Ndërlidhjet

Rasti i masakrës së Mejës në gjykatë, por jo edhe të akuzuarit


Një ceremoni përkujtimore te varrezat në Mejë. Prill, 2021.
Një ceremoni përkujtimore te varrezat në Mejë. Prill, 2021.

Seanca fillestare për rastin e masakrës në Mejë dhe në fshatrat tjerë në rajonin e Gjakovës u mbajt të hënën, më 16 qershor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjykimi për këtë rast zhvillohet në mungesë dhe të akuzuarit përfaqësohen nga avokatët e tyre.

Gjyqtarja Violeta Namani-Hajra tha se gjykata nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e të akuzuarve, ndërsa prokurori Ilir Morina tha se është lëshuar urdhër arrestimi ndërkombëtar për ta.

Pas përfundimit të seancës fillestare, mbrojtja e të akuzuarve i ka kohë 30 ditë kohë që të ankohet mbi pretendimet e prokurorisë.

Masakra e Mejës: Nis gjykimi në mungesë i 53 personave
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:44 0:00

Krimi në Mejë dhe në fshatrat përreth ndodhi në prill të vitit 1999, kur u vranë 370 shqiptarë të Kosovës, trupat e të cilëve u gjetën më pas në tetë varreza masive në Batajnicë të Serbisë.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, përfshin 53 persona, ndër të cilët i dyshuari kryesor është Momir Stojanoviq, ish-shef i Departamentit për Siguri në Komandën e Korpusit të Prishtinës, i cili ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Ushtarake dhe të Sigurimit të Serbisë.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Franko Simatoviq “Frenki”, komandant i Njësisë për Operacione Speciale (JSO), e formuar nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Serbisë në fillim të viteve ’90; Sreten Çamoviq, ish-shef i Sigurisë; Verolub Zhivkoviq, ish-shef i Shtabit të Korpusit të Prishtinës; Illija Todorov, ish-komandant i Brigadës së 63-të Parashutiste, dhe Dragan Zhivanoviq, ish-komandant i Brigadës së 52-të Raketore të Artilerisë.

Roli i JSO-së në luftën në Kosovë

Në fillim të dekadës së fundit të shekullit XX, Shërbimi i Sigurimit të Shtetit i Serbisë - i njohur më vonë si Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA - themeloi Njësinë për Operacione Speciale (JSO).

Në atë kohë, ky shërbim drejtohej nga Jovica Stanishiq - njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të presidentit të atëhershëm jugosllav, Sllobodan Millosheviq.

Dorë e djathtë e tij ishte Franko Simatoviq, i njohur si “Frenki”, themelues i JSO-së dhe përgjegjës për koordinimin e njësive paramilitare në frontet e luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në maj të vitit 2023, Gjykata në Hagë dënoi përfundimisht Stanishiqin dhe Simatoviqin me nga 15 vjet burg, për mbështetjen dhe inkurajimin e krimeve të luftës në Bosnje e Hercegovinë, në vitin 1992.

Ata u shpallën fajtorë për krime në Bijelinë, Doboj, Zvornik, Tërnovo, Sanski Most dhe Bosanski Shamac.

Njësia për Operacione Speciale, me këtë emër, mori pjesë edhe në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Në një intervistë për organizatën ndërkombëtare, Human Rights Watch, një polic serb që kishte shërbyer për gjashtë muaj në Kosovë më 1998, i përshkroi pjesëtarët e JSO-së, të njohur edhe si “Frenkistët”, si jashtëzakonisht brutalë.

“Frenkistët i vrasin të gjithë. Besomëni, nuk doni t’i shihni”, kishte deklaruar ai në një intervistë të përfshirë në librin e HRW-së “Me urdhër: Krimet e luftës në Kosovë”, i cili u botua në serbisht në vitin 2003 nga Samizdat B92.

Në mesin e të akuzuarve për krimet në Mejë dhe fshatrat tjerë përreth Gjakovës janë edhe zyrtarë të tjerë të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit të Serbisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët akuzohen për planifikimin dhe zbatimin e operacionit “Reka”, gjatë të cilit u vranë 370 civilë shqiptarë.

Ata akuzohen për vrasje, dhunë fizike dhe seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbim etnik të shqiptarëve.

Çka thotë aktakuza?

Në aktakuzë thuhet, mes tjerash, se secili i pandehur ka pasur rol të caktuar në organizimin dhe koordinimin e forcave nën komandën e tij.

Aksioni ka nisur më 27 prill 1999 dhe ka përfunduar më 29 prill 1999.

Hetimet kanë zbuluar se në fshatin Mejë janë vrarë 270 civilë dhe të pagjetur mbeten 13; në fshatin Korenicë janë vrarë 64 civilë dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Pacaj është vrarë një civil; në fshatin Dobrosh janë vrarë tre civilë; në fshatin Rracaj është vrarë një civil dhe të pagjetur mbeten dy; në fshatin Nec janë vrarë dy civilë; në fshatin Ramoc janë vrarë pesë civilë; në fshatin Bishtazhin janë vrarë gjashtë civilë dhe i pagjetur mbetet një.

Hetimet kanë zbuluar se nga dhuna e ushtruar sistematike nga forcat serbe, banorët nga ky rajon janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, dhe pasi që pasuria e tyre është plaçkitur dhe shtëpitë u janë djegur, ata - të përballur me dhunë fizike dhe kërcënime me vrasje - janë dëbuar në drejtim të Shqipërisë.

Kolonat e njerëzve të dëbuar kanë qenë të detyruara të kalojnë nëpër tri pika kontrolli, të vendosura në fshatrat: Mejë, Korenicë dhe Orizë.

Sipas aktakuzës, forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i kanë ndarë shumë burra nga kolona dhe i kanë vrarë, ndërsa të tjerëve u janë marrë dokumentet e identifikimit, paratë dhe gjërat tjera me vlerë.

Nën fyerje dhe keqtrajtime fizike, ata janë detyruar më pas të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Aktakuza, po ashtu, thekson se krimet e kryera nga të pandehurit, si: vrasje, dëbim i popullsisë civile, plaçkitje e pasurisë, shkatërrim i pasurisë etj., në kohën e kryerjes, janë parashikuar me legjislacionin vendor të Jugosllavisë së atëhershme.

Pjesë të disa dëshmive nga dëshmitarët në këtë rast, mund të lexoni këtu.

Gjyqi në Prishtinë mbahet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata nuk janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Kosovës.

Prokurorja Drita Hajdari, tani në pension, ka deklaruar më herët se rasti i Mejës është trashëguar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili në vitin 2013 ka hapur hetimet ndaj 18 personave.

Ajo ka bërë të ditur se, pas marrjes së lëndës në fund të vitit 2018, prokurorët vendorë kanë vazhduar dhe zgjeruar hetimet edhe ndaj 35 personave të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të akuzuarve në këtë rast në 53.

Në raportin e EULEX-it për monitorimin e sundimit të ligjit, të publikuar në nëntor të vitit 2024, thuhet se aktakuza për krimet në Mejë është rast me përparësi të madhe dhe se përfshin një doktrinë të ndërlikuar ligjore të përgjegjësisë komanduese.

“Për herë të parë trajton edhe shfarosjen e fshatrave të tërë - gjë që e rrit edhe më tej kompleksitetin e saj”, thuhet në raport.

Kandiq: Të akuzuarit ndodhen në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale

Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se krimi në Mejë nuk është sqaruar kurrë mjaftueshëm për t’u sjellë drejtësi viktimave dhe për të kontribuar në vendosjen e drejtësisë pas luftës në Kosovë.

Ajo shton se shumica e trupave të të vrarëve në Mejë dhe në fshatrat përreth, pranë Gjakovës, janë zhvarrosur nga varret masive në kompleksin e policisë në Batajnicë, por se 15 persona të tjerë janë ende të zhdukur.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kandiq thotë se para Gjykatës së Hagës janë paraqitur dhe vërtetuar prova të shumta, të cilat u kanë mundësuar autoriteteve gjyqësore në Serbi t’i fillonin procedurat dhe ta ndiqnin penalisht krimin më të madh në Kosovë, në mënyrë që përgjegjësit të ndëshkoheshin.

Por kjo, siç thotë ajo, nuk ka ndodhur kurrë.

Fondi për të Drejtën Humanitare, shton Kandiq, ka iniciuar rastin e Momir Stojanoviqit, të dyshuarit kryesor për krimet në Mejë, në vitin 2015, dhe më pas, sipas saj, prokurori i EULEX-it ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të, po atë vit.

Ajo thotë se Fondi për të Drejtën Humanitare i ka kërkuar Prokurorisë për Krime Lufte në Serbi t’i niste hetimet, por se përgjigjja ka qenë “zhgënjyese” - se Momir Stojanoviq “nuk figuron në dokumentacionin dëshmues”.

“Krimi është i tmerrshëm, krimi është më i madhi [në Kosovë]. Vetëm përfaqësuesit më të lartë të Korpusit të Prishtinës të Armatës së Tretë janë mbajtur përgjegjës për atë krim, por ekziston një listë shumë e gjatë e atyre që i përkasin atij rangu oficerësh, me pozicione të rëndësishme... dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës”.

“Të gjithë janë në Serbi, disa prej tyre janë në pension, por të gjithë janë në Serbi, të mbrojtur nga përgjegjësia penale, sepse nuk ka vullnet politik për t’i ndëshkuar, sidomos ato krime në Mejë, Korenicë dhe fshatra të tjerë pranë kufirit me Shqipërinë”, thotë Kandiq.

Gjykimi në mungesë

Gjykimi në mungesë në Kosovë është mundësuar me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në vitin 2022, por vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, Kodi i Procedurës Penale përcakton se personat që gjykohen në mungesë, për shkak se autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur pesëmbëdhjetë aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Aktgjykimi i parë në mungesë u dha në dhjetor të vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullatës civile, të kryera midis janarit dhe majit të vitit 1999 në territorin e komunës së Shtimjes në Kosovë.

“Gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi”

Kandiq vlerëson se “kur politika e zëvendëson ligjin, atëherë nga drejtësia penale kemi gjykime në mungesë”.

“Për ata që nuk janë të disponueshëm, për ata që janë në Serbi, jeta e mëtejshme do të jetë e tillë që nuk do të mund të lëvizin askund, jashtë Serbisë, sepse do të arrestohen. Sa i përket drejtësisë, lind pyetja nëse gjyqësori i Kosovës do të jetë në gjendje t’i provojë krimet kundër të të gjithë të akuzuarve, nëse gjyqi do të duket si një forum ku do të dëgjohen vetëm rrëfimet e viktimave, pa asnjë komunikim me autoritetet gjyqësore të Serbisë”, thotë Kandiq.

Ajo shton se gjykimet në mungesë nuk sjellin drejtësi, nëse nuk ka bashkëpunim institucional midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje për këtë bashkëpunim brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, “në mënyrë që të ngrihen aktakuza të dokumentuara dhe me cilësi të lartë dhe që mund të çojnë në rezultate efektive në praktikë”.

Në të kundërtën, thekson Kandiq, gjykimet në mungesë nuk do të sjellin ndryshime të mëdha, përveç faktit se edhe Kosova, edhe Serbia do t’i mbrojnë qytetarët e tyre të dënuar për krime lufte.

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se gjykimet për krime lufte në mungesë “shkojnë kundër standardeve evropiane për gjykime të drejta”, sepse të akuzuarit nuk janë në gjendje ta mbrojnë veten.

Në proceset gjyqësore në mungesë në Kosovë, të akuzuarit përfaqësohen nga avokatë të caktuar me detyrë zyrtare.

“Për ne, ky nuk është gjyq i drejtë”, ka thënë Blakaj, duke shtuar se vendimet në mungesë janë “drejtësi e rreme” për viktimat ose anëtarët e familjeve të tyre, të cilët, fillimisht, mund të ndihen të lehtësuar, por, me kalimin e kohës, do të mbeten të zhgënjyer, pasi të dënuarit do të vazhdojnë të jenë të lirë.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende në kërkim.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG