Ndërlidhjet

Çfarë është plani 10-pikësh i paqes i Zelenskyt?


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kiev, dhjetor 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Kiev, dhjetor 2022.

Reuters

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka promovuar fuqishëm planin e tij të paqes prej 10 pikash.

Këtë plan, Zelensky e ka diskutuar edhe me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe po ashtu u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të mbajnë një samit të paqes globale, bazuar në planin e tij.

Më poshtë mund të mësoni më shumë për këtë plan dhe se si bota reagoi ndaj tij.

Plani 10-pikësh i Zelenskyt

Zelensky fillimisht njoftoi për formulën e tij për paqe në muajin nëntor, gjatë samitit të 20 ekonomive më të mëdha të botës.

Plani bën thirrje për:

1. Siguri nga rrezatimi dhe armët bërthamore, duke u përqendruar në rivendosjen e sigurisë rreth centralit ukrainas të Zaporizhjës, që është centrali më i madh bërthamor në Evropë, e i cili tashmë është i pushtuar nga Rusia.

2. Siguri ushqimore, përfshirë mbrojtjen dhe ofrimin e sigurisë për eksportet e drithërave të Ukrainës për në shtetet më të varfra të botës.

3. Siguri energjetike, me përqendrim në kufizimet e çmimeve të burimeve të energjisë ruse, por po ashtu edhe të ndihmës për Ukrainën që të riparojë infrastrukturën e energjisë, pasi gjysma e infrastrukturës është dëmtuar nga sulmet ruse.

4. Lirim të të gjithë të burgosurve dhe të dëbuarve, përfshirë të burgosurit e luftës dhe fëmijët e dëbuar për në Rusi.

5. Rivendosje të integritetit territorial të Ukrainës dhe riafirmimin e Rusisë për këtë gjë në bazë të Kartës së OKB-së. Integriteti territorial, sipas Zelenskyt “nuk do të negociohet”.

6. Tërheqje të trupave ruse dhe ndërprerje të armiqësive si dhe rivendosjen e kufijve shtetërorë të Ukrainës me Rusinë.

7. Drejtësi, përfshirë themelimin e një tribunali special për të ndjekur krimet ruse të luftës.

8. Parandalim të ekocidit, nevojë për mbrojtjen e natyrës me përqendrim në heqjen e minave dhe riparimin e ndërtesave për trajtimin e ujërave.

9. Parandalim të përshkallëzimit të konfliktit, dhe ndërtim të një arkitekture të sigurisë në hapësirën euroatlantike, përfshirë garanci për Ukrainën.

10. Konfirmim për përfundimin e luftës, përfshirë nënshkrimin e një dokumenti nga ana e palëve të përfshira.

Çfarë është propozimi i Zelenskyt për samitin për paqe globale?

Në dhjetor, Zelensky u bëri thirrje shteteve të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara që të mbështesin idenë e tij për Samitin për Paqe Globale, që sipas tij do të mbahej në dimër dhe do të duhej të përqendrohej në planin e paqes “si tërësi ose në disa pika specifike në veçanti”.

Cilat ka qenë përgjigja e botës për këtë propozim?

Gjatë këtij muaji, Rusia refuzoi propozimin për paqe të Zelenskyt dhe Moska përsëriti të martën se nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit që ka marrë me forcë – rreth një të pestën e Ukrainës – që pretendon se e ka aneksuar.

Zelensky ka prezantuar para liderëve botërorë planin e tij, përfshirë këtu edhe para presidentit amerikan Biden, presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrit të Indisë, Narenda Modi, shteti i të cilit do të marrë kryesimin e Presidencës së G20-s.

Mbështetja e botës perëndimore për ushtrinë e Ukrainës arrin në vlerë prej miliarda dollarësh. Uashingtoni ka udhëhequr ndihmën për ushtrinë ukrainase dhe shtetet e tjera po ashtu kanë ndihmuar Kievin për të riparuar infrastrukturën e energjisë.

Por, liderët kanë qenë më të kujdesshëm në përgjigjen ndaj planit të paqes së Zelenskyt dhe ndaj samitit të paqes që ka propozuar lideri ukrainas.

Gjatë vizitës së Zelenskyt në Uashington më 22 dhjetor, Biden deklaroi se vetëm që ai dhe Zelensky “ndajmë të njëjtin mision” për paqen dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të sigurohen që Ukraina mund të mbrojë veten.

Modi, Qeveria e së cilit ende nuk e ka dënuar në mënyrë eksplicite pushtimin rus të Ukrainës, pas prezantimit të planit nga Zelensky, tha se “përsëris fuqishëm” thirrjen për ndërprerjen e menjëhershme të armiqësive dhe mbështetjen e Indisë për çdo përpjekje të paqes.

Ndërkaq, liderët e G7-s thanë se janë të përkushtuar që të sjellin paqe në Ukrainë “në linjë me të drejtat që janë të përfshira në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se në një afat të shkurtër kohor ka pas shanse që të ketë bisedime të paqes.

“Besoj se konfrontimi ushtarak do të vazhdojë dhe mendoj se ne do të duhet të presim ende për momentin kur negociatat serioze të paqes do të jenë të mundshme”, deklaroi ai gjatë muajit dhjetor.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG