Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, në veçanti ato maqedonase, kanë aktualizuar sërish kërkesën për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për njësitë zgjedhore, nga gjashtë sa janë aktualisht, në një njësi zgjedhore.
Kërkesa u paraqit në Grupin e Punës, i formuar për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe ka të bëjë me forcimin e rregullativës ligjore sa i përket transparencës financiare të partive për shpenzimet në fushatë, por edhe për ngritjen e profesionalizmit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Kërkesa për një njësi zgjedhore nga partitë e vogla përsëritet në çdo cikël zgjedhor, por ajo çdoherë është refuzuar nga partitë më të mëdha, kryesisht nga ato shqiptare.
Por, partitë e mëdha maqedonase, Lidhja Social Demokrate në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, tani po e mbështesin kërkesën e partive të vogla për një njësi zgjedhore.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të mbahen në vitin 2024, sipas sistemit aktual me gjashtë njësi.
Në çdo njësi zgjidhen nga 20 deputetë që formojnë Parlamentin e Maqedonisë së Veriut prej 120 vendesh, por partitë e vogla thonë se votat e tyre humben nëpër gjashtë njësitë zgjedhore dhe ua pamundësojnë atyre përfaqësimin në Kuvend.
“Sikur të kishte një njësi, votat do të grumbulloheshin dhe gjasat janë reale që edhe partitë e vogla të përfaqësohen me deputetë në Parlament”, thotë Pavle Trajanov, nga Lidhja Demokratike, i cili mandatin e deputetit e ka marrë në koalicion me LSDM-në.
“Me një njësi zgjedhore, Parlamenti do të ketë një pasqyrë reale në përfaqësimin e qytetarëve. Në çdo proces zgjedhor partitë e vogla humbin 10 deri në 15 mijë vota, sepse në sistemin me gjashtë njësi zgjedhore është shumë e vështirë që partitë e reja apo më të vogla të sigurojnë këto vota në njësitë [aktuale] zgjedhore për të siguruar një deputet”, thotë Trajanov.
Ai konsideron se modeli aktual nuk ofron barazi në zgjedhjen e deputetëve, ngase, sipas tij, një deputet në një njësi zgjidhet me 6.000 vota, ndërsa në tjetrën me mbi 10.000.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë, thotë se modeli zgjedhor duhet të jetë garantues për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në Parlament, por edhe të bashkësive tjera etnike.
Arbër Ademi nga BDI-ja thotë se sikur të ketë miratim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të ketë edhe prag zgjedhor sikurse edhe për lista të hapura.
“Duhet të kemi një model, i cili do të reflektojë më së miri strukturën heterogjene të shoqërisë. Prandaj, jemi të interesuar që të debatojmë, dhe mbi bazën e argumenteve edhe të vendosim. Nëse flasim për një njësi zgjedhore, atëherë duhet të flasim edhe për prag zgjedhor prej pesë për qind, si dhe për lista të hapura”, vlerëson ai.
Edhe partitë tjera shqiptare janë kundër një njësie zgjedhore. Madje, Aleanca për Shqiptarët ka dalë me propozimin për tetë njësi, ndërsa Lëvizja Besa për tri njësi zgjedhore. Asnjëra prej tyre nuk pranon një njësi zgjedhore, siç kërkojnë partitë e vogla maqedonase, të cilat mbështeten edhe nga VMRO-ja dhe LSDM-ja.
“VMRO DPMNE-ja pranon modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore, ku vota do të ketë peshë të njëjtë në gjithë shtetin. Do të kemi përfaqësim më gjithëpërfshirës, Parlament me më shumë parti. Nëse partitë në pushtet dalin me një propozim të tillë, ne do të marrim pjesë në Grupin e Punës”, ka deklaruar deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski.
LSDM-ja ka thënë se e mbështet modelin e tillë, por kjo, sipas saj, nuk do të mund të miratohej pa një konsensus të gjerë mes partive politike.
Lidhja SocialDemokrate edhe më parë ka deklaruar se e mbështet modelin me një njësi zgjedhore, por që kjo të ndodhë, duhet konsensus nga të gjitha partitë politike”, ka deklaruar Bogdanka Kuzeska nga LSDM-ja.
Kërkesa për ndryshimin e modelit zgjedhor me një njësi është paraqitur që në vitin 2015, po nga partitë e vogla politike. Premtime për ndryshimin e modelit ka pasur në vazhdimësi, por ato kanë dështuar për shkak të mosarritjes së një konsensusi politik dhe etnik.
Modeli zgjedhor në Maqedoninë e Veriut ka ndryshuar disa herë.
Dy ciklet e para zgjedhore, në vitin 1990 dhe 1994, ishin mbajtur sipas modelit mazhoritar, pra, numri i njësive zgjedhore ishte i barabartë numrin e vendeve deputetëve të Parlamentit. Në zgjedhjet e treta parlamentare u kalua në sistem të kombinuar mazhoritar me proporcional, që u zbatua deri në vitin 2002, kur vendi kaloi në modelin e ri proporcional me gjashtë njësi zgjedhore.