“Nuk kemi asnjë komunikim. Nuk kemi radiolidhje. Asgjë”, u thotë një ushtar rus personave që e marrin në pyetje. Kështu bëhet e ditur përmes një videoje të re të publikuar në YouTube gjatë këtij muaji nga mbrojtësit ukrainas.
Në katër javët e para të luftës, deklarata të tilla, së bashku me bisedat e përgjuara, pajisjet e kapura dhe fotografitë e radiolidhjeve të lira sugjerojnë se pamundësia për të komunikuar – në zinxhirin e komandës dhe përgjatë degëve të ushtrisë ruse – po pengojnë planet e luftës së Moskës.
Përderisa fati i një ushtrie mund të luhatet shpejt, madje edhe në ofensiva të mëdha sikurse ajo e nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 shkurt për të “çmilitarizuar” dhe gjunjëzuar Ukrainën, shumë ekspertë ushtarakë perëndimorë sugjerojnë se Kremlini dhe planifikuesit e tij dështuan në aspektet kryesore në javët e para të pushtimit.
Në rastin e Rusisë, situata e vështirë është shfaqur gjatë 24 ditëve të para të kësaj lufte, bazuar në deklaratat e ushtarëve të zënë rob, bisedave të përgjuara dhe të dhënave të tjera të publikuara nga inteligjenca ukrainase ose nga të tjerët që janë të etur të nxjerrin në pah dobësitë e forcave pushtuese, që janë më të mëdha në numër. Po ashtu, ka raporte që sugjerojnë për një telefonatë të bërë përmes kanaleve të pasigurta që mund t’i kenë ndihmuar forcat ukrainase të shënjestrojnë një prej gjeneralëve rusë të vrarë në konflikt. Deri më tani, Ukraina ka pretenduar se ka vrarë pesë gjeneralë rusë dhe një oficer të lartë të marinës.
Të dhënat sugjerojnë se disa nga rrënjët e gabimeve të komunikimit në palën ruse qëndrojnë në proceset e keqmenaxhuara të prokurimit për blerjen e pajisjeve si radiot taktike ushtarake, specialistët e patrajnuar dhe sfidat e operimit në një tokë të huaj, ku armiku kontrollon jo vetëm rrjetet celulare, por edhe komunikimet me tela që shpesh shërbejnë si një kanal rezervë i besueshëm.
Një prej rezultateve ka qenë kompleksiteti i ndryshëm midis sistemeve të përdorura nga trupat me komunikim me zë dhe komunikimeve me të dhëna, duke shumëfishuar sfidat, pasi ato përfshijnë forca të përziera ajrore, tokësore dhe detare. Në raste të tilla, trupat detyrohen të përdorin një sistem më të zakonshëm për një pjesë të ushtrisë që është më pak e avancuar.
“Nëse formoni një formacion të përzier dhe pjesë të atij formacioni përbëhen nga makina të vjetra si ato të Divizionit të 90-të [të Tankut të Rojeve]”, siç janë ato që janë parë duke iu afruar së fundmi Kievit, tha Stanimir Dober, një ekspert i pavarur ushtarak, i specializuar në telekomunikime, “ju duhet t’i drejtoni tek emëruesi më i ulët”.
Me fjalë të tjera, përzierja e të ashtuquajturave sisteme të hapura dhe të koduara, i bën ato po aq të forta sa hallka e tyre më e dobët.
Disa prej pajisjeve më të vjetra të forcave ruse, tha Dobrev “mund të deshifrohen pothuajse në kohë reale dhe kështu që nuk është e nevojshme të shtohen shtresa shtesë të kompleksitetit për të operuar me këto pajisje, që nuk sjellin shumë përfitim”.
Ai tha se këta dhe faktorë të tjerë potencialë tregojnë se përse ofensiva tokësore e Rusisë ka ngecur dhe operacionet ajrore bëhen më pak efektive me kalimin e kohës, pasi shënjestrat e identifikuara, për të cilat rusët kanë komunikuar në fillim, Forcat Ajrore ruse, veçse kanë lëvizur.
“Mësime të nxjerra”?
Lufta pesëditore e Rusisë në Gjeorgji më 2008, për dy rajonet e shkëputura gjeorgjiane, që Moska i ka okupuar që atëherë, nxori në pah disa nga problemet më urgjente në fushëbetejë të forcave të armatosura ruse: komunikimin taktik.
Disa njësi nuk kishin mundësi të komunikonin me strukturën komanduese, telefonat mobilë dhe madje edhe “porositë përmes korrierëve” u përdorën në vend të radiove ushtarake, dhe në një shembull ekstrem, një oficer i Forcave Ajrore fluturoi me helikopter që të jepte personalisht urdhrat.
Një zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm rus, Yevgeny Meychik, më 2009 u përgjigj përmes një njoftimi se me urdhrin e presidentit të atëhershëm të Rusisë, Dmitry Medvedev, Ministria e Mbrojtjes do të rishikonte tërësisht qasjen e saj ndaj sistemit komandues ushtarak dhe të kontrollit “dhe veçanërisht të sistemeve të komunikimeve”.
Ai u zotua që “deri në fund të vitit 2011, ne planifikojmë të sjellim një radiostacion për çdo ushtarak, për çdo mjet luftarak”.
Por, derisa plani i Meychikut presupozonte përdorimin e sistemit kryesor të radios të nivelit të ushtrisë në atë kohë, i njohur si Akveduk, Ministria e Mbrojtjes zgjodhi që të zhvillonte një sistem krejtësisht të ri të gjeneratës së gjashtë, që njihet me emrin Azart. Një prodhues i ri, Angstrem, një prej pronarëve të të cilit kishte qenë këshilltar i Medvedevit, u zgjodh për projektin e zhvillimit të këtij sistemi.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
Në fillim të vitit 2012, duke u mburrur se Rusia kishte përdorur konceptin e NATO-s të “mësimeve të nxjerra”, zëvendëskryeministri Dmitry Rogozin u shfaq me një nga pajisjet e Azartit dhe tha: “Kjo lidhje funksionon!”.
Pas vite premtimesh dhe shumë afatesh të paplotësuara për dorëzimin e telefonave, që trupat i quajnë “krokodilët e gjelbër”, për shkak të antenave të tyre gjysmë metër të gjata, ato u përdorën në Lojërat Olimpike Dimërore të mbajtura më 2014 në Soçi.
Trembëdhjetë vjet më vonë, pavarësisht premtimeve të përsëritura, mijëra telefona Azart janë në duart e trupave ruse.
Por, ky proces është vështirë të quhet i suksesshëm.
Ky proces ka qenë subjekt i disa hetimeve penale, përfshirë edhe një që është duke vazhduar e që përqendrohet te një zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm rus, gjeneralkolonel Khalil Arslanov.
Shqyrtimet nëpër forumet në radio si Radioscanner.ru megjithëse janë të pamundura të verifikohen në mënyrë të pavarur, duket se sugjerojnë se Azart nuk është i popullarizuar në mesin e trupave ruse.
Eksperti ushtarak, Vladimir Orlov, tregoi për përdorimin e telefonave Azart në mesin e trupave ruse të dislokuar në Siri dhe tha se “jashtë bazave të forcave të armatosura ruse të gjithë përdornin telefona mobilë dhe ‘balalaika’ kineze”, një referencë për radiolidhjet civile, që prodhohen nga kompania e Kinës, Baofeng.
Për më tepër, vlerësimi më bujar i numrit të përgjithshëm të pajisjeve Azart që janë në përdorim është rreth 60,000 bazuar në 18 miliardë rublat (171 milionë dollarë) e ndara për blerjen e tyre dhe bazuar në koston prej 300,000 rublash, sa vlerësohet se kushton një pajisje. Kjo shifër përbën rreth një të tretën e numrit të trupave ruse, që NATO beson se janë dislokuar në Ukrainë.
Përgjimet e komunikimeve
Analisti Dobrev tha se dështimi i ushtrisë ruse për të siguruar kanale moderne dhe të sigurta të komunikimit, janë pengesa kryesore.
Por, ai theksoi rëndësinë e ndikimit të një problemi të tillë – koordinimi i dobët midis forcave të ndryshme tokësore, detare dhe ajrore të përfshira në pushtimin e shkallës së gjerë në Ukrainë.
Ai tha se dështimi i ushtrisë ruse për të zbatuar një sistem të moderuar të komandimit dhe kontrollit, që do të ishte i automatizuar, është një problem tjetër.
“Deri në vitin 2020 ishte planifikuar që me pajisje të tilla të pajiseshin 45 brigada të forcave tokësore ruse, por Rusia nuk ka arritur që ta përmbushë këtë detyrë”, tha Dobrev. “Situata është edhe më e keqe sa i përket koordinimit midis forcave tokësore dhe forcave ajrore”, që siç tha ai, operojnë me sistemet e veta komanduese dhe kontrolluese.
Problemet që dalin në koordinim paraqesin një problem tjetër, tha Dobrev, që sipas tij, po shfaqet edhe në terrenin e luftës. “Në fillim të luftës, Forcat Ajrore ruse vepruan me mjaft sukses sepse pozicionet e armikut ishin të njohura për ta”, tha ai. “Por, kjo nuk funksionon gjithmonë”.
Ai theksoi se dokumentet duket se tregojnë se Forcat Ajrore të Rusisë po veprojnë duke kryer fluturime drejt shënjestrave të përcaktuara me pak apo aspak aftësi për të komunikuar me forcat tokësore, të cilat, për shembull, mund të kërkojnë ndryshim të objektivave ose mbështetje ajrore.
Dobrev, po ashtu, tha se detashmentet në ditët e para të luftës dukej se kishin tejkaluar mbështetjen e tyre të komunikimit.
“Grupet taktike të batalioneve ruse menjëherë shkuan në një distancë shumë më të madhe nga kufiri dhe në të njëjtën kohë, ne nuk pamë pajisje që mund të ofronin komunikim të sigurt me postin komandues”, tha Dobrev.
Ai tha se kullat e komunikimit duhet të instalohen përgjatë rrugës dhe vendosja e tyre kërkon operatorë me përvojë. “Në mënyrë indirekte, kjo tregon se grupet sulmuese ruse nuk prisnin që të qëndronin në Ukrainë për një kohë të gjatë”, tha Dobrev.
Ai dhe vëzhgues të tjerë, po ashtu, kanë potencuar se ka sinjale të qarta të përgjimit të komunikimeve midis shërbimeve speciale ruse dhe trupave të reja, që do të duhej të komunikonin në kanale të koduara komunikimi.
Christo Grozev, nga grupi hulumtues Bellingcat, ka përmendur se një “sistem kriptofonik super i shtrenjtë” i prezantuar në Rusi më 2021, me sa duket u përgjua, sepse ky sistem kërkon rrjet celular 3G ose 4G për të funksionuar.
“Rrjetet celulare janë ende të kontrolluara nga Ukraina, që do të thotë se për ushtrinë ukrainase ato mbeten një mjet relativisht i sigurt i komunikimeve, që shmang përgjimet”, tha Dobrev.
Pjesa e mbrojtjes nga përgjimet nuk vlen për rusët, që përdorin të njëjtat rrjete ose rrjetet fikse ukrainase.
“Në mungesë të komunikimeve të posaçme dhe të sigurta, shumë ushtarë dhe oficerë nuk i rezistojnë tundimit që të përdorin telefonat e zakonshëm dhe ata thjesht heqin SIM kartelat ukrainase dhe thërrasin në Rusi, duke i lejuar ushtrisë ukrainase dhe inteligjencës, jo vetëm t’i dëgjojnë këto biseda, por edhe të përcaktojnë lokacionin e personit që ka iniciuar bisedën”, tha Dobrev.
Në ditët e para të luftës, BBC raportoi se audio-mesazhet ku dyshohet se ishte i përfshirë kreu çeçen, Ramzan Kadyron. Në këto mesazhe sugjerohej se një komandant i gardës së tij po udhëtonte për në Moskë në prag të luftës për të marrë “SIM kartat e pastra të Ukrainës”, që me gjasë i ka bërë komunikimet me ato pajisje të cenueshme ndaj përgjimeve nga inteligjenca ukrainase.
Së fundmi, The New York Times ka cituar burime të ushtrisë amerikane të kenë thënë se shumë gjeneralë rusë flasin përmes telefonave dhe radiove të pasigurta dhe në të paktën një rast, ukrainasit, bazuar në telefonata, e kanë gjetur lokacionin e gjeneralit rus dhe e kanë vrarë atë.
Facebook Forum