Në Kongresin e Lidhjes Social Demokrate (LSDM), është zyrtarizuar kandidatura e Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen më 21 prill.
Kryeministri Zoran Zaev, njëhërsh kryetar i LSDM-së, tha para delegatëve se Stevo Pendarovski do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, pas të cilit qëndrojnë të gjitha bashkësitë etnike në vend, moment ky sipas tij që nuk ka ndodhur në 27 vjet demokraci në Maqedoninë e Veriut.
“Stevo Pendarovski është propozimi ynë. Besojmë se ai është zgjedhja jonë për fitore, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut. U bashkuam rreth idesë së një kandidat të përbashkët, me një mbështetje të madhe. Për herë të parë kemi kthesë historike e politike në vendin tonë, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë dhe të gjithë të tjerët jemi bërë bashkë që të sigurojmë një president për të gjithë qytetarët tanë. Do të shkojmë bashkërisht në gjithë vendin tonë që t’i japim mbështetje Stevo Pendarovski, i cili do të jetë presidenti i shtetit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke theksuar se Maqedonisë së Veriut i duhet president i cili do të mund ta çojë vendin drejt integrimit euroatlantik, që do të jetë partner i reformave dhe jo i ndarjeve.
Më këtë rast, Zaev ka drejtuar kritika edhe ndaj presidentit aktual, Gjorge Ivanov i cili sipas Zaevit në vitin 2014 u zgjodh duke bërë padrejtësi të mëdha ndaj Stevo Pendarovski, i cili atëherë ishte kundërkandidat i Ivanovit, por që nuk kishte mbështetjen e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
“Në këto zgjedhje përfundimisht do të përmirësojmë padrejtësinë e vitit 2014. Do ta dërgojmë në histori atë i cili nuk duhet të fitonte mandatin, por kur e fitoi atë e keqpërdori atë, duke përhapur urrejtje duke i dëmtuar qytetarët e vet. Do t’i themi lamtumirë Ivanovit”, ka deklaruar kryeministri Zaev.
Ndërkohë, kandidati për president i partive të koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski ka qëndruar në Tetovë ku po ashtu Bashkimi Demokratik për Integrim i ka konfirmuar mbështetjen në mbledhjen e Këshillit Qendror të partisë.
“Koncepti im ka qenë dhe mbetet, Maqedonia për të gjithë, ku nuk do të qiraxhi e pronar, thjesht askush nuk guxon të ndjehet qytetar i rendit të dytë apo të tretë, apo të ketë privilegje për njërën apo tjetrën bashkësi etnike. Për mua të gjithë janë njësoj. Këtë koncept kam mbrojtur edhe më parë, edhe në vitin 2014 në zgjedhjet presidenciale, por edhe në vitin 2016 në zgjedhjet parlamentare. Këtë koncept e mbrojë edhe më tej”, ka deklaruar Pendarovski, duke shtuar me rëndësi të madhe është që në zgjedhjet e 21 prillit, Maqedonia e Veriut duhet të dëshmojë se është e aftë të organizojë zgjedhje të lira e demokratike. Më këtë, siç tha Pendarovski, vendi do ta arsyetojë anëtarësimin në NATO dhe çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja kandidaten e saj për presidente shteti, Gordana Siljanovska, e ka prezantuar para forumit të gruas të kësaj partie, ku janë drejtuar akuza ndaj pushtetit aktual, në veçanti lidhur me Marrëveshjen e Prespës për ndërrimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut.
Siljanovska tha se kushti që kërkuan për ndërrimin e emrit të shtetit është në kundërshtim me normat ndërkombëtare.
“Nga ne kërkuan kushte plotësuese, të bisedojmë për emrin...si mundet që për emrin tim të arrihet zgjidhje...kjo është e pamundur pasi është emri im. Kjo është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare”, ka deklaruar Gordana Siljanovska, kandidate e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maqedonisë së Veriut.