Ndërlidhjet

Stoltenberg mirëpret Maqedoninë Veriore në NATO


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencë pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencë pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim.

Në Bruksel është nënshkruar protokolli për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit. Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë ministri i Punëve të jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe 29 ambasadorët e shteteve anëtare të Aleancës, të cilët kanë vendosur firmat e tyre në protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Nënshkrimi i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

“Ju kemi pritur një kohë të gjatë që të na bashkoheni në familjen tonë. Me nënshkrimin e protokollit fillon procesi i ratifikimit i cili pres që të kalojë lehtë. Nga sot, përfaqësuesit tuaj do të na bashkohen në këtë tavolinë. Bashkërisht do të sjellim vendime”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai e ka vlerësuar aktin si një ditë historike dhe të posaçme për Maqedoninë, por edhe për NATO-n dhe rajonin në përgjithësi.

Anëtarësimi i plotë në NATO do të ndodhë pas ratifikimit të dokumentit për anëtarësim nga të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s. Në fazën e tanishme, Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha formatet kyçe të Këshillit Euroatlantik, gjegjësisht do të jetë pjesë e sistemit dhe procedurave të NATO-s dhe do të marrë pjesë në trupat e Aleancës, por pa të drejtën e votës.

“Maqedonia së shpejti do të jetë Maqedonia e Veriut, kjo është çështje ditësh. Kemi dëshmuar se mundemi të zgjidhim problemet me të cilat përballemi. Ishte një rrugë e gjatë. Përmbushëm atë për të cilën ishin angazhuar anëtarët e parë të Parlamentit tonë. Ky akt sot është rezultat i punës dhe përpjekjeve të shumë gjeneratave dhe përgjegjësi e gjeneratës sonë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Në Qeverinë e Maqedonisë nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO është vlerësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme që nga pavarësia e vendit në vitin 1991. Ky akt dhe anëtarësimi i plotë që pason, sipas Qeverisë, realizon synimin kryesor të qytetarëve të Maqedonisë, për të qenë pjesë e familjes euroatlantike në të cilën garantohet siguri, prosperitet dhe zhvillim ekonomik.

“Kjo është një ditë historike për të gjithë qytetarët tanë. Sot, Aleanca më e madhe e sigurisë në botë, NATO, na uroi mirëseardhjen. Sot, ne u ulëm krah për krah me aleatët tanë, në të njëjtën tryezë, në të njëjtën Aleancë. Jemi të lumtur dhe duhet të jemi, sepse ne kemi siguruar stabilitet të qëndrueshëm për vendin tonë, siguri dhe paqe. Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshme. Brezat tanë dhe fëmijët e gjeneratave tona do të jetojnë më mirë në vend dhe në rajon që rrezaton shpresë”, ka shkruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev në rrjetin social Facebook.

Lidhur me nënshkrimin e protokollit ka reaguar përmes një postimi në Facebook edhe ish-kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, duke kritikuar sërish Marrëveshjen me Greqinë.

“Vendosja e një qeverie marionete në Maqedoni ka rrënuar konceptin për ndjeshmëri, një marrëveshje të drejtë dhe kompromis të arsyeshëm. Maqedonia në kontestin me emri ka hequr dorë nga gjitha kërkesat. Greqia ka fituar gjithçka. Pas kësaj situate, nevojitet një paradigmë e re për emrin dhe identitetin. Kjo paradigmë do të jetë baza mbi të cilën, pas largimit të qeverisë së kukullave, qeveria e re dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të duhet të bëjnë një doktrinë të re”, ka shkruar në reagimin në Facebook, ish-kryeministri, Nikolla Gruevski.

Marrëveshja për emrin me Greqi ka qenë vendimtare për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ndërsa Shkupi pret që në qershor të nisë edhe bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG