Ndërlidhjet

Protesta në Ohër kundër Carit bullgar


Pamje nga protesta e 7 tetorit në Ohër.
Pamje nga protesta e 7 tetorit në Ohër.

Në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut të premten është hapur një klub bullgar, i emërtuar “Car Borisi i Tretë”, i cili ka sunduar me Bullgarinë deri në vitin 1943, duke u rreshtuar përkrah Gjermanisë Naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Përurimi i klubit të dytë në këtë qytet brenda këtij viti ka nxitur protesta nga qindra ithtarë të opozitës maqedonase dhe qytetarë të tjerë, të cilët kërkojnë mbylljen e klubeve të tilla që i konsiderojnë si provokim të hapur për hebrenjtë që ishin torturuar dhe dëbuar nga Maqedonia e Veriut gjatë pushtimit të saj nga ushtarët e Car Borisit III.

Klubi është hapur nga një shoqatë bullgare me emrin e Car Borisit III dhe drejtohet nga Tome Bllazheski. Ai thotë se është bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriut.

Bllazheski hodhi poshtë pretendimet e protestuesve se janë shoqatë neo-naziste apo se kanë bashkëpunim apo synime me lëvizjet antisemitiste.

“Shoqata jonë u krijua për të ruajtur dhe ushqyer kulturën bullgare, për të respektuar figurën dhe veprën e Car Borisit III. Ne kemi hapur shoqatën duke respektuar ligjet e vendit. Ne e kemi thënë edhe më parë se nuk jemi shoqatë naziste dhe me kohë i kemi dënuar të gjitha veprimet që janë bërë më parë ndaj popullit hebre, për të cilin kemi respekt të lartë. Nëse jemi shoqatë që mbështet fashizmin le të na gjykojnë, por ne nuk kemi bërë diçka të tillë. Më vjen keq që rasti po politizohet. Ne po respektojnë Car Borisin, si carin e fundit të Bullgarisë, asgjë tjetër nuk po bëjmë”, ka deklaruar Bllazheski.

Por, drejtuesit e opozitës maqedonase, VMRO DPMNE-së dhe partisë “E Majta”, në protestën që u mbajt para klubit bullgar, thanë se “bëmat e Car Borisit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë të dokumentuara”.

“Dokumentet zyrtare që flasin për të vërtetën e Luftës së Dytë Botërore gjenden në Qendrën Memoriale të Holokaustit, por edhe në Qendrën Memoriale të Uashingtonit, në qendrat në Izrael dhe gjithandej... Në dy vitet e fundit nga pala bullgare kemi përpjekje të vazhdueshme për revidimin e historisë apo shtrembërimin e së vërtetës për hebrenjtë në Maqedoni”, ka deklaruar Rashela Mizrahi, deputete e VMRO DPMNE-së, dhe përfaqësuese e komunitetit hebre në Maqedoninë e Veriut.

“Hebrenjtë e Maqedonisë janë pjesë e familjes evropiane, andaj ngjarjet e këtilla, me hapjen e klubeve të tilla, besoj se për mua dhe të gjithë të tjerët janë të papranueshme dhe paraqesin provokim serioz. Kjo paraqet tentim për të rrënuar luftën antifashiste të popullit maqedonas. Kjo nuk është vlerë evropiane, andaj duhet t’i jepet fund pasi në të kundërtën nuk do të kenë fund përpjekjet për të ridefinuar historinë”, tha Mizrahi.

Sikur më parë, edhe tani drejtuesit institucioneve mbeten në qëndrimin se organet kompetente duhet që të analizojnë legjislacionin, i cili nuk ndalon përdorimin e emrave gjatë themelimit të shoqatave të ndryshme. Më herët, kryeministri Dimitar Kovaçevski pasi kishte dënuar hapjen e një klubi të tillë në qytetin e Manastirit me emrin “Vanço Mihajlov”, kishte deklaruar se zgjidhjen e problemit e sheh në përgatitjen e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG