Ndërlidhjet

Taktikat e opozitës serbe për t’u bërë relevante sërish


Një grua duke votuar në zgjedhjet në Serbi. Fotografi nga arkivi.
Një grua duke votuar në zgjedhjet në Serbi. Fotografi nga arkivi.

Teksa shtetasit serbë pritet të votojnë më 3 prill për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe ato komunale, një gjeneral i pensionuar ushtarak dhe kandidat i opozitës për president, Zdravko Ponosh, është paraqitur së fundi në një prej emisioneve më të shikuara televizive në Serbi, "Përshtypja e javës".

Aty, atij i është kërkuar të sqarojë komentet që ka bërë për gjeneralin Ratko Mlladiq, kriminelin e dënuar të luftës dhe liderin ushtarak të serbëve të Bosnjës gjatë luftërave në Jugosllavi.

“Serbia nuk ka kryer gjenocid, serbët nuk janë njerëz që bëjnë gjenocid”, ka thënë Ponosh, në një ton të matur dhe të butë, diçka që është në kundërshtim me diskursin politik në Serbi.

“[Mlladiq] ka qenë oficer i mirë, ai ka zbatuar fushata brilante ushtarake gjatë këtyre luftërave… mirëpo në fund, forcat që kanë qenë nën komandën e tij, kanë kryer mizori që kanë njollosur karrierën e tij ushtarake dhe ai po paguan çmim për këtë gjë”.

Për shumë njerëz në Serbi dhe jashtë shtetit, komentet e Ponoshit do të jenë një përkujtim i shëmtuar për dështimin e vazhdueshëm të Serbisë që të përballet me mizoritë e kryera në emrin e saj në vitet 1990. Mirëpo, për të tjerët, përfshirë votuesit potencialë, Ponosh mund të përfaqësojë një shkëputje të opozitës serbe nga e kaluara.

Duke iu shmangur një zgjedhjeje më tipike, që do t'i pëlqente klasës së mesme urbane dhe Perëndimit, përzgjedhja e tij tregon se opozita serbe po bëhet gjithnjë e më pragmatike teksa përpiqet të ndryshojë një varg humbjesh prej një dekade në vota kombëtare.

"[Zdravko Ponosh] është kandidat i qendrës së djathtë dhe duket se opozita ka dëshiruar të gjejë një individ që mund të jetë kandidat i mirë për atë që konsiderohet rrymë kryesore politike në Serbi, e cila anon më shumë nga e djathta”, ka thënë Bojan Klaçar, menaxher në Qendrën për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, me bazë në Beograd.

Ndonëse kritikat ndaj Mlladiqit do të mund të kënaqnin politikanët dhe vëzhguesit e Ballkanit në Perëndim, për Ponoshin, kjo gjë do të ishte vetëvrasje politike, duke u ndihmuar mediave pro-qeveritare që ta përshkruanin atë si urrejtës të serbëve dhe pro-perëndimor.

Zravko Ponosh, kandidat për president në Serbi.
Zravko Ponosh, kandidat për president në Serbi.

Analistët thonë se Ponoshi - anëtar i Partisë Popullore të Serbisë, e cila i takon qendrës së djathtë – është qartazi i fokusuar që të fitojë mbështetjen e votuesve konservatorë, të cilët vazhdimisht kanë mbështetur presidentin aktual, Aleksandar Vuçiq, dhe Partinë e tij Përparimtare të Serbisë në 10 vjetët e fundit.

“Opozita dëshiron të dërgojë mesazh që Zdravko Ponosh nuk është dikush që ndryshon shumë nga dëshirat e votuesve mesatarë në Serbi”, ka thënë Klaçar.

Ponosh, 61-vjeçar, është rritur në rajonin Krajina të Kroacisë, i cili është njohur si vend i popullsisë etnike serbe para shpërbërjes së Jugosllavisë.

Pas përfundimit të studimeve në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ai është zhvendosur në Beograd, për të punuar për një institut tekniko-ushtarak në vitet 1980.

Duke u rritur vazhdimisht midis qarqeve të ushtrisë, Ponosh ka punuar për shtabin e përgjithshëm të ushtrisë gjatë luftës, para se të kalonte në Ministrinë e Mbrojtjes më 2002.

Aty, ai ka ndihmuar në krijimin e një departamenti bashkëpunimi me NATO-n, veprim që është përdorur kundër tij gjatë fushatës nga figurat pro-Vuçiqit, të cilat e kanë konsideruar Ponoshin “gjeneral të NATO-s”, si përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij, duke e lidhur me fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë më 1999.

Një mosmarrëveshje politike mes ish-presidentit Boris Tadiq, ka rezultuar me pensionimin e tij të detyruar më 2009, gjë që ka shpejtuar rrugën e tij në politikë

Ponosh e ka gjetur shpejt rrugën e tij në Ministrinë e Jashtme, ku e ka lidhur veten me ish-ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiq, dhe është bërë anëtar i partisë së Jeremiqit, kur është themeluar më 2017.

Atëbotë Ponosh është zgjedhur nënpresident i partisë dhe ka mbajtur atë pozitë deri në nëntor të vitit 2021, kur ka dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në fushatën e tij presidenciale.

Jeremiq nuk është dukur i kënaqur nga ky vendim, duke dhënë shenja se mund të mbështesë ndonjë kandidat tjetër.

Mirëpo, në fund, ai ka shkuar në radhët e Ponoshit.

Për shkak të mbështetjes së konsiderueshme ndaj Vuçiqit, duke përfshirë edhe disa media serbe, Ponosh nuk pritet të triumfojë ndaj presidentit aktual.

Megjithatë, marrë parasysh situatën politike në Serbi, në muajt e fundit, partitë opozitare serbe mund të ndihen më të fuqishme se kurrë për të garuar në zgjedhje.

Ndër polemikat më të zëshme në Serbi ka qenë ajo e protestave masive të dhjetorit 2021, në të cilat janë kundërshtuar planet për të lejuar konglomeratin e minierave, Rio Tinto, që të gërmojë për litium në tokën serbe dhe opozita ka thënë se kjo gjë do të ishte e dëmshme për ambientin.

Protestat janë mbështetur nga 17 për qind e mbështetësve të partisë së Vuçiqit dhe e kanë shtyrë partinë e tij të zmbrapset.

Ndonëse Qeveria ka fituar në një referendum në muajin janar për ndryshime kushtetuese, të cilat i japin presidentit më shumë pushtet për të emëruar dhe shkarkuar gjyqtarët, ajo ka siguruar 60 për qind mbështetje në një dalje prej 31 për qind, çka tregon se mbështetja mund të rritet, ndonëse me lëkundje.

Pamje nga protestat për dhënien e kontratës për kompaninë, Rio Tinto.
Pamje nga protestat për dhënien e kontratës për kompaninë, Rio Tinto.

Dekada e fundit ka qenë një dështim i përsëritur për opozitën serbe. Pasi nuk arriti të përmbushte shpresat e larta - dhe ndoshta joreale - të elektoratit serb, pas rrëzimit të Slobodan Millosheviqit në vitin 2000, Partia Demokratike, dominuese prej kohësh, ka humbur pushtetin më 2012.

Në vend që të mësojë nga gabimet, elita liberale politike është përfshirë në mosmarrëveshje të brendshme. Në zgjedhjet e radhës më 2014, partia e Vuçiqit ka fituar shumicën.

Në katër procese zgjedhore prej vitit 2012, opozita ka insistuar në paraqitjen e kandidatëve që veçse kanë diskredituar veten në qeverisjet e mëparshme.

Secila mposhtje i ka dhënë Vuçiqit më shumë kohë për të konsoliduar pushtetin përmes kapjes së mediave dhe taktikave tjera, që në fund i kanë bërë zgjedhjet edhe më të vështira për opozitën.

Më 2020, Vuçiq ka fituar sërish, pasi shumica e partive opozitare kanë bojkotuar votimet, duke thënë se nuk kanë pasur hapësirë për fushatat e tyre zgjedhore.

Në këto zgjedhje, opozita ka treguar më shumë disiplinë.

Dy apo tri koalicione opozitare, ambientalistët e majtë (Ne duhet!) dhe blloku i qendrës, Serbia e Bashkuar, të cilin e përfaqëson Ponosh, janë pajtuar për të mos shfaqur agresion gjatë fushatave, ndonëse nuk kanë arritur të zgjedhin një kandidat të përbashkët apo të krijojnë një platformë të vetme politike.

Ndonëse këto ndasi pritet të zvogëlojnë mbështetjen potenciale ndaj opozitës në zgjedhjet parlamentare, mundësitë për zgjedhjet komunale në Beograd duken më premtuese: në referendumin e muajit janar, qendrat e mëdha urbane kanë votuar kundër Qeverisë dhe ky trend pritet të përsëritet më 3 prill.

Sipas një sondazhi të kryer nga Stata.rs, koalicioni qeveritar ka 29.3 për qind mbështetje në Beograd, apo 1.1 për qind më shumë sesa Serbia e Bashkuar.

Sondazhet, po ashtu, tregojnë se dy grupet kryesore opozitare do të kalojnë pragun prej tre për qind për të hyrë në qeverisjen komunale: ‘Ne duhet!’ besohet se mund të fitojë diku rreth 7.1 për qind të votave dhe koalicioni i qendrës së djathtë, Alternativa Kombëtare Demokratike, 3.6 për qind.

Një parti e ekstremit të djathtë besohet se ka 4.6 për qind mbështetje, dhe siç duket, Vuçiq do të humbë kryeqytetin dhe opozita ka mundësi që të bashkohet për të krijuar shumicën.

Mirëpo, ka çarje edhe në këtë unitet. Koalicioni politik, 'Ne duhet!', pati thënë në fillim se nuk do të prezantonte kandidat presidencial, në mënyrë që të konsolidonte votën kundër Vuçiqit përmes Ponoshit, mirëpo më vonë ka vendosur të nominojë akademiken Biljana Stojkoviq për t’u afruar me votuesit progresivë.

Biljana Stojkoviq, kandidate për presidente nga koalicioni “Ne duhet!”
Biljana Stojkoviq, kandidate për presidente nga koalicioni “Ne duhet!”

Stevan Filipoviq, regjisor i mirënjohur i filmit, aktivist dhe komentator politik, i cili mbështet koalicionin 'Ne duhet!', ka thënë se çfarëdo ndarje në votime, nuk duhet të jetë arsye për fatalizëm.

"Mendoj se opozita është më e bashkuar sesa kurrë me parë dhe fakti se janë, le të themi, dy grupime kryesore (Serbia e Bashkuar dhe Ne duhet!), nuk është gjë aspak e keqe për zgjedhjet”, ka thënë Filipoviq.

“Ju keni njerëz që janë më të afërt me njërën sesa me tjetrën dhe ndoshta nuk do të votonin për mundësinë e krahut të djathtë, por i majti është më i pranueshëm, apo anasjelltas”, ka thënë Filipoviq.

Përveç një opozite jo shumë aktive dhe kushteve të padrejta zgjedhore, të cilat kanë përfshirë parregullsi në votime dhe media shumëpartiake, Vuçiq ka qenë gjithmonë në epërsi, sepse është mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, dështimet e fundit për të qëndruar në linjë me Brukselin kundër pushtimit rus në Ukrainë, kanë nxitur vëzhgim të pashembullt, i cili mund të dëmtojë lidhjet me faktorët evropianë dhe të krijojë mundësi për opozitën.

“Mendoj se është koha që BE-ja, me miratimin e saj të heshtur për gjithçka që bën Vuçiqi në Serbi, të braktisë regjimin jodemokratik dhe ndonjëherë edhe jo-evropian”, ka thënë Borko Stefanoviq, kandidat i Serbisë së Bashkuar dhe ish-pjesë e stafit të Presidencës së Tadiqit.

“Nëse lufta në Ukrainë është kohë për të rivlerësuar Evropën, vetëm shihni llojin e njerëzve që e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin. Shumica prej tyre kanë mbetur në histori apo nën arrest, sikurse miku i mirë i Vuçiqit (Boyko) Borisov në Bullgari”, ka thënë Stefanoviq.

Ish-kryeministri bullgar, Borisov është larguar nga pushteti në prill të vitit 2021, pas një dekade në pushtet.

Ai është ndaluar më 17 mars nën hetime për korrupsion lidhur me keqpërdorimin e fondeve të ndihmës së BE-së.

Nëse opozita mund të bëjë përparim më 3 prill, do të mund ta paraqesë veten edhe si partnere alternative për BE-në, nëse Brukseli nis të bëjë më shumë presion ndaj Vuçiqit.

Kriza e Ukrainës ndoshta ka ndodhur shumë shpejt për të pasur shumë ndikim në këto zgjedhje, por ajo mund t'i bëjë zgjedhjet e ardhshme më të hapura - dhe më domethënëse - se kurrë më parë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG