Ndërlidhjet

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill 2025.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill 2025.

Haxhiu dështon të zgjidhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

Në vazhdimin e tretë të seancës konstituive, deputetët dështuan që të zgjidhinin kreun e organit ligjvënës.

Propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, dështoi dy herë që të marrë 61 votat e nevojshme.

Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën deri të hënën, në orën 15:00.

Megjithatë, paraprakisht deputetët miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Ata po ashtu bën betimin si deputetë të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

14:53 19.4.2025

Si votuan deputetët për Haxhiun si kryeparlamentare?

Propozimi që Albulena Haxhiu të marrë postin e kryeparlamentares në legjislaturën e nëntë mori votat e Lëvizjes Vetëvendosje, të gjithë deputetëve të pakicave joserbe përveç Duda Bales dhe Veton Berishës.

Pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare votoi edhe Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb.

Kundër zgjedhjes së Haxhiut votuan deputetët e zgjedhur të LDK-së, ndërsa ata të Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Ndërkohë, PDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së s’morën pjesë në votim

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e lëshoi sallën para se të niste votimi.

Pasi dështoi zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare, seanca është në pauzë.


15:02 19.4.2025

KDI: Moszgjedhja e kryeparlamentares, mungesë e vullnetit politik për kompromis

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha se movotimi i Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit të Kosovës, tregon se ka mungesë të vullnetit politik për kompromis.

“KDI bën thirrje që të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë politike, të kontribuojnë në mbylljen me sukses të kësaj seance konstituive. Por, theksojmë që përgjegjësia kryesore bie mbi subjektin më të madh në Kuvend, Lëvizjen Vetëvendosje, e cila ka për detyrë të udhëheqë procesin dhe të bëjë gjithçka që kërkohet – përfshirë diskutime dhe kompromise politik – për të siguruar një shumicë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, u tha në reagim.

15:05 19.4.2025

Haxhiu propozohet sërish për kryeparlamentare

Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje propozoi që të votohet Albulena Haxhiu për postin e kryeparlamentares, pas dështimit në tentimin e parë

“Ju lus ta mbështetni këtë propozim sepse vetëm kështu nuk bllokoni konstituimin”, tha Konjufca, duke theksuar se vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, në këtë rast Lëzivjes Vetëvendosje, i takon propozimi i kryeparlamentarit.

15:07 19.4.2025

Haxhiu dështon të zgjidhet kryeparlamentare, seanca ndërpritet

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish dështuan të zgjidhnin Albulena Haxhiun nga LVV-ja në postin e kryeparlamentares.

Në votimin e dytë, Haxhiu mori 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Propozimi nuk kaloi dhe kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu senacën për 48 orë, pra deri të hënën në orën 15:00.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG