Prigozhin filmohet duke u larguar nga Rostov-on-Doni
Agjencia e lajmeve Reuters filmoi liderin e grupit mercenar të Wagnerit, duke u larguar nga qyteti Rostov-on-Don, të cilin luftëtarët e tij e morën nën kontroll për disa orë të shtunën.
Sipas agjencisë, Yevgeny Prigozhin u largua me makinë nga selia ushtarake e qarkut të qytetit.
Sipas mediave shtetërore ruse, Prigozhin duhej të largohej nga Rusia dhe të shkonte në Bjellorusi, në mënyrë që autoritetet t'i hidhnin poshtë të gjitha akuzat kundër tij dhe anëtarëve të grupit Wagner, për të shmangur "gjakderdhjen".
Rebelimi i Wagnerit nuk do ta ndikojë ofensivën në Ukrainë, thotë Kremlini
Rebelimi i Wagnerit nuk do të ndikojë në ofensivën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Një gjë e tillë “nuk vjen në shprehje”, tha ai.
Kreu i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, pohoi më herët se 25.000 luftëtarë të tij ishin gati ta sfidonin presidentin rus, Vladimir Putin.
Kolona të njerëzve të tij u panë duke shkuar drejt Moskës, pasi kaluan kufirin nga Ukraina.
Ata u tërhoqën në bazat e tyre, pas negociatave që Prigozhin zhvilloi me udhëheqësin bjellorus.
Luftëtarët e Wagnerit kanë pasur rol të rëndësishëm në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Peskov tha se mercenarët e Wagnerit që dëshirojnë të nënshkruajnë kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, mund ta bëjnë këtë, dhe se luftëtarët që morën pjesë në rebelim, nuk do të ndiqen penalisht.
Të nderuar lexues,
Këtu e mbyllim mbulimin direkt të zhvillimeve në Rusi, më 24 qershor.
Faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.