Ndërlidhjet

“Edhe unë kam ëndrra” 


Yllka Berisha gjatë protestës në Prishtinë.
Yllka Berisha gjatë protestës në Prishtinë.

Yllka Berisha është psikologe me profesion dhe jeton në Prizren. Ajo është e verbër, por ky fakt nuk e ka penguar që t’i përfundojë studimet dhe që të përpiqet të gjejë një vend pune. Këtë gjë nuk e ka arritur ende.

“Nuk kam pasur mundësi të punësohem për shkak të dëmtimit në të parë që unë e kam”, thotë Berisha.

Të martën, më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Yllka udhëtoi drejt Prishtinës për të protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës, kundër diskriminimit të grave me nevoja të veçanta në Kosovë.

Yllka Berisha gjatë protestës në Prishtinë.
Yllka Berisha gjatë protestës në Prishtinë.

Derisa mban në dorë një pankartë, në të cilën shkruan “Edhe unë kam ëndrra”, Yllka thotë se gratë si ajo janë të diskriminuara së pari në familje, pastaj gjatë shkollimit, por edhe në vendet e tyre të punës.

“Femrat me nevoja të veçanta janë shumë më të ndjeshme, sepse normalisht që hasin nëpër problematika të ndryshme. Akoma jemi të margjinalizuara në njëfarë forme”, thotë Berisha.

Në Kosovë nuk ka shifra të sakta se sa është numri i përgjithshëm i personave me nevoja të veçanta.

Të dhënat zakonisht bazohen në statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që thonë se rreth 10 qind të popullatës së një shteti e përbëjnë personat me nevoja të veçanta.

Bazuar në Ligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, çdo punëdhënës në sektorin publik apo privat në Kosovë ështëi obliguar të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtorë.

Por, ky ligj gjen fare pak zbatim në praktikë.

Yllka Berisha thotë se nga kontaktet që ka me gratë me nevoja të veçanta, shumica prej tyre nuk kanë punuar, por as nuk kanë mundur të japin kontributin e tyre në fushat, në të cilat kanë ekspertizë.

“Komuniteti ynë, i personave me nevoja të veçanta, nuk e ka pasur mundësinë që të japë kontributin aty ku duhet, edhe pse e kemi shkollimin dhe edhe pse jemi të kualifikuar”, thotë Berisha.

Yllka Berisha
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:27 0:00

Qeveria zotohet të plotësojë kuotën këtë vit

Më 23 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se ka marrë vendim që i obligon organet e administratës shtetërore që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën për punësimin e personave me nevoja të veçanta.

“Organet e administratës obligohen që të ndërmarrin veprime për të siguruar qasjen në institucione për të punësuarit me aftësi të kufizuara në pajtim me Ligjin për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti, më 23 shkurt, 2022.

Viti 2022 është shpallur nga Qeveria e Kosovës viti i personave me nevoja të veçanta.

Përveç integrimit në punësim, inkuadrimi i personave me nevoja të veçanta mbetet sfidë edhe në sistemin arsimor.

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta as për numrin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Megjithatë, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) llogaritet se janë rreth 43 mijë dhe rreth 38 mijë prej tyre llogaritet që janë jashtë sistemit arsimor.

Shkollimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është i obligueshëm me ligj në Kosovë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG