shkrepur në dhe përreth Popasnës më 6 dhe 7 dhjetor. Ky territor tani është nën kontrollin e forcave ruse.
Tymur Pliushch
Pushtimi për mua nuk ishte befasi e madhe.
Situata veçse ishte e tensionuar shumë [në rajonin e Luhanskut] një javë para pushtimit. Numri i granatimeve ishte rritur në mënyrë dramatike dhe armiku nisi të përdorte armë të rënda. Ende shpresoja për më të mirën, por në të njëjtën kohë e dija se çfarëdo që do të ndodhte unë do të përfshihesha, sepse isha në front – ose në “vijën e demarkacionit” siç quhej para 24 shkurtit.
Veçanërisht më kujtohet nata 24 orë para pushtimit. Forcat armike hodhën breshëri raketash të llojit Grad në rrugën Pervomajsk-Lisiçansk, që na lidhte ne me zonat në pjesën e pasme. Atë natë mezi kam fjetur. Isha anëtar i një ekuipazhi të automjeteve luftarake të këmbësorisë, i ngarkuar me detyrën që të mbuloja pozicionet tona të vijës së frontit. Zgjohesha nga çdo zhurmë dhe me mendje shkova në të gjitha veprimet që duhej të bëja në rast të një “alarmi të kuq”.
Natën tjetër, midis 23-24 shkurtit, realisht ishte shumë qetë. Unë e kuptova se pushtimi në shkallë të plotë kishte nisur vetëm përmes Telegramit, rreth orës 7 apo 8 të mëngjesit.
Ndoshta kjo tingëllon çuditshëm, por reagimi im i parë kur mësova se pushtimi kishte nisur ishte se mora frymë thellë dhe lëshova frymëmarrjen. Siç e shpjegova më herët, kam jetuar për një kohë të gjatë nën presionin e padurueshëm se diçka do të ndodhte, pa e ditur se çfarë. Dhe pastaj, ajo po ndodhte.
E dija se isha aty ku duhej të isha. Vetëm më duhej që të kryeja detyrat e mia.
Në të njëjtën kohë, kishte një ndjenjë hidhërimi për planet e papërfunduara. Nuk kisha diplomuar nga universiteti, apo nuk kisha njohur të gjithë njerëzit që doja t’i njihja.
Dita e 24 shkurtit është paksa e turbullt. Rreth orës 10 të mëngjesit të asaj dite ne morën një urdhër për të ndryshuar vendndodhjen, dhe më pas, gjatë gjithë ditës, praktikisht ishim “në pritje”.
I mbaj mend dy gjëra shumë qartë. Një ishte një objekt që na fluturoi mbi kokë. Ende nuk e kam idenë se çfarë ishte – një avion apo një raketë – nëse ishte e jona apo ishte ruse, por zhurma e objektit më bëri që menjëherë të fshihesha.
Gjëja tjetër që më kujtohet nga ajo ditë ishte i ftohti. Në pozicionin që u dërguam kishte blloqe të zbrazura banesash që ishin braktisur që nga viti 2000. Ishte pamja tipike e një qyteti depresiv minierash në lindje të Ukrainës – dritare të thyera, pirgje me bërllok, dhe i ftohti që të hynte në palcë. Gjatë natës së parë, të atij shkurti të pafundmë, nuk fjeta fare.
Më pas erdhi lufta.
Vladislav Bily
Togeri 22-vjeçar u lind në qytetin perëndimor ukrainas të Stari Samborit dhe vdiq në periferi të Popasnës.
Gjatë një interviste të shkurtër që ai dha teksa po qëndronte në pozicionin e tij në vijën e frontit në dhjetorin e vitit 2021, ai deklaroi për Radion Evropa e Lirë: “Nëse një rus vjen dhe dëshiron të pijë vodka dhe të dëfrehet, është krejt në rregull. Por, nëse ai vjen në shtëpinë time me armë, unë do ta vras”.
Në referencë për Holodomorin (vdekjen nga uria të miliona personave në Ukrainë në vitet ’30 gjatë udhëheqjes së liderit sovjetik Josep Stalin), Bily foli për vendimin e tij për të luftuar mbi 1.000 kilometra larg shtëpisë së tij:
“Nëse ne nuk vijmë këtu tani për të luftuar, ne do të vdesin më vonë në shtëpitë tona. Është një thënie ukrainase: ‘Ai që nuk mbron familjen e tij në kohë paqeje, do të ha fëmijët e tij në kohë të trazuara’”.
Ky toger i ri kishte udhëhequr një post të izoluar ushtarak që gjendej vetëm disa qindra metra nga pozicionet e separatistëve të mbështetur nga Rusia. Ai ishte plagosur në ditët e para të pushtimit, por më pas ishte kthyer në front. Ai raportohet se u vra gjatë luftimeve më 11 mars 2022, në mes të raketave Grad, obusëve dhe zjarrit të tankeve të forcave ruse që po avanconin.
Trupi i tij nuk u gjet asnjëherë.
Më vonë, nëna e tij, i tha gazetarit polak, Pawel Szot, se ajo kishte tentuar që të mos e linte të birin që të shkonte në luftë, por ajo tha se “nuk munda ta ndalja. Vetëm i thash të ketë kujdes dhe se ai ishte gëzimi ynë i vetëm”.
Prindërit e tij ende kanë shpresë se ai do të kthehet.
“Ai na premtoi se do të kthehej, dhe ai gjithmonë ka mbajtur premtimet. Ende e besoj këtë. Që nga lindja ai ishte luftarak”, tha nëna e ushtarit. “Ne do ta presim. Ne shpresojmë që ky ferr të mbarojë kur fëmija ynë të kthehet në shtëpi”.
Iryna Trubnikova
Në orën 4 të mëngjesit të 24 shkurtit dikush trokiti në derë.
Ne po jetonim në Kiev për më pak se një muaj. Burri im po studionte në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës dhe unë i isha bashkuar atij në kryeqytet, pasi isha në pushim të lehonisë nga ushtria.
Ne e hapëm derën dhe aty ishte një ushtarak në uniformë. Ai na tha të ngriheshim sepse Rusia kishte nisur pushtimin në shkallë të plotë. Më pas, ne dëgjuam shpërthimet e para në qarkun Brovari të Kievit. Zgjimi atë ditë u bë përmes një sekuence të ngjarjeve tronditëse.
Nisa të telefonoja të afërmit. Ende nuk kishte lajme në televizor për këtë. Familjarët e mi ishin në gjumë dhe nuk ma hapën telefonin. Shkova në dyqan, por të gjitha raftet ishin të zbrazura.
Deri kur zbardhi dita, ushtria ishte në gatishmëri të plotë luftarake. Shumë autoblinda po lëviznin nëpër rrugë deri te postet që nisën të formoheshin. Mblodha gjërat dhe mora fëmijën tim dhe u nisa me makinë për në Lviv, ndërkaq burri im dhe bashkëluftëtarët e tij mbetën për të mbrojtur Kievin.
Rruga me dy korsi drejt Lvivit ishte shndërruar në një rrugë me pesë korsi. Kishte jashtëzakonisht radhë të gjata të makinave. Disa makina madje vozitën në kahen e gabuar. Mbi autostradën jashtë Kievit fluturonin avionët luftarakë dhe ne nuk e dinim nëse ishin tonët apo jo. Burri im më tregonte për situatën në kryeqytet: Ata ishin mbledhur, ishin armatosur dhe po patrullonin zonën me një autoblindë.
Unë iu bashkova autokolonës së makinave me familjarët e ushtarëve që studionin në Universitetin e Mbrojtjes. Udhëtuam me tri makina të mbushura me gra dhe fëmijë. I treguam njëri-tjetrit lidhur me ndalesat dhe ndryshimin e rrugëve përmes komunikimit me telefon apo në WhatsApp. Për dallim nga 5 orë udhëtim sa bëhen zakonisht, ne udhëtuam për 24 orë me makinë deri në Lviv, të lodhur dhe të trembur.
Në atë kohë, askush nuk e dinte se lufta në shkallë të plotë do të prekte kudo, jo vetëm kryeqytetin.
Fotoreporteri Andriy Dubchak
Isha në një hotel në Severodonjeck, në rajonin e Luhanskut, me emrin inkurajues Mir, që do të thotë “paqe” në gjuhën ruse. Rreth orës 4 të mëngjesit, gruaja ime Liza më telefonoi nga Harkivi. Ajo po bërtiste në telefon: “Luftë! Po shtinë drejt nesh!”. Ky ishte momenti që mësova për pushtimin në shkallë të plotë.
E dija se do të vite. Një javë para 24 shkurtit të vitit 2022, unë isha nën breshërinë e zjarrit dy herë dhe intensiteti i granatimeve shkoi përtej gjithçka që kishte ndodhur më herët. Por, nuk e kisha parashikuar shkallën e pushtimit.
Kur bashkudhëtarët e mi nisën të më trokisnin në derë, duke thënë “Luftë! Luftë! Çfarë do të bëjmë?”, isha i gatshëm të shkoja dhe kisha mjaftueshëm kafeinë në gjak për të luftuar. Mund të shihnit pajisje ukrainase dhe trupa duke lëvizur kudo. Ushtria hapur tha se ne po përgatiteshim për një luftë guerile pas pushtimit të territorit ku po qëndronim.
Po mendonim që të shkonim në Mariupol, por fillimisht udhëtuam me makinë drejt Kramatorskut për të shmangur radhët e gjata në trafik në Severodonjeck.
Të gjithë po përdornin telefonat e tyre vazhdimisht duke dërguar dhe pranuar informacione.
Dhe më pas erdhi lajmi për një kolonë të gjatë prej 80 kilometrash të ushtrisë ruse që po lëvizte drejt Kievit. Unë kurrë s’e kisha imagjinuar që ushtria ruse do të pushtonte rajonin e Kievit nga Bjellorusia.
Lajmi na erdhi si një tronditje. Tri macet e mia, të afërmit dhe miqtë ishin në kryeqytet. Beteja për Kievin ishte kyçe në atë periudhë të luftës. Ne vendosëm të niseshim për në Dnipro, më pas në Kiev.
Rrugës ne ndaluam në një bazë për të parë mjekët vullnetarë nga batalioni mjekësor Hospitallers, të cilët po përgatisnin autoambulancat e tyre për t’u nisur në front. Një prej mjekëve, Yuriy Skrebets, mu përgjigj në pyetjen time se çfarë na priste:
“Ne do të fitojmë. S’ka dyshim”, më tha mua. “Ne do të fitojmë. Veç nuk e dimë se cili do të jetë çmimi”.
Lotët nisën të më rridhnin teksa kuptimi i këtyre fjalëve nisi të bëhej i qartë.
Kievi ishte i zbrazët.
Të gjithë dhe gjithçka rreth meje ishte e papërgatitur për luftë.
Shqetësohesha për familjen time dhe tentova t’i bindja të gjithë të largoheshin nga qyteti. Lexoja lajmet dhe dëgjoja thashetheme dhe vërtetë mendova se qyteti nuk kishte asnjë shans që të mbijetonte.
Doja që t’i tregoja botës gjithçka. Edhe pse ishte e tmerrshme, ky ishte fillimi i asaj që do të ishte një luftë e egër për mbijetesën e shtetit tim.
Dhe e kuptova që shumë njerëz që njihja do të vdisnin.