Rriten çmimet e fluturimeve nga Moska
Qytetarët rusë janë duke blerë bileta avioni për t’u larguar nga vendi, derisa mercenarët e rebeluar të grupit Wagner janë nisur drejt Moskës, shkruan gazeta ruse, Kommersant.
Sipas saj, çmimet e biletave për nisje nga Moska drejt vendeve fqinje, si Turqia, janë pesëfishuar më 24 qershor.
Situata është e ngjashme edhe me fluturimet që nisen më 25 qershor.
E hëna nuk do të jetë ditë pune në Moskë, njofton kryebashkiaku
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se e hëna nuk do të jetë ditë pune në kryeqytetin rus dhe u kërkoi njerëzve t’i kufizojnë lëvizjet, pasi autoritetet po përgatiten për pasojat e mundshme të rebelimit të Wagnerit.
Më herët, autoritetet ruse njoftuan për një “operacion kundër-terrorist” në qytetin e Moskës, në rajonin e Moskës dhe në rajonin Voronezh në jug.
Kjo u jep autoriteteve një sërë kompetencash të veçanta - mes tyre:
- Kufizimi i lëvizjeve të njerëzve dhe transportit
- Monitorimi ose kufizimi i komunikimeve
- E drejta për të kontrolluar njerëzit dhe automjetet
- Evakuimi i popullatës nëse është e nevojshme
Letonia mbyll kufirin për rusët
Letonia njoftoi se ka mbyllur kufirin për qytetarët rusë, në kohën kur vendi i tyre po përballet me një rebelim të armatosur kundër regjimit.
Presidenti i zgjedhur letonez, Edgars Rinkevics, tha se vendi i tij nuk do të pranojë rusë.
“Letonia po ndjek nga afër situatën në zhvillim në Rusi... Siguria kufitare është forcuar, viza ose hyrje për rusët që largohen nga Rusia për shkak të ngjarjeve aktuale, nuk do të merren parasysh”, shkroi Rinkevics në Twitter.
“Letonia nuk do të lëshojë viza humanitare apo lloje të tjera”, shtoi presidenti i zgjedhur, i cili është ende ministër i Jashtëm.
Ai po ashtu tha se nuk ka ndonjë “kërcënim të drejtpërdrejtë për Letoninë në këtë moment”.
Për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Letonia, vitin e kaluar, ka ndaluar lëshimin e vizave të reja për qytetarët rusë, por ka bërë përjashtime për vizat humanitare.
Është e paqartë nëse vizat e lëshuara deri më tani, do të mbeten të vlefshme për hyrje.
Ministria ruse paralajmëron Perëndimin kundër përdorimit të Wagnerit për qëllimet e tyre
Ministria e Jashtme ruse ka thënë përmes një deklarate se i ka paralajmëruar shtetet e Perëndimit kundër përdorimit të veprimeve të grupit Wagner “për t’i arritur synimet rusofobike”.