Ndërlidhjet

Rusia - një kundërshtare që rriti ndjeshmërinë për refugjatë


Një ushtar polak duke ndihmuar një familje refugjatësh nga Ukraina. Medika, Poloni, 9 mars, 2022.
Një ushtar polak duke ndihmuar një familje refugjatësh nga Ukraina. Medika, Poloni, 9 mars, 2022.

Vendet që në të kaluarën i kanë refuzuar azilkërkuesit, i kanë hapur dyert për refugjatët ukrainas për dy arsye: e para, afërsia kulturore dhe shoqërore, dhe e dyta, vetë Rusia. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Jacob Kurtzer, drejtor i Agjendës Humanitare pranë Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Sipas tij, vendet që mirëpresin sot refugjatët ukrainas, e kanë përvojën e përballjes me agresionin rus.

Në kohën kur numri i të zhvendosurve nga Ukraina ka kaluar 2.5 milionë në më pak se tri javë luftë, Kurtzer thotë se është i shqetësuar se situata humanitare mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Radio Evropa e Lirë: Lufta në Ukrainë ka krijuar migrimin më të shpejtë masiv në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. A ka qenë kontinenti i përgatitur për këtë?

Jacob Kurtzer: Nuk jam i sigurt. Është folur shumë për pritjen e një krize refugjatësh. Disa vende individuale, agjenci humanitare dhe Qeveria e Ukrainës e kanë përmendur, por nuk kanë bërë planifikime, ose përgatitje të mëdha, gjoja për të mos krijuar panik ose për të mos krijuar ndjenjën se kjo është diçka që do të ndodhë patjetër.

Megjithatë, kemi parë gjithashtu se këto vende kanë dërguar ndihma ushtarake ose paketa të tjera ekonomike në Ukrainë, që do të thotë se e kanë parashikuar konfliktin. Pra, është pak shqetësuese që nuk janë ndërmarrë më shumë hapa paraprakisht, për të përgatitur themelet për një përgjigje më të mirë humanitare.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë burimesh duhen dhe çfarë janë të obliguara shtetet të bëjnë?

Jacob Kurtzer: Fillimisht janë nevojat themelore njerëzore, si: strehimi, ushqimi dhe uji. Me strehim kuptojmë vendin ku njerëzit do të qëndrojnë, mundësisht jo në kampe refugjatësh ose në qendra për të zhvendosur, por në apartamente ose dhoma hoteli. Fatmirësisht po dalim nga dimri dhe kushtet e motit po përmirësohen. Por, nëse parashikojmë që kjo krizë do të vazhdojë për ca kohë, atëherë nevojiten zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme për strehim.

Vendet që kanë nënshkruar Konventën e Refugjatëve, janë të detyruara t’iu ofrojnë njerëzve një bazë minimale të shërbimeve dhe gjithashtu status ligjor. Mendoj se në këtë pikë, Bashkimi Evropian dhe vendet fqinje kanë bërë punë të mirë, duke iu dhënë ukrainasve që ikin nga konflikti, ndjenjën se ata do të mund të qëndrojnë në ato vende për një periudhë më të gjatë kohore.

Por, leja për punë mendoj se është një hap i domosdoshëm për t’u siguruar që njerëzit janë në gjendje të jetojnë dhe ta sigurojnë veten.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të prodhojë deri në 5 milionë refugjatë. A do të jetë Evropa në gjendje të përballojë këtë?

Jacob Kurtzer: Evropa mund ta përballojë dhe Evropa do të duhet ta përballojë, sepse shumica dërrmuese e njerëzve që ikin nga Ukraina, do të qëndrojnë në vendet fqinje dhe më thellë në Evropë. Burimet financiare janë në dispozicion. Ajo që kemi parë nga krizat e refugjatëve në të kaluarën, është se sa më i hapur dhe më mikpritës është vendi nikoqir, aq më mirë është për civilët e zhvendosur, por edhe për qytetarët e atij vendi.

Gjermania është një shembull. Ajo ka pranuar një milion refugjatë sirianë dhe ka bërë që ajo popullsi të jetojë, të punojë dhe të kontribuojë në rritjen e Gjermanisë. Pra, e dimë se komuniteti evropian mund ta përballojë këtë.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Gjermaninë, por ka pasur vende, si Polonia apo Hungaria, që në të kaluarën kanë refuzuar të pranojnë azilkërkues. Përse situata është ndryshe tani?

Jacob Kurtzer: Mendoj se situata është ndryshe për dy arsye. E para, sigurisht që ekziston një element i afinitetit kulturor ose shoqëror me fqinjin. Është parë edhe në kriza të tjera refugjatësh në botë. Vendet fqinje që ndajnë gjuhën ose ndonjë element të historisë së përbashkët, kanë tendenca të jenë më të hapura dhe më mikpritëse ndaj popullatave refugjate. Kjo pjesërisht ndodh edhe për faktin se kur të mbarojë dhuna, është relativisht e lehtë për njerëzit që të kthehen në shtëpitë e tyre.

Arsyeja e dytë, në rastin konkret, mendoj se ka të bëjë edhe me kundërshtarin. Polonia dhe Hungaria kanë përvojën e përballjes me agresionin rus. Dhe kështu mund të ketë një shkallë më të madhe simpatie për ukrainasit, të cilët tani po përjetojnë atë që ato vende e kanë përjetuar në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo krizë do ta ndryshojë mënyrën se si BE-ja e trajton migracionin?

Jacob Kurtzer: Është vështirë të parashikohet. Por, unë mendoj se ne kemi parë tashmë ndryshime masive në mënyrën se si qeveritë në Evropë po mendojnë për të ardhmen e tyre, si në mbrojtje, ashtu edhe në politikë. Andaj, mendoj se është e drejtë të supozohet se kjo [krizë] do ta ndikojë edhe mënyrën se si ato mendojnë për migrimin dhe refugjatët.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Evropën në trajtimin e krizës aktuale me refugjatë?

Jacob Kurtzer: Kam besim se Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të ndërmarrë shumë hapa për t’i mbështetur vendet evropiane që po presin refugjatë ukrainas. Administrata [e presidentit Joe] Biden ka dorëzuar tashmë një paketë në Kongres, me miliarda dollarë të ndara për përgjigjen humanitare.

Mendoj se Shtetet e Bashkuara po punojnë për rregullimin e procesit të vizave, në mënyrë që ukrainasit të mund të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për qëndrime afatshkurtra ose afatgjate, ndërkohë që situata brenda Ukrainës mbetet e paqëndrueshme.

Radio Evropa e Lirë: A shqetësoheni se situata humanitare në Ukrainë mund të rëndohet edhe më shumë në ditët në vijim?

Jacob Kurtzer: Jam thellësisht i shqetësuar. Rusia sulmon infrastruktura civile, njerëz civilë që përpiqen të largohen, hekurudha, transporte, spitale, strehimore. Po shohim skenarin më të keq, ndërsa konflikti është në fazat e hershme. Ideja që konflikti do të kalojë në qendrat urbane, mendoj se është shumë shqetësuese.

Lufta urbane ka efekte vërtet negative për popullatën. Kur ndërpriten sistemet e ujit, të energjisë elektrike dhe të ujërave të zeza, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për dhunën, por edhe për përhapjen e mundshme të sëmundjeve, ose pasigurinë e mundshme ushqimore.

Çfarë e ndryshoi qasjen e Evropës ndaj refugjatëve?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:24 0:00

Radio Evropa e Lirë: Dhe, cila është shkalla e ndihmës humanitare në Ukrainë tani?

Jacob Kurtzer: Ka shumë përpjekje për të rritur angazhimin. Por, sigurisht, organizatat humanitare duhet të shqetësohen edhe për sigurinë e tyre. Kemi parë edhe në këtë konflikt, edhe në konfliktet e Rusisë në të kaluarën se si sulmohen akterët humanitarë. Tani për tani, ka organizata ukrainase që po udhëheqin përgjigjen humanitare, por sigurisht se do të duhet të bëhet më shumë, edhe pse është shumë vështirë të ofrohet ndihmë humanitare kur plumbat dhe bombat vazhdojnë të fluturojnë.

Po bëhen përpjekje, po bëhet punë e mirë, por do të duhet edhe më shumë. Gjëja e parë që duhet të ndodhë është armëpushimi dhe Rusia t’i ndalojë sulmet mbi infrastrukturën civile.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG