Ndërlidhjet

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill 2025.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, më 19 prill 2025.

Haxhiu dështon të zgjidhet kryeparlamentare, seanca vazhdon të hënën

Në vazhdimin e tretë të seancës konstituive, deputetët dështuan që të zgjidhinin kreun e organit ligjvënës.

Propozimi që Albulena Haxhiu të jetë kryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, dështoi dy herë që të marrë 61 votat e nevojshme.

Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën deri të hënën, në orën 15:00.

Megjithatë, paraprakisht deputetët miratuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

Ata po ashtu bën betimin si deputetë të legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

14:22 19.4.2025

Kuvendi dështon të zgjedhë Haxhiun si kryeparlamentare, Kuvendi shkon në pauzë

Me 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhej kryetare e re e Kuvendit të Kosovës.

Në votimin për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, tre deputetët e Nismës abstenuan, ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk morën pjesë në votim.

Pas dështimit të zgjedhjes së Haxhiut, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi për një pauzë të punimeve plenare.

14:27 19.4.2025

Krasniqi: Procesi ishte bllokuar sepse po shihet se VV-ja s’i ka numrat

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se bllokimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që nga 15 prilli është për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë.

“Ishin 52, qenkan bërë 57, nuk besoj që do të bëhen 61”, tha Krasniqi.

Për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri dhe formimit të qeverisë duhet 61 vota.

Ai tha se partia e tij votoi për raportin e mandatit të deputetëve sepse në procesverbal është përfshirë deklarata se kabineti qeveritar kanë dhënë dorëheqje individuale.


14:33 19.4.2025

Bajrami: LDK do të ngrehë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Qeverisë

Hykmete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se partia e saj do të bëjë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë dhe të cilët bënë sot betimin, për ushtrim të funksioneve ekzekutive.

Ajo tha se neni 70 i Kushtetutës thotë “qartë se mandati i deputetit nis me datën e certifikimit të rezultateve”.

Sipas saj, që nga 27 marsi – kur është certifikuar rezultati zgjedhor – anëtarët e Qeverisë – të betuar tashmë si deputetë – kanë bërë shkelje, duke mbajtur postin ekzekutiv.

“Pastaj do të shohim hapat për Gjykatën Kushtetuese”, tha ajo.

Sa i përket kryeparlamentarit, Bajrami tha se LDK nuk ka asnjë kandidat të pranueshëm për këtë post nga LVV-ja.

Hykmete Bajrami gjatë prononcimit për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Hykmete Bajrami gjatë prononcimit për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.
14:39 19.4.2025

Peci: Do t’i kemi numrat për qeverinë, negociatat vazhdojnë

Faton Peci, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha LVV-ja do t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Ai tha se negociatat për këtë do të vazhdojnë, njëjtë si diskutimet për të vendosur nëse Albulena Haxhiu do të propozohet sërish për postin e kryeparlamentares apo dikush tjetër.

“Nuk pranojmë imponime nga jashtë”, tha ai, pak pasi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ata do të votonin pro Saranda Bogujevcit dhe Shqipe Selimit për postin e kryeparlamentares.

Peci gjithashtu shtoi se nuk ka pasur dorëheqje të reja dhe se ai do të vazhdojë ta kryejë detyrën e ministrit të Bujqësisë deri të formohet një qeveri e re.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG