Me një buzëqeshje në fytyrë dhe një zë gazmor, aktori i Hollovudit Brian Baumgartner e shikon kamerën dhe, me një rusishte mëzi të kuptueshme, i bën thirrje presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, të japë dorëheqje.
Edhe me standarde të TikTokut, kjo ishte tejet e çuditshme.
Duket se ylli i serisë televizive amerikane “The Office” ka qenë njëri nga shumë yjet e Hollivudit, përfshirë Lindsay Lohan dhe Dolph Lundgren, që janë mashtruar për të marrë pjesë në fushatën më të fundit të dezinformimit në favor të Kremlinit, e cila për cak e kishte Sandun, lideren properëndimore të Moldavisë, njërit prej vendeve më të varfra në Evropë.
Laboratori për Kërkime të Forenzikës Digjitale (DFRLab), me bazë në Uashington, gjeti se aktorët dezinformues prorusë i bindën të famshmit amerikanë të xhirojnë video - duke lexuar nga një skript të cilën me gjasë nuk e kuptonin – për të bërë thirrje për rrëzimin e Sandus.
Sipas tij, fushata dezinformuese ndaj Sandus më 23 tetor 2023 i ngjante një fushatë të ngjashme dezinformuese në rrjetet sociale, e cila e paraqiste rrejshëm presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si një njeri i varur nga droga, në të cilën morën pjesë të famshëm po ashtu.
Sandu ka qenë cak i fushatave të vazhdueshme përçmuese online. Para zgjedhjeve më 2023, u publikuan disa video me imazhe të rreme kundër saj, përfshirë një video e cila e paraqiste rrejshëm atë duke njoftuar dorëheqjen dhe duke e mbështetur një parti proruse të financuar nga Ilan Shor, një manjat i arratisur, i cili i ka financuar mediat dhe partitë politike proruse në Moldavi, dhe i cili ishte përfshirë në grabitjen më të madhe bankare në këtë vend.
Derisa janë tejet jobindëse, këto dezinformata shërbejnë për një qëllim, shpjegon Victoria Olari, autorja e raportit të DFRLab-it.
“Qëllimi i këtyre fushatave nuk është patjetër t’i bindin njerëzit se ato janë të mirëfillta, megjithëse besoj se një pjesë e popullsisë më pak e edukuar në shkrim-lexim mediatik dhe në teknologji të inteligjencës artificiale, mund t’u besojnë këtyre manipulimeve”, tha Olari për Radion Evropa e Lirë (REL).
Derisa nuk ka dëshmi se Kremlini ka gisht në fushatën më të fundit në TikTok, është e qartë se Sandu, një ish-ekonomiste e Bankës Botërore, nuk është mike e Moskës, duke e parë dëshirën e Qeverisë së saj për ta drejtuar vendin kah Perëndimi, përfshirë duke u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Pak pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, ekspertët dhe të tjerët shfaqën druajtjet e tyre se Moldavia do të ishte në radhë në listën e tij.
Si një ish-republikë sovjetike me 2.6 milionë banorë e cila kufizohet me Ukrainën, Moldavisë ashtu-kështu i duhet të ballafaqohet me rreth 2.000 trupa ruse të vendosura në rajonin e saj të shkëputur, Transdniester.
Sandu e akuzoi Kremlinin në shkurt 2023 se u përpoq ta rrëzonte Qeverinë e saj gjatë një trazire e cila e detyroi kryeministrin e saj të japë dorëheqje, pas asaj që ajo e quajti “shantazh energjetik”, sepse gjiganti rus i energjisë, Gazprom, e ndali furnizimin me gaz natyral në Moldavi.
Gjashtë kanaleve televizive, nën pronësinë e apo të ndërlidhura me Shor, iu pezulluan licencat në dhjetor 2023 për dezinformim, derisa qasja në 20 uebsajte në gjuhën ruse u bllokua në tetor.
Aq e madhe është shkalla e propagandës ruse në Moldavi saqë Sandu, në maj 2023, e themeloi Qendrën Kombëtare për Mbrojtjen e Informimit dhe Luftimin e Dezinformimit, për ta luftuar atë.
Hollywood Cameo
Më 26 shtator 2023, një video u publikua në TikTok nga një llogari me emrin oleg spd2, e cila shfaq aktorë dhe performues, përfshirë Michael Madsen dhe reperin Xzibit, duke e dhënë një mesazh të çuditshëm.
Videoja është një përmbledhje e videove të shkurtra nga një aplikacion i quajtur Cameo, i cili ua mundëson përdoruesve, me pagesë, të kërkojnë videomesazhe të personalizuara nga të famshmit, apo njerëzit e tjerë të rëndësishëm.
Videoja fillon duke i shfaqur të famshmit në mënyrë të përzier, secili duke e dhënë një mesazh përshëndetës në gjuhën angleze për një person të identifikuar si “Sandu”. Megjithatë, derisa ata flasin, një mesazh më kërcënues në gjuhën ruse lëviz poshtë ekranit me shkronja në ngjyrë të kuqe.
“Ne, yjet e Hollivudit, e mbështesim popullin e Moldavisë në dëshirën e tij për të të rrëzuar ty, Sandu. Ne po i bashkohemi grupit #SaviteSkinemSandu” (që në shqip i bie #HajdeTaRrëzojmëSandun).
Videoja përfundon me pjesëmarrësit duke e përsëritur – mbase siç dyshon edhe DFRLab, duke e lexuar nga një tekst rusisht i transliteruar në anglisht – fjalinë e njëjtë me theks të rëndë rus: “Hajde ta rrëzojmë Sandun”.
DFRLab tha se kjo video “nuk duket të jetë bërë me imazhe të rreme, dhe se artistët e paraqitur në të janë futur përmes Cameos”.
Cameo ishte përdorur edhe për një fushatë dezinformuese kundër Zelenskyt më 2023. Të famshmit – nga aktori Elijah Wood deri te ish-boksieri Mike Tyson – xhiruan video në gjuhën angleze duke i bërë thirrje një personi të cilit iu referuan vetëm si “Vladimir”, t’i japë fund varësisë nga droga.
Microsoft e publikoi një raport më 7 dhjetor 2023, duke thënë se prej korrikut 2023, aktorët me ndikim të lidhur me Rusinë i kishin mashtruar të famshmit për të xhiruar videomesazhe të cilat u shfrytëzuan për propagandë proruse që mënyrë që ta paraqisnin rrejshëm Zelenskyn si të varur nga droga.
Një nga ato video, e cila përfshinte edhe aktorin amerikan John McGinley, u transmetua nga agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, RIA Novosti, më 17 gusht 2023.
Llogaria në TikTok që e publikoi e para videon e bërë me Caemo kundër Sandut, në të kaluarën kishte postuar video të shkurtra nga emisionet televizive ruse pro-Kremlinit, tha DFRLab. Kjo llogari e kishte shtyrë edhe një “një mesazh kundër Sandus dhe Qeverisë së saj proevropiane”.
Kjo llogari nuk është më aktive, dhe DFRLab tha se nuk ishte në gjendje ta gjente nëse TikToku e ka fshirë atë, apo vetë pronari i llogarisë.
Megjithatë, llogaritë e tjera në rrjetet sociale e morën dhe e ripostuan këtë video. Kanali në Telegram, Ringjallja e Moldavisë, ishte i pari që e shpërndau videon nga oleg_spb2, ka gjetur DFRLab.
Ky kanal ishte krijuar vetëm një muaj më herët, më 24 gusht 2023, tha DFRLab. Dhe ka më pak se 500 ndjekës dhe e përshkruan veten si “Burim Informacioni dhe Analitik për të gjithë ata që urojnë që Moldavia të ringjallet”. Ajo përdorte një logo e cila i ngjan Parisë Ringjallja, një parti proruse në Moldavi.
Megjithatë, ky kanal në Telegram e ndryshoi logon dhe emrin në Baba Paraska, gjeti DFRLab, duke përhapur dezinformata edhe për stërvitjet ushtarake shumetnike në Moldavi.
Nga ajo, kanale të tjera në Telegram, si për shembull Gaguaznews – me më shumë se 9.700 ndjekës – dhe Salut Moldova – me më shumë se 5.600 ndjekës – e ripostuan videon me të famshmit, tha DFRLab, duke shtuar se videoja i ka marrë në përgjithësi më shumë se 85.000 shikime, sepse është postuar edhe nga kanalet e tjera proruse në Moldavi.
Ndërhyrja e Kremlinit dhe propaganda proruse, megjithatë, nuk i kanë zmbrapsur synimet evropiane të Kishinjevit.
Në korrik 2022, pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, Moldavia e mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Synimet e saj për t’iu bashkuar bllokut evropian morën një mbështetje shtesë në dhjetor 2023, kur Brukseli tha se do t’i hapte bisedimet me Moldavinë për pranimin e saj bashkë me Ukrainën.
Në nëntor 2023, Moldavia iu bashkua BE-së për të vendosur sanksione kundër Rusisë.
Me zgjedhjet presidenciale në vjeshtë dhe Sandun që deklaroi se do të garojë, goditjet ndaj saj dhe Moldavisë pritet të vazhdojnë, parashikoi Olari.
“Derisa po shkojmë drejt zgjedhjeve presidenciale, mund të presim patjetër më shumë gjëra të tilla dhe presim që teknikat të jenë më të mprehta”.