Ndërlidhjet

Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me serbët e Kosovës më 22 mars.

Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe më 3 prill, deklaroi të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp.

Ai tha se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.

“Ne ramë dakord që të përfshijmë ‘autoritetet qeverisëse’ [në kërkesë]...Ramë dakord që në paragrafin e dytë të shtojmë që të pyetet Kosova për bashkëpunim për t'i mundësuar OSBE-së... Madje, në fund thamë të vendoset ‘zyrtari ndërlidhës i Qeverisë së Serbisë’... Asgjë nga këto nuk iu mjaftuan, sepse kërkuan vetëm një formulim – ‘Qeveria e Serbisë i lutet apo i kërkon Qeverisë së Kosovës’".

"Natyrisht, ne kemi mundur t'i bëjmë të gjitha këto sepse jemi konsultuar me ekspertët tanë dhe e kemi ditur se kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës, sepse Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ne pranuam kompromise të panumërta, gjëra të panumërta të pakuptimta, për të cilat ata këmbëngulën. Por, ata këmbëngulën dhe kërkuan vetëm një gjë - ajo ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq.

Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me kërkesën që Qeveria serbe t’i drejtohet asaj të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, nuk ka synuar që të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.

Kurti tha se ai ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ai tha se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

Detajet e propozimit të Qunt-it, ende nuk janë bërë të ditura.

Vuçiq: Serbët e Kosovës me propozime radikale

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po ashtu tha se të martën (22 mars) për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që "435 policë t’i lënë armët dhe ta braktisin policinë".

Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, u pajtuan me këtë “për herë të parë”.

“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8 e 9 prill.

Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetar i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha gjatë konferencës të përbashkët me Vuçiqin, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është mohim i të drejtave të njeriut.

Ai tha se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ndryshe, Vuçiq tha se është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.

Të martën, po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ministrat e Mbrojtjes dhe të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviq dhe Aleksandar Vulin, ish-kryeparlamentari Ivica Daçiq, si dhe zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG