Përshëndetje të nderuar lexues,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejt të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të nisur më 15 prill.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’iu sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me tentimin e tretë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Na ndiqni!
Tentimi i tretë për konstituim
Pas dy dështimeve, deputetët do të tentojnë sot në mesditë që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deputetët nuk e kanë kaluar pikën e parë, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve. Miratimi i kësaj pike do t'i hapte rrugë betimit të deputetëve, dhe më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve.
Pse u ndërprenë dy seancat paraprake?
Më 15 prill dhe më 17 prill u ndërprenë seancat konstituive. E para, pasi deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
PDK, LDK, AAK thanë se anëtarët e Qeverisë së Kosovës, të zgjedhur deputetë, duhet të dorëzojnë dorëheqje formale dhe të mos ushtrojnë funksione ekzekutive.
LVV-ja, tha se Qeveria është në dorëheqje, që nga 23 marsi, duke i akuzuar këto parti për bllokimin e krijimit të institucioneve.
Më 17 prill, në vazhdimin e dytë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi për konsultime përfaqësuesit e partive politike. Pas kësaj, tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje dhe e ndërpreu seancën.
IKD kërkon që anëtarët e Qeverisë të japin dorëheqje formale në Kuvend
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka kërkuar që anëtarët e Qeverisë, të zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje para ose menjëherë pas betimit si deputetë.
Ky institut ka thënë se pas dorëheqjes, ata nuk mund të ushtrojnë më funksione ekzekutive.
IKD, para nisjes së seancës, u bëri thirrje deputetëve që të miratojnë raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Më poshtë mund të lexoni lajmin e plotë: