Ndërlidhjet

Shkup: Qytetarët, në “mëshirën” e tregtarëve për rritjen çmimeve


Brenda një dyqani në Shkup, Maqedoni e Veriut, më 1 mars 2024.
Brenda një dyqani në Shkup, Maqedoni e Veriut, më 1 mars 2024.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nga 1 marsi ka shfuqizuar vendimin për atë që njihej si “çmim i garantuar”. Kjo masë ishte vendosur me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore.

Vendimi u mor ende pa u miratuar një projektligj për mbrojtje nga ekonomia jokorrekte, që është në procedurë parlamentare, e me të cilin Qeveria synon të zëvendësojë masat e deritashme të saj.

Produkte ushqimore me çmim të garantuar në një dyqan në Shkup, 1 mars 2024.
Produkte ushqimore me çmim të garantuar në një dyqan në Shkup, 1 mars 2024.

Por, kjo i ka lënë tregtarët me duar të lira që të vendosin vetë për rritjen ose jo të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, sikur në periudhën e para shtatorit të vitit 2023 kur si pasojë e mungesës së masave ligjore, çmimet shënuan rritje të mëdha.

“Nga sot tregtarët do të rrisin çmimet në mënyrë të pakontrolluar dhe kjo gjithsesi se do të rëndojë edhe më shumë gjendjen tonë. Ne, edhe ashtu ishim keq, por tani do të bëhet edhe më e vështirë”, thotë Mile Stojçev, punonjës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Përfundimisht do të ketë rritje të çmimeve. Do të kthehemi në periudhën e para disa muajve kur çdo ditë përballeshim me rritje çmimesh dhe thellim të varfërisë”, thotë Almir Muftiq, pensionist.

Me masat e deritashme të Qeverisë ishin ngrirë çmimet e rreth 50 produkteve bazë të ushqimit.

Inspektorati i tregut paralajmëron masa të rrepta nëse tregtarët abuzojnë me çmimet.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe ai që zbaton praktika të pandershme tregtare dhe shkel ligjet, do të sanksionohet rëndë, përfshirë edhe mbylljen e bizneseve për një periudhë të caktuar”, thotë Goran Trajkovski, drejtor i Inspektoratit të tregut.

Ai u bëri thirrje, si shitësve me pakicë, ashtu edhe shitësve me shumicë, që të jenë të përgjegjshëm dhe t'i përshtatin çmimet në përputhje me standardet e qytetarëve.

Nga Qeveria presin që tregtarët të mos e keqpërdorin heqjen e masave, por të veprojnë në bazë të ekonomisë së tregut deri në miratimin e zgjidhjeve të reja ligjore.

Zëvendëskryeministri Fatmir Bytyçi, thotë se çdo sjellje joetike e çdo tregtari do të dënohet.

“Mendoj se do të ishte e pranueshme të kishte një rritje prej 5 deri 10 për qind, por mos të ndodhë sikur në rastin e makaronave që kishim rritje prej 75 për qind, apo rritje të ngjashme të produkteve tjera. Dihen rrjedhat e ekonomisë, kështu që dihet se çfarë është e pranueshme e çfarë jo”, thekson Bytyçi.

Por, njohësit e çështjeve të ekonomisë, thonë për Radion Evropa e Lirë se askush nuk mund të japë garanci se nuk do të ketë valë të re shtrenjtimesh.

“Askush nuk mund të japë garanci se çmimet nuk do të shtrenjtohen, apo në çfarë niveli do të korrigjohen. Në një ekonomi të lirë tregu çmimet varen nga kërkesa dhe oferta. Vlerësoj se masa për çmimet e garantuara ka konsumuar efektet e saj dhe masat tjera duhet të rregullohen me kornizë ligjore, duke përfshirë Komisionin për Mbrojtje nga Konkurrenca dhe autoritetet tjera të shtetit”, thotë Bllagica Petreski, njohëse e çështjeve të ekonomisë.

Çmimet e disa produkteve ushqimore në një dyqan në Shkup, 1 mars 2024.
Çmimet e disa produkteve ushqimore në një dyqan në Shkup, 1 mars 2024.

Sipas ekspertëve, masat e Qeverisë maqedonase nuk kanë dhënë efektet e pritura pasi rritje çmimesh ka pasur edhe duke qenë ato në fuqi.

Ata mendojnë se bizneset nuk duhej të kufizoheshin, por të liheshin të lirë që tregtinë ta bëjnë varësisht nevojave të tregut, gjë që u tregua e suksesshme në shumë vende tjera ku çmimet, sipas tyre janë stabilizuar pa pasur nevojë për masa kufizuese.

Se gjendja ekonomike e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është përkeqësuar, flasin të dhënat e Entit të Statistikës, sipas të cilave, vlera e shportës për një familje katëranëtarëshe ka arritur 57.476 denarë, (afër 1.000 euro), por nëse kësaj i shtohet edhe qiraja e banimit për familjet pa shtëpi, atëherë shpenzimet arrijnë në gati 1.200 euro.

Ndërkohë pagat në Maqedoninë e Veriut sillen mes 300 dhe 600 euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG