Ludvig Ramestam e kuptoi se diçka kishte ndryshuar në Ukrainë kur njerëzit në terren që përballeshin me pushtimin rus, filluan të kërkonin urgjentisht më shumë rrjeta peshkimi nga vendi i tij, Suedia.
Në vitin 2022, bashkëthemeluesi i organizatës jofitimprurëse, Operation Change, kishte dërguar rrjeta peshkimi të përdorura në Ukrainë, të cilat do të përpunoheshin si kamuflazhe.
“Por, nuk mund ta kuptonim, sepse ne kishim dërguar 16 metra kub rrjeta. Duhet kohë për t’i kthyer ato në kamuflazhe, por ata tashmë po kërkonin më shumë", i tha Ramestam Radios Evropa e Lirë (REL).
Ramestam shpejt e kuptoi se rrjetat po përdoreshin për t’u mbrojtur nga dronët FPV (me pamje ballore). Që nga ajo kohë, tha ai, nevoja për rrjeta peshkimi në Ukrainë është bërë “e pafundme”, pasi lufta është shndërruar në një konflikt që zhvillohet kryesisht me dronë nga ajri.
Së bashku me partnerët e vet, Operation Change ka transportuar rreth 400 tonë rrjeta peshkimi drejt Ukrainës.
Në Suedi, kjo kërkesë e madhe për rrjeta vjen në një kohë të vështirë për peshkatarët.
Industria suedeze e peshkimit është thuajse e ngrirë për shkak të rregullave gjithnjë e më të ashpra të Bashkimit Evropian për mjedisin, të cilat, në vitin 2021, kulmuan me një ndalim të plotë të peshkimit të merlucit në Detin Baltik.
Për mijëra peshkatarë, rrjetat e vlefshme – që në disa raste janë trashëguar nga prindërit e tyre – janë kthyer në plaçkë të çmuar, por të papërdorshme familjare.
Për shumë nga ta, mundësia për t’i vënë në punë për një kauzë që e besojnë, i ka bindur t’i nxjerrin përsëri nga depot.
“Në Suedi ka mbështetje mjaft të madhe për Ukrainën”, tha Ramestam.
“Prandaj, shumë nga këta peshkatarë janë jashtëzakonisht të lumtur t’ia japin [rrjetat] vijës së frontit ukrainas, nuk mund ta paramendoni. Ata ndihen sikur janë pjesë e kësaj mbrojtjeje tani”, theksoi ai.
Kjo ndjenjë është veçanërisht e fortë në ishujt Aland, një territor i Finlandës i banuar nga suedishtfolës. Shumë banorë këtu janë mjaft të moshuar për ta kujtuar konfliktin e tyre me Kremlinin gjatë Luftës së Dimrit (1939–1940), kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Finlandën.
Minnie Regland, e cila punon në ishull dhe ka ndihmuar në mbledhjen e rrjetave për Ukrainën, është një nga vullnetaret e Operation Change.
Ajo kujton një grua në të 70-at e saj, e cila i tregoi për frikën që kishte përjetuar Finlanda edhe vite pas pushtimit sovjetik të vitit 1939.
“Ajo më tregoi se kur ishte shtatë ose tetë vjeçe, mësuesja e saj hyri në shkollë dhe njoftoi: ‘Rusët po vijnë!’ U përhap një thashethem dhe të gjithë ranë në panik. Babai i saj ishte në det në atë kohë”, tha Regland.
Regland tha se gruaja u emocionua teksa kujtonte se si i ati, që ishte peshkatar, e kishte mësuar ta përdorte rrjetën.
“Edhe pse ajo nuk vazhdoi të merrej me peshkim, nuk kishte mundur kurrë të ndahej nga rrjetat e të atit. Por tani, ishte sikur e dinte që ai do të ishte i lumtur që ato po përdoreshin për këtë kauzë”.
Në Ukrainë, rrjetat janë ndër elementët më të rëndësishëm për t’i parandaluar sulmet e dronëve FPV, pasi trupat në vijën e frontit varen nga shumë shtresa mbrojtjeje në këtë garë të vazhdueshme midis pilotëve të dronëve dhe ushtarëve.
Iryna Rybakova, zëdhënëse e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, i tha Radios Evropa e Lirë se rrjetat kundër dronëve “tashmë po vendosen kudo përgjatë rrugëve të rajonit të Donjeckut”.
Por ajo shtoi: “Rrjetat nuk janë zgjidhje e përsosur. Ato janë vetëm një element mbrojtjeje kundër dronëve, i cili mund të mos funksionojë. Ka shumë raste kur një dron fluturon përmes një vrime të rrjetës dhe pret një automjet. Pilotët tanë të dronëve bëjnë të njëjtën gjë”.
Meqenëse rrjetat e najlonit dhe ato bujqësore janë të ndjeshme ndaj zjarrit, Rybakova thotë se materiali ideal do të ishte rrjeta metalike, por “është e qartë që ato janë të shtrenjta dhe të zorshme për t’u vendosur”.
Rybakova thotë se tani një udhëtim në vijën e frontit kërkon një sërë taktikash kundër dronëve: trupat udhëtojnë me shpejtësi, ndezin pajisje të fuqishme për bllokimin e sinjaleve dhe kanë disa vrojtues me armë.
“Përveç mitralozave, ne kemi edhe pushkë, si dhe hedhës të vegjël rrjetash të quajtur Ptashkas, të cilët ushtarët i kanë pagëzuar ‘shansi i fundit’”.
Në Suedi, Ramestam tha se bujaria e peshkatarëve suedezë dhe e pasardhësve të tyre ka shpëtuar drejtpërdrejt shumë jetë në Ukrainë.
“Ishte një makinë ku ishin vendosur rrjeta të dhuruara, dhe vetëm disa ditë më vonë ajo u sulmua [nga një dron rus FPV]”, tha Ramestam për REL-in.
“Rrjetat ishin vendosur rreth një metër larg makinës, mbi shufra metalike, në mënyrë që ndikimi i shpërthimit të zbutej ndjeshëm, dhe njerëzit në makinë mbijetuan. Ata shkruan posaçërisht në mesazhin e falënderimit se ato rrjeta ua kishin shpëtuar jetën”, tregoi ai.