Hylkije Maxhuni është 35 vjeçare dhe jeton në Prishtinë.
Ajo është psikologja e parë e verbër, e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në vitin 2009.
Hylkija jeton me sfidën e mungesës në të pamur. Ajo nuk kishte lindur e verbër, por ishte një sëmundje që i shkaktoi verbërinë.
Përkundër kësaj sfide, nga momenti që iu dha mundësia, ajo punon rregullisht dhe nuk ndalet nga aktiviteti i saj ditor.
Statistikat tregojnë se aktualisht janë rreth 4 mijë persona të verbër dhe me të parë të dobësuar, që jetojnë në Kosovë.
Kosova, njihet si një vend ku ka mungesë të infrastrukturës dhe kushteve për një jetë sa më të rehatshme për këtë kategori të shoqërisë.
Deri në vitin 2012, Hylkija nuk ka pasur mundësi punësimi. Ndërkohë ajo ka përfunduar edhe 6 nivele të kursit të gjuhës angleze dhe trajnimin e teknologjisë informative, për avancim në tregun e punës.
Në vitin 2012, Hylkije Maxhuni ka pasur fatin të punësohet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në kabinetin e informatikës për studentët e verbër.
Në kabinetin ku zonja Maxhuni punon, studentët mund të përgatiten përmes leximit për provimet e tyre, në mënyrë elektronike, me CD dhe alfabetin special për persona të verbër i njohur me emrin, braj.
Ky alfabet aktualisht është i pranuar në gjithë botën dhe i modifikuar e përshtatur, sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme.
“Unë kam bërë përvojë në punën time dhe është kënaqësi tashmë për mua kjo punë. Mendoj se nuk është vështirë. Sa i përket bashkëpunimit me studentët, unë mundohem t’ju ndihmojë. Kryesisht kërkesat e tyre janë lidhur me literaturën”.
“Unë mendoj se gjithë njerëzit pavarësisht aftësive të kufizuara, mund të punojnë dhe kontribuojnë për familjen dhe shoqërinë, por duhet tu jepet rasti”, ka thënë Maxhuni.
Sa i përket teknologjisë për personat e verbër, ajo thotë se tani teknologjia ka avancuar dhe studimi është shumë më i lehtë. Kompjuterët mund të përdoren përmes instalimit të një programi XHOZ, si dhe përmes alfabetit braj.
Zonja Maxhuni flet edhe për jetën e saj para se të punësohej. Ajo periudhë për të, kryesisht kujtohet si një episod mjaftë e vështirë e jetës.
“Para se të punësohesha, e kam pasur jetën shumë më të vështirë. Ndonëse ka qenë i vështirë punësimi unë ia kam arritur. Tash është miratuar edhe ligji për personat me nevojat e veçanta, por mendoj se duhet ta zbatojnë institucionet. Aty shkruan që çdo i 50-ti punëtorë i punësuar në institucione publike, duhet me qenë me nevoja të veçanta. Por, kjo nuk po zbatohet aq sa duhet”, thekson Maxhuni.
Pavarësisht sfidave të jetës, zonja Maxhuni inkurajon të gjithë personat me nevoja të veçanta që të angazhohen deri në arritjen e synimeve të tyre. Ajo flet edhe për përpjekjet e saja për të siguruar literaturë për personat e verbër që dëshirojnë të studiojnë.
“Ka shumë studentë të verbër që studiojnë. Sa i përket literaturës unë kam bërë përpjekje, duke shkuar edhe në bibliotekën në Pejë, duke sjellë tituj të ndryshëm. Përveç librave universitare, që janë disa në CD e disa me alfabetin braj, gjithashtu kemi edhe revistat mujore ‘’Syri ynë’’ dhe ‘’For you’’, që informohemi për ngjarjet mujore”, ka theksuar Maxhuni.
Sidoqoftë sipas statistikave të zyrtarëve që merren me problematikën e personave të verbër, aktualisht janë rreth 2 për qind e personave të verbër që janë të punësuar në Kosovë.
E në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, zyrtarë të lartë kanë deklaruar disa herë për Radion Evropa e Lirë se nuk është Ministria e Arsimit ajo që duhet t'u sigurojë studentëve të verbër literaturë me alfabetin braj.
Sipas tyre në raste të caktuara në disa fakultete u kanë ndihmuar studentëve, por kjo nuk është e rregulluar në nivel gjithë-shtetëror, që secili student i verbër që studion ta ketë literaturën me braj alfabet.