Vendi i ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) në Nju Jork mund të mos jetë i vetmi post diplomatik që do të jetë vakant në periudhën e ardhshme.
Vetë shefi i misionit atje, Lubomir Fërçkoski, ka paralajmëruar se do të tërhiqet pasi ai dhe ambasadori në Romë, Vesel Memedi, janë thirrur për konsultime nga shefi i ri i diplomacisë, Timço Mucunski.
Pas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri, edhe ambasadori maqedonas në Tiranë, Danço Markovski, ishte në Shkup për konsultime.
Mucunski, nga Uashingtoni ku ishte pjesë e një delegacioni pjesëmarrës në samitin e NATO-s, nuk dha arsyet në një deklaratë në mëngjesin e 11 korrikut, por tha se kishte dyshime serioze për keqpërdorime.
“Mendoj se për momentin nuk është e drejtë të hyjmë në detaje të gjithë kësaj, por në dy nga tri vendet kemi dyshime serioze për funksionim jo të duhur dhe jashtë akteve ligjore, por edhe të akteve nënligjore që janë të vlefshme brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha Mucunski.
Por, përveç këtyre, kryesia e re në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme është duke i shikuar të gjitha referimet ndaj diplomatëve të rangut më të ulët që ish-ministri Bujar Osmani ka bërë para largimit të tij.
“Aktualisht, të gjitha referimet në periudhën parazgjedhore dhe paszgjedhore janë në fazën e analizës. Nëse konstatohet se ka lëshime në procedurë apo se nuk ka nevojë reale për plotësimin e disa pozitave të renditura, sigurisht që ato do të rishikohen”, thanë për Radio Evropa e Lirë nga kjo ministri.
Shtatë diplomatë me mandat, shtatë me detyrë
Sipas të dhënave që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, në tre muajt e mëparshëm, nga prilli deri në qershor, janë dërguar gjithsej 14 diplomatë për të punuar në misionet diplomatike-konsullore.
Në atë kohë në Maqedoninë e Veriut ishte periudhë zgjedhore, pasi më 4 prill filloi fushata për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale i mbajtur më 24 prill. Më 8 maj ishte rundi i dytë, së bashku me zgjedhjet parlamentare, kurse më 24 qershor u votua Qeveria e re e udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja.
Nga 14 diplomatët e dërguar gjatë asaj periudhe, tre janë dërguar në prill, pesë në maj dhe gjashtë në qershor.
“Nga këta 14 diplomatë, shtatë janë të caktuar me mandat në misionet diplomatike-konsullore, ndërsa shtatë janë caktuar për ndihmë”, thonë nga ministria, duke mos specifikuar se për çfarë detyrash janë dërguar.
Nga ana tjetër, numri i përgjithshëm i konkurseve të brendshme për diplomacinë e jashtme, që Osmani i shpalli në të njëjtën periudhë ishte 16.
Deri në publikimin e këtij teksti, ish-ministri nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it se për çfarë qëllimi janë dërguar diplomatët dhe pse në periudhën para dhe paszgjedhore, si dhe për një koment për thirrjen e ambasadorëve për konsultime nga pasardhësi i tij.
"Evakuimi i personelit"
Sindikata Diplomatike Maqedonase deri më tani ka reaguar disa herë duke vlerësuar se mbetet i paqartë se cili është qëllimi i hapave të tillë për dërgimin e diplomatëve në periudhën e tranzicionit dhe se nuk është korrekt ndaj vetë diplomatëve sepse po futen në një situatë të palakmueshme.
Dërgimi i njerëzve në momentin e fundit vërtet i ngjan evakuimit të personelit që ishte i lidhur personalisht apo përmes lidhjeve partiake me ministrin dhe nuk të lë përshtypje të mirë".
Pas ardhjes së Mucunskit në krye të ministrisë, ata shprehën mbështetjen e tyre për "zgjidhjen e problemeve të akumuluara në diplomacinë maqedonase" dhe kërkuan që të vazhdohet me analizën e punës së përfaqësuesve më të lartë shtetërorë të diplomacisë.
“Sindikata në vazhdimësi ka paralajmëruar dhe ka vënë në dukje parregullsi të shumta dhe shpeshherë shkelje flagrante të Ligjit për punë të jashtme, por jemi injoruar tërësisht nga menaxhmentet e mëparshme”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Lëvizjet me njoftimet dhe referimet e diplomatëve gjatë tranzicionit të pushtetit, ish-kryetari i sindikatës, Zoran Dabiq, dhe ambasador në pension, i vlerëson si “të papërshtatshme dhe jokorrekte”.
“Ai, në fakt, ua bën dëmin më të madh njerëzve që i dërgon. Ju e dini që dërgimi jashtë vendit është një proces ku ka përgatitje, duhen disa muaj, njerëzit njihen me punën që i pret. Kjo është një praktikë e rregullt në Ministrinë e Jashtme. Por, dërgimi i njerëzve në momentin e fundit vërtet i ngjan evakuimit të personelit që ishte i lidhur personalisht apo përmes lidhjeve partiake me ministrin dhe nuk të lë përshtypje të mirë”, thotë Dabiq për REL-in.
Ministria deri më tani nuk i ka bërë të ditur emrat e diplomatëve të dërguar, por teksa periudha e kaluar ka tërhequr vëmendjen e opinionit, së fundi po qarkullojnë informacione se ish-prezantuesja e televizionit, Besmira Ejupi, po shkon drejt konsullatës në Bon. U bë shumë zhurmë rreth emrit të saj në vitin 2022, kur dyshohej se ishte planifikuar të bëhej konsulle në Nju Jork, por që nuk ndodhi. E njëjta konsullatë ishte cak i kritikave nga sindikata në fillim të këtij viti për shkak të propozimit që konsull i ri të jetë Muhabi Sinani, të cilin e akuzuan se nuk ka titull diplomatik.
Osmani më pas i ka mohuar dhe ka thënë se po bëhet “diskriminim etnik”.
Epilogu për Memedin dhe Fërçkoskin
Epilogu për ambasadorët Fërçkoski dhe Memedi, siç paralajmëroi Mucunski, do të bëhet i ditur në periudhën e ardhshme.
Ambasadori ka pasur një ndërhyrje mjekësore urgjente në Maqedoni dhe ka qenë në varrimin e vëllait të tij të ndjerë... "
Arsyet e këtij hapi në lidhje me Memedin kanë të bëjnë me faktin se në muajin shkurt ai gjoja kishte njoftuar vetë autoritetet italiane se dokumentet e udhëtimit me emrin Republika e Maqedonisë ishin të pavlefshme.
Për Fërçkoskin, nga ana tjetër, për gjoja keqpërdorim të kartelës zyrtare për bileta të avionit dhe mosbindje ndaj udhëzimeve të ish-ministrit Osmani.
Ambasadori i mohoi akuzat e tilla dhe tha se nuk është problem të tërhiqet dikush kur ai nuk është i “përshtatshëm” me ideologjinë e pushtetit të ri, por mënyra sesi udhëheqja aktuale në ministri po e bën këtë përmes “ndërtimit të kaçakëve”, është e turpshme.
“Është e turpshme dhe e mjerë vërejtja e shërbimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme se ambasadori ka keqpërdorur një biletë zyrtare për bileta avioni për në Maqedoninë e Veriut. Ambasadori ka pasur një ndërhyrje mjekësore urgjente në Maqedoni dhe ka qenë në varrimin e vëllait të tij të ndjerë – ngjarje të papritura që e detyruan të përdorë përkohësisht paratë e misionit për një biletë avioni, të cilën sigurisht e rimbursoi këto ditë nga fondet e veta private”, thuhet në reagimin e dërguar nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB, në Nju Jork.
Në reagim Fërçkoski ka bërë të ditur se do të pensionohet pasi të stabilizohet gjendja e tij shëndetësore.
Mucunski, ndërkaq, nga Uashingtoni e ka fajësuar Fërçkoskin për shkelje të tjera ligjore dhe nënligjore me deklaratën që ka dhënë dhe ka ndarë dokumentet që janë për përdorim të brendshëm.
“Informacion shqetësues nga ambasadori në Tiranë”
Sa u përket konsultimeve me Markovskin, të cilat tashmë janë bërë, ai ka treguar se nga ambasadori ka marrë informacione lidhur me punën e qeverisë së kaluar që e kanë shqetësuar.
“Planifikoj që në një seancë të mbyllur ta informoj Qeverinë për atë që ka ndodhur në muajt dhe vitet e fundit, gjegjësisht mosangazhimin e diplomacisë maqedonase dhe institucioneve tjera. Ky informacion është aktualisht i ndjeshëm, kështu që nuk mund të ndajmë detaje. Ambasadori Markovski më informoi së bashku me menaxherët në ministri dhe dha disa nga argumentet e tij. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë me analizën se çfarë ka ndodhur në Shqipëri”, tha Mutsunski.
Këto konsultime pasuan regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, ku ishte renditur bashkësia etnike “Maqedonasit e Veriut,” e cila më vonë u korrigjua në maqedonas. Gjithashtu, në prag të regjistrimit të popullsisë ka pasur edhe aktivitete nga pala bullgare për regjistrimin e popullsisë atje si bullgare.
Timço Mucunski mori postin e shefit të diplomacisë më 28 qershor. Ministria, gjithashtu, mori kompetenca shtesë në sektorin e ekonomisë dhe mori një emër të ri - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Paraardhësi i tij Osmani e mbajti këtë post që nga fundi i gushtit të vitit 2020.