Ndërlidhjet

Pse zihemi për politikë?


Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, është ndër të fundit që u përfshi në një përplasje verbale e fizike me një qytetar.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj, është ndër të fundit që u përfshi në një përplasje verbale e fizike me një qytetar.

Para dy vjetësh, Kuvendi i Kosovës u shndërrua në vend përleshjesh fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe anëtarëve të Qeverisë së Kosovës.

Rreth tetë muaj më parë, fushata para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit u karakterizua me gjuhë të urrejtjes.

Ndërkaq, së voni, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Armend Zemaj, u përfshi në një përplasje verbale e fizike me një qytetar.

Çdo ditë, në postime në rrjete sociale, qytetarë zihen me njëri-tjetrin me deklarata plot akuza dhe ofendime.

Për Artan Muhaxhirin, sociolog dhe njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, gjuha e përdorur nga qytetarët nuk mund të jetë ndryshe, kur dëgjohet gjuha që përdorin vetë përfaqësuesit politikë të vendit.

Ai pohon se shoqëria kosovare është tejet e politizuar, dhe se kjo ua mundëson politikanëve ta formësojnë mënyrën se si qytetarët mendojnë, flasin e veprojnë.

“Kohëve të fundit është rritur fragmentarizimi politik, që ka ndikuar edhe në fragmentarizimin social, sepse [pjesëtarë nga] partitë politike janë duke e konsideruar njëri-tjetrin më shumë si armiq, sesa si pjesëtarë të një fushe institucionale”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë (REL).

E duke e quajtur njëri-tjetrin “armiq të shtetit”, “bashkëpunëtorë të Serbisë” e “hajvanë”, përfaqësuesit politikë të Kosovës kanë çuar mesazhe përçarëse dhe konfliktuoze te votuesit e tyre, thotë ai.

“Kur liderët e bëjnë të pranueshme edhe fyerjen, edhe ofendimin, edhe nënçmimin, qytetarët të cilët i përcjellin këta politikanë e konsiderojnë si të drejtë dhe normale që ta imitojnë këtë stil të komunikimit”, sqaron Muhaxhiri.

Kjo, sipas tij, ka bërë që kultura demokratike e debatit dhe argumentimi racional e logjik të zëvendësohen nga ofendimet e etiketimet - dhe, duke bërë që një politikan i caktuar të shihet si tradhtar e armik, ndaj tij legjitimohet dhuna e ofendimet.

E tani, që jemi mësuar me dhunë verbale, ka filluar të normalizohet edhe dhuna fizike, shton ai.

“Dhuna verbale shpeshherë është një paradhomë e dhunës fizike, sepse i shkatërron kufijtë e respektit të ndërsjellë, dhe e dehumanizon tjetrin”, thotë Muhaxhiri për REL-in.

Rasti i Armend Zemajt

Në rastin e fundit të njohur, më 24 tetor, pas të cilit vetë përfaqësues politikë diskutuan për polarizim në shoqëri, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u përfshi në një përplasje me një qytetar.

Ai ishte duke dhënë një intervistë në publik për një media lokale, kur një qytetar kaloi pranë tij dhe, siç u dëgjua në një videoxhirim të publikuar më vonë, iu drejtua Zemajt me fjalën “rrenësa”.

Zemaj iu përgjigj me fjalët “kujt po i thua rrenës?”, dhe vazhdoi duke ia përmendur qytetarit nënën dhe gruan. Ky i fundit u kthye drejt anëtarit të LDK-së me grusht të ngritur, por nuk e goditi atë.

Ai që grushtoi ishte deputeti, i cili, pastaj, u dëgjua edhe duke e sharë qytetarin dhe duke i thënë “unë të mbys”.

Partia të cilën e përfaqëson Zemaj doli me një reagim, ku e dënoi atë që ajo e cilësoi si “sulm” ndaj deputetit të saj. Zemaj mori përkrahje edhe nga shumë fytyra publike në vend, që e përgëzuan atë për guxim dhe mostolerim të ofendimit.

Qytetari u ndëshkua me gjobë për prishje të qetësisë dhe rendit publik nga Policia e Kosovës, ndërsa deputeti Zemaj është i dyshuar në një proces hetimi të nisur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Të pyetur nga REL-i, nga kjo Prokurori thanë vetëm se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurim të provave dhe për ndriçim të kësaj çështjeje penale.

“Deri në këtë fazë të procedurës, vetëm një person është i dyshuar: A.Z.”, thanë nga Prokuroria, çka lë të kuptohet se ndaj qytetarit nuk ka ndonjë hetim.

Në Britani, pas një përleshjeje fizike me një qytetar, më herët këtë vit, ligjvënësi Mike Amesbury u dënua me dhjetë javë burgim, ndërsa Partia Laburiste mori menjëherë vendim për pezullimin e tij.

Sipas raportimeve online, raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende si Turqia, Kenia e Pakistani.

REL-i ka pyetur LDK-në nëse ndaj Zemajt do të ndërmerret ndonjë masë disiplinore, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Zemaj ishte deputeti i nëntë më i votuar nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit, me gjithsej 25 mijë e tri vota.

Ndëshkimi me votë

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të fillimvitit në Kosovë ishte karakterizuar me gjuhë të urrejtjes, sipas koalicionit të organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV).

Eugen Cakolli nga DnV-ja kishte thënë se në çdo të pestin aktivitet gjatë fushatës zgjedhore ishte përdorur gjuhë e urrejtjes, fyese e diskriminuese.

Sipas gjetjeve të DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje printe me organizime ku ka pasur gjuhë të urrejtjes, me rreth 21 për qind të aktiviteteve. Pas saj radhiteshin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 19 për qind, LDK-ja me 18 për qind dhe PDK-ja me 14 për qind.

Pasi deputetët e dalë nga ato zgjedhje nuk arritën kompromis për të formuar një qeveri të re, tani mund të ketë zgjedhje të reja, të parakohshme.

Muhaxhiri thotë se kjo mund të sjellë dy realitete: përkeqësimin e polarizimit në shoqëri për shkak të gjuhës që mund të përdoret në fushatë, ose ecjen drejt “shërimit të skenës politike kosovare” me ndëshkimin e politikanëve që nxisin përçarje.

“Elementi më i rëndësishëm në promovimin e një kulture të përgjegjësisë publike është kur liderët ndëshkohen politikisht për përdorimin e gjuhës së urrejtjes”, thotë Muhaxhiri.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG