Ndërlidhjet

Si u gjendën shqiptarët e Ukrainës pas shpërthimit të luftës?


Nelli Syupyur, shqiptare nga Ukraina (djathtas) pak pasi ka arritur nga Ukraina në Gjermani me djalin e saj. Vjollca (në mes) shqiptare nga Gjermania i ka ndihmuar të sistemohet.
Nelli Syupyur, shqiptare nga Ukraina (djathtas) pak pasi ka arritur nga Ukraina në Gjermani me djalin e saj. Vjollca (në mes) shqiptare nga Gjermania i ka ndihmuar të sistemohet.
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:31 0:00

“Çfarëdo që të ndodhë në Ukrainë, unë do të jem këtu”, thotë Aleksandr Dermentli, një shqiptar nga fshati Karakurt i Ukrainës.

Fshati i tij ndodhet në jugperëndim të Odesës, rajon i cili, në javët e fundit, disa herë ka qenë shënjestër e sulmeve të ushtrisë ruse.

Dermentli, 55-vjeçar, thotë se ka disa shqiptarë që luftojnë në krah të forcave ukrainase, por nuk jep më shumë detaje për ta.

Aleksandr Dermentli. Fotografi nga arkivi.
Aleksandr Dermentli. Fotografi nga arkivi.

Ukraina ndodhet nën pushtimin rus qysh më 24 shkurt. Mijëra njerëz atje janë vrarë, miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë.

Dermentli, i cili udhëheq Shoqatën “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, thotë se në këtë vend jetojnë rreth 5,000 shqiptarë - të përqendruar kryesisht në rajonin e Odesës dhe të Zaporizhjas.

Në Karakurt, ai thotë se situata është ende e qetë dhe se bombardimet dëgjohen vetëm natën.

Ai tregon se fshati është mbushur me shqiptarë të tjerë që janë zhvendosur nga zona e Kievit dhe e Odesës.

Ai thotë se disa grave dhe fëmijëve u ka ndihmuar të ikin jashtë kufijve.

“Një familje nga qyteti Irpin ka ikur në Shqipëri dhe ka shumë familje [me prejardhje shqiptare] që kanë ikur në Gjermani; në Poloni ka shumë; në Zvicër ka pak”, tregon Dermentli për Radion Evropa e Lirë.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:22 0:00

Ai thotë se është në kontakt me disa shqiptarë në Zaporizhja - një zonë më e prekur nga luftimet - për të konfirmuar se kanë furnizime të mjaftueshme me ushqime dhe ilaçe.

Disa organizata humanitare, përfshirë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, janë të pranishme në Ukrainë, por qasja e tyre shpesh është e limituar, për shkak të luftimeve.

E vetme me djalin në Gjermani

Bashkëvendësja e Dermentlit, Nelli Syupyur, është zhvendosur me djalin e saj tre vjeç në qytetin Gisen të Gjermanisë.

Bashkëshorti i 43-vjeçares me prejardhje shqiptare ka mbetur në Ukrainë, për shkak të ligjit të luftës, i cili nuk i lejon burrat e aftë për luftime, të ikin jashtë vendit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Nelli thotë se pak ditë pasi ka nisur lufta, ajo është larguar nga Odesa bashkë me fëmijën e saj; kanë arritur me tren në qytetin Lviv dhe, prej aty, kanë ecur më shumë se 30 kilometra në këmbë, për të kaluar kufirin me Poloninë, bashkë me të zhvendosur të tjerë.

Nelli Syupyur duke ecur me djalin e saj drejt kufirit të Ukrainës me Poloninë.
Nelli Syupyur duke ecur me djalin e saj drejt kufirit të Ukrainës me Poloninë.

Atje thotë se e kanë ndihmuar disa shqiptarë nga Gjermania, duke e shoqëruar për në këtë shtet.

Pasi të përfundojë lufta, Nelli thotë se dëshiron të jetojë në Shqipëri.

“Kishim plan me burrin të shkonim në Shqipëri dhe Kosovë, sepse djali im ka lindur në Tiranë. Dëshiroj që ai ta dijë gjuhën letrare [shqipe] dhe të shohë tokën ku ka lindur”, thotë Nelli.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:27 0:00

Për shkak të situatës në Ukrainë, ajo thotë se rrallë arrin të kontaktojë me bashkëshortin.

“Burri mendon për neve, më thotë puthe djalin, më do edhe mua, flasim pak”, tregon ajo shkurtimisht.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:18 0:00

Nelli, me profesion koreografe, thotë se ka jetuar midis zonave të Kievit dhe Odesës - aty ku i ka pasur studiot e vallëzimit.

Nelli tregon se autoritetet gjermane e kanë financuar, i kanë dhënë një apartament dhe se tani pret të nisë kursin e gjuhës vendase.

Nelli Syupyur me djalin e saj. Fotografi nga arkivi.
Nelli Syupyur me djalin e saj. Fotografi nga arkivi.

Nga Kievi në Ivano-Frankvisk

Maxim Kirchev, 39-vjeçar, po ashtu me prejardhje shqiptare, është larguar nga Kievi në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thotë se bashkë me gruan e tij, Ludmillën, dhe dy fëmijët e tij - katër dhe gjashtë vjeç - janë larguar nga kryeqyteti ukrainas pak pas sirenave të para për sulme.

“Kam qenë i përgatitur me familjen time, sepse ka qenë presion i madh dhe ne kemi fëmijë… Unë e kam parashikuar një sulm të tillë, jo vetëm me trupa, por edhe me sulme ajrore. Prandaj, qëkur kanë nisur sulmet e para, ne kemi tentuar të largohemi nga Kievi, para se të bllokoheshin rrugët”, rrëfen Maximi.

Maxim Kirchev me motrën e tij, Nina Kirchev. Fotografi nga arkivi.
Maxim Kirchev me motrën e tij, Nina Kirchev. Fotografi nga arkivi.

Ai dhe familja e tij janë duke jetuar tani në Ivano-Franvisk, një qytet në perëndim të Ukrainës, prej nga është edhe gruaja e tij.

Maximi thotë se ka nisur të punojë në një kompani për telekomunikime dhe se, tash për tash, nuk planifikon të kthehet në Kiev.

“Kishim plane për hapjen e shkollës shqipe”

Të parët e shqiptarëve të Ukrainës sot besohet se kanë arritur atje rreth 200 vjet më parë, për t’iu ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në zonën e Ballkanit.

Shumë prej tyre besohet se kanë ruajtur gjuhën dhe traditën.

Dermentli thotë se komuniteti shqiptar, para fillimit të luftës, po planifikonte hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe në fshatin Karakurt. Aktualisht, nxënësit atje, por edhe në zona të tjera me shqiptarë, mësojnë vetëm një orë në shqip gjatë javës.

Dermentli dëshiron që gjuha shqipe të mësohet sa më shumë, andaj thotë se i flet shqip djalit të tij dy vjeç.

Ai thotë se edhe gruaja e tij, Ana, e cila është ukrainase, e mëson vazhdimisht shqipen.

Ai, po ashtu, thotë se dëshiron të vizitojë Shqipërinë sapo të përfundojë lufta.

Por, fundi i luftës nuk duket afër. Pas dështimit për të marrë kontrollin e Kievit dhe për të rrëzuar Qeverinë atje, ushtria ruse ka përqendruar ofensivën në juglindje të Ukrainës. Nga të dyja anët ka luftime të ashpra, ndërkohë që edhe bisedimet për tv gjetur zgjidhje vazhdojnë, por, deri më tash, pa ndonjë rezultat.

Kontribuoi: Doruntina Baliu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG