Përfundon takimi konsultativ mes Deharit dhe partive politike
Ka përfunduar takimi konsultativ mes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive politike.
Në takim morën pjesë: Mimoza Kusari Lila nga Alternativa, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sala Jashari dhe Përparim Gruda nga Partia Demokratike e Kosovës, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i Listës Serbe.
Kadrijaj: Do të formohet komision i ri për verifikim të mandateve
Time Kadrijaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), tha se sot do të formohet komision i ri për verifikimin e mandateve të deputëve.
Këtë deklaratë ajo e dha pasi mori pjesë në takimin e ftuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, me përfaqësues të partive politike.
Një komision i tillë ishte formuar edhe në seancën e parë konsituive të martën, por raporti nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të kaluar në Kuvend.
Berisha: Do ta votoj raportin për mandatet
Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane tha se nuk është për bllokimin e institucioneve të Kosovës.
Ai tha se do të votojë për raportin për mandatet e zgjedhjen e kryeparlamentarit.
“Kur flasim për pjesë të tjera, nuk kemi asnjë marrëveshje deri tash”, tha ai duke iu referuar votimit të Qeverisë së re.
Haradinaj: Opozita do që procesi i konstituimit të Kuvendit të ecë përpara
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se nuk mund të garantojë që partitë që kanë qenë deri më tani në opozitë do të votojnë pro raportit të ri për mandatin e deputetëve.
“Por, ekziston mundësia që opozita ta mbështesë ecjen përpara të procesit. Qëllimi i opozitës është të mos e pengojë ecjen përpara të konsituimit të Kuvendit”, tha Haradinaj.
Raporti i parë për mandatet e deputetëve nuk kishte siguruar vota të mjaftueshme në Kuvend. Tani është bërë e ditur se do të formohet një komision i ri për verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur.