Komisioni i përkohshëm nis punën për hartimin e raportit të ri për mandatet
Të 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, votuan që raporti i ri të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, ta hartohet nga përbërja paraprake e këtij komisioni, që u zgjodh më 15 prill.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se komisioni për 30 minuta duhet të takohet dhe të hartojë raportin e ri që më pas do të dërgohet në sallë plenare për votim.
Përfundon takimi i Komisionit të përkohshëm për mandate
Ka përfunduar takimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Kur u pyet nga gazetarët nëse do të votohet raporti për mandatet, Time Kadrijaj nga AAK-ja, u përgjigj shkurt me "po".
Krasniqi: Është pranuar kërkesa e PDK-së për dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se gjatë takimit të Komisionit të përkohshëm është pranuar kërkesa e partisë së tij që anëtarët e Qeverisë, të zgjedhur deputetë, të dorëzojnë dorëheqje individuale.
Ai tha se kjo kërkesë është evidentuar në procesverbalin e takimit të Komisionit "që të gjithë ministrat dhe kryeministri që kanë dhënë dorëheqje individualisht”.
“Ky ndryshim na ka mundësuar që të votohet raporti”, tha ai.
Anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë deklaruar më herët se dorëheqjet e tyre ia kanë dorëzuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ndërkaq, Kurti ka thënë se ekzekutivi i tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ka përfunduar mandati i plotë katërvjeçar.
Radio Evropa e Lirë raportoi gjatë ditës se dorëheqjet e kabinetit qeveritar - që ishin bërë shkak i mosvotimit të raportit për mandatin e deputetëve të martën - ishin deponuar në sekretariatin e Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësues të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë kanë kërkuar vazhdimisht që për dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar që janë zgjedhur deputetë të ndiqen procedurat formale.
Megjithatë, më vonë Përparim Gruda nga PDK, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se gjatë mbledhjes së Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, nuk është prezantuar asnjë dokument për dorëheqjet individuale të anëtarëve të Qeverisë, që sot bënë betimin si deputetë.
Po ashtu, burime brenda Kuvendit të Kosovës më vonë konfirmuan se nuk kanë pranuar dorëheqje, por vetëm letrën njoftuese të Albin Kurtit më 15 prill se qeveria e tij është e dorëhequr që nga 23 marsi.
*Ky raportim është përditësuar me deklarimin e Grudës të bërë në orët e pasdites të së shtunës, pas ndërprerjes së seancës konstituive.