Ndërlidhjet

Si i shënjestron trenat Rusia në përpjekje për të "paralizuar" logjistikën e Ukrainës


Një zjarrfikës shuan zjarret pasi një tren pasagjerësh u godit nga sulmet ruse me dronë në Shostka më 4 tetor 2025.
Një zjarrfikës shuan zjarret pasi një tren pasagjerësh u godit nga sulmet ruse me dronë në Shostka më 4 tetor 2025.

Shkurtimisht

  • Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës hekurudhore ukrainase, duke synuar paralizimin e logjistikës së vendit.
  • Hekurudhat ukrainase mbeten kritike për transportin ushtarak, ekonomik dhe humanitar, pavarësisht dëmeve dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga sulmet.
  • Ukraina po përshtat rrugët dhe po përdor mjete alternative për të minimizuar vonesat, ndërsa fondet rezervë po ndihmojnë në riparimet e shpejta.

Xhamat nëpër tokë kërcisnin, teksa kameramani i Radios Evropa e Lirë kalonte përmes një vagoni të djegur. Në fund të korridorit, dilte ende tym nga struktura e djegur e trenit.

Sulmi rus ndaj një treni pasagjerësh në Shostka, në verilindje të Ukrainës më 4 tetor, ishte sulmi i fundit në një seri goditjesh ndaj trenave dhe infrastrukturës hekurudhore që kanë shkaktuar viktima, dëme dhe ndërprerje të transportit.

“Dëshira e Rusisë është e qartë: të paralizojë logjistikën ukrainase, sepse një pjesë e madhe e mallrave, përfshirë pajisjeve ushtarake, përdorin transportin hekurudhor”, tha ish-ministri ukrainas i Infrastrukturës, Volodymyr Omelyan, në një intervistë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

“Ne kemi parë sulme ndaj depove hekurudhore dhe mallrat po dëmtohen. Nënstacionet hekurudhore janë cak i sulmeve të vazhdueshme”, shtoi ai.

Rrjeti hekurudhor i Ukrainës, dhe mbajtja e tij në funksion, ka qenë një burim i madh i krenarisë kombëtare, domosdoshmërisë ekonomike dhe transportit jetik në luftën që po zgjat gati katër vjet.

Pavarësisht sulmeve të përditshme ajrore në mbarë vendin me dronë dhe raketa ruse, trenat që transportojnë pajisje ushtarake dhe trupa, misione humanitare për të dërguar ushqim në rajonet e shkatërruara nga lufta, si dhe vagonë të mbushur me grurë dhe eksporte të tjera për të mbushur arkën e Kievit, kanë arritur të funksionojnë pa ndërprerje.

Vlerësohet se rreth 60-65 për qind e prodhimit ekonomik të vendit ende transportohet përmes rrjetit hekurudhor, pavarësisht rreziqeve që ka sjellë lufta. Madje edhe udhëheqësit botërorë kanë udhëtuar me trenat ukrainas për të takuar zyrtarët në një zonë ku udhëtimi ajror është i pamundur.

Rëndësia strategjike nuk i ka shpëtuar udhëheqjes ushtarake të Moskës.

Një fushatë sistematike

Në fillim të luftës, hekurudha e Ukrainës gjerësisht ishte kursyer nga sulmet. Analistët thanë se Rusia me gjasë ka menduar se lufta do të përfundonte shpejt dhe nuk kishte nevojë të shkaktonte dëme në infrastrukturën kyç.

Por, Rusia herë pas here kishte kryer sulme ndaj infrastrukturës hekurudhore ukrainase, siç ndodhi kur kreu sulmin vdekjeprurës ndaj stacionit në Kramatorsk në prill të vitit 2022, duke nxitur dënim nga e mbarë bota.

*Video nga arkivi: Dy vajza ukrainase mbetën jetime pasi nëna e tyre u vra gjatë sulmit rus ndaj stacionit hekurudhor në Kramatorsk

Sulmi rus i la jetime: "Askush s’mund ta zëvendësojë nënën e tyre"
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:46 0:00

Por, këtë vit zyrtarët ukrainas thanë se sulmet janë shndërruar në një fushatë sistematike.

Disa orë pas sulmit në Shostka kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, shkroi në rrjetet sociale se “rusët kanë hyrë në një fazë të re të barbarizmit” me sulme të pareshtura që nga vera.

“Vetëm gjatë dy muajve të fundit, 220 sulme ruse që kanë goditur infrastrukturën hekurudhore – përfshirë trena, stacione dhe nënstacione elektrike – janë regjistruar”, shkroi ajo.

Qendrat hekurudhore veçmas janë në shënjestrën e Rusisë.

“Ka një përqendrim të madh në mjetet lëvizëse në stacionet qendrore dhe logjistika është më e ndërlikuar aty, andaj goditja e qendrave hekurudhore duket më tërheqëse për rusët”, tha Omelyan.

Shkalla e saktë e ndërprerjeve të shkaktuara mbetet e paqartë. Svyrydenko tha se kompania shtetërore hekurudhore e Ukrainës po përshtat rrugët në rajonet e vijës së frontit dhe po përdor autobusë për të zëvendësuar transportin në rajonet e tjera.

Në fakt, këtë gjë Ukraina e ka bërë që një kohë.

“Një natë e zakonshme”

Më 17 shtator, për shembull, ueb-faqja e turizmit Visite Ukraine theksoi se “granatimet gjatë natës kanë shkaktuar dëme në hekurudhë” duke bërë që të ndryshoheshin udhëtimet në gjashtë linja kryesore që shërbejnë si qendra rajonale, përfshirë Dnipron dhe Hersonin.

Atë ditë, shefi i hekurudhave të Ukrainës, Oleksandr Pertsovsky, shkroi në Facebook se ishte “një ditë e zakonshme, ose më saktë një natë, për hekurudhat ukrainase. Linja hekurudhore e Dnipros është goditur dhe mbeti pa energji si pasojë e një sulmi rus me dronë”.

“Lokomotivat rezervë janë të gatshme të futen në operim, ekipet e lokomotivave po largohen, ata po ndihmojnë në minimizimin e vonesave në mënyrë që të gjithë të arrijnë në destinacionin e tyre”, shtoi Pertsovsky.

Pothuajse gjysma e rrjetit hekurudhor e Ukrainës është e elektrifikuar. Por, ndërprerjet e energjisë e bëjnë të pamundur funksionimin e lokomotivave elektrike dhe Ukraina ka pak lokomotiva me naftë, të cilat janë të vjetra.

Duke e njohur rëndësinë e veprimit të shpejtë, Komiteti për Buxhet i Ukrainës në gusht miratoi zgjerimin e fondit rezervë, i cili sipas Pertsovskyt i mundëson Qeverisë të “financojë me shpejtësi riparimet kritike dhe të bëjë ndarje të shpejta për të mbështetur nevojat operacionale të hekurudhave”.

Sulmet e Rusisë shkaktojnë goditje si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë ekonomik.

Pajisjet ushtarake importohen në Ukrainë dhe transportohen brenda shtetit përmes hekurudhës. Kjo vlen edhe për automjetet ushtarake. Në pjesë të Ukrainës lindore, ku luftimet janë më të ashpra, rrugët janë në gjendje aq të keqe sa lidhjet hekurudhore janë edhe më të rëndësishme për lëvizjen e mallrave.

Hekurudhat përdoren për të transportuar metale dhe mineral hekuri drejt kufirit perëndimor dhe porteve në jug. Trenat e mallrave transportojnë po ashtu grurë. Të gjitha këto janë produkte strategjike, eksporti i të cilave ndihmon në mbajtjen gjallë të përpjekjeve për luftë të Ukrainës.

Fushata e sulmeve e bën gjithashtu udhëtimin me tren një gjë të rrezikshme si për qytetarët e zakonshëm ukrainas, ashtu edhe për politikanët perëndimorë që vizitojnë vendin.

“Ky është terrorizim i njerëzve. Shkakton ndërprerje të vazhdueshme të trafikut të udhëtarëve. Dhe, përveç sulmeve ndaj qyteteve, e gjithë kjo shton edhe më shumë paqëndrueshmëri”, tha Serhiy Vovk, drejtues i Qendrës për Strategji të Transportit, një kompanie konsulencës me seli në Kiev.

“Kur një tren detyrohet të devijojë nga orari për shkak të dëmeve, një gjë e tillë ka efekt domino mbi linjat e tjera, sepse orari është hartuar në mënyrë të tillë që trenat të mos qëndrojnë të palëvizshëm për një kohë të gjatë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

*Video nga arkivi: Rreziku i udhëtimit me tren në Ukrainë

Udhëtimi më i rrezikshëm me tren në Ukrainë
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:03:55 0:00

Më 8 tetor, ndikimi i fushatës së pandalshme të sulmeve ajrore ruse vazhdoi.

Hekurudhat ukrainase raportuan se “sulmet e armikut” kishin shkaktuar vonesa, anulime dhe ndryshime rrugësh për një numër të madh trenash.

Një ditë më herët, administrata rajonale ushtarake në Poltava tha se goditjet e drejtpërdrejta dhe copëzat e raketave dhe dronëve që binin kishin shkaktuar dëme dhe zjarre në ndërtesa dhe në mallrat që transportoheshin me tren.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG