Krasniqi: S’jemi të obliguar ta votojmë propozimin e LVV-së
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se ai dhe deputetët e tjerë të zgjedhur nuk janë të obliguar të votojnë pro propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit.
“Ne shpresojmë që kjo bllokadë të mos vazhdojë sepse e vërteta është që propozimi i takon grupit paraamentar me numrin më të madh të deputetëve, por nuk është obligative që deputetët ta votojnë”, tha Krasniqi.
“Shpresoj që ata do të mendojnë, do të provojnë të kenë ndonjë kandidat/e tjetër që mund të ketë mbështetje më të madhe”, shtoi ai.
Ai e tha këtë pasi Glauk Konjufca i LVV-së u bëri thirrje të gjithë deputetëve të përkrahin propozimin për herë të dytë të Albulena Haxhiut për kryeparlamentare pasi tha se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve.
Limaj: Shumë shpejt do të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria
Pas ndërprerjes së seancës plenare, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, e cilësoi si lajm të mirë votimin e raportit për verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve.
“Kosova tani ka Parlament dhe deputetë dhe ata do të gjejnë rrugë për hapa të tjerë”, tha ai.
“Shumë shpejt edhe këto pjesë tjera do të përfundojnë dhe sipas ligjit dhe Kushtetutës të konstituohet Kuvendi dhe Qeveria”, shtoi Limaj.
Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pse tre votat e Nismës ishin abstenim për propozimin e LVV-së për postin e kryetares së Kuvendit.
Kërçeli: LVV-ja s’tërhiqet nga propozimi i Haxhiut për kryeparlamentare
Ilir Kërçeli, deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se nuk do të ndryshojë propozimi i LVV-së që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares së legjislaturës së nëntë, edhe pasi ky propozim dështoi dy herë të marrë mbështetjen e nevojshme.
Në një deklaratë të dhënë për RTV Dukagjinin, ai tha se “ne e kemi vendosur emrin”.
“AAK-ja s’është fituese që të përcaktojë kush të bëhet kryeparlamentar”, tha Kërçeli, pasi AAK-ja tha se do të votonte pro dy deputeteve të LVV-së, Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit, për postin e kryeparlamentares.
Gruda: Në Komision, Haxhiu garantoi se ministrat kanë dhënë dorëheqje
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, nuk është prezantuar asnjë dokument për dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë, që sot bënë betimin si deputetë.
“E vërteta është që nuk janë prezantuar dorëheqjet, por ministrja [në detyrë e Drejtësisë, Albulena] Haxhiu dhe Mimoza Kusari-Lila kanë garantuar që ministrat kanë dhënë dorëheqje në mënyrë individuale. E dyta, janë deklaruar publikisht që kanë dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë, ‘në rregull, këto gjëra që po i thoni ju do t’i evidentojmë në procesverbal të Komisionit dhe mbani përgjegjësi ligjore nëse nuk keni dhënë dorëheqje’”, tha ai.
Sipas tij, deklarimet publike të ministrave, tashmë deputetë, por edhe ato të bëra në Komision, ishin të mjaftueshme për PDK-në që t’i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, tani u mbetet organeve të drejtësisë që të veprojnë “nëse këta [ministrat dhe kryeministri që bënë betimin si deputetë] pas betimit shkojnë në zyrat qeveritare”.
“Ne thamë që deklarimet publike në media dhe deklarimi në komision konsiderohen të mjaftueshme dhe kanë fuqi juridike sepse edhe ashtu është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Sipas Grudës, nëse Albin Kurti, dhe anëtarët e tjerë qeveritarë, pas betimit si deputetë vazhdojnë punën në ekzekutiv, ata do të bënin “shkelje kushtetuese dhe vepër penale”.
Më herët gjatë ditës, Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burime brenda organit legjislativ, raportoi se ministrat e Qeverisë Kurti 2 kishin dorëzuar individualisht dorëheqjet e tyre në Sekretariatin e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, burime brenda Kuvendit të Kosovës më pas konfirmuan se nuk kanë pranuar dorëheqje, por vetëm letrën njoftuese të Kurtit më 15 prill se qeveria e tij është e dorëhequr që nga 23 marsi.