Dhjetëra projektligje nuk po mund të miratohen për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Projektligjet që nuk janë miratuar përfshijnë sfera të ndryshme nga ekonomia, infrastruktura, sfera sociale, pastaj emërimet në shumë institucione, përfshirë edhe zgjedhjen e disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila tani një kohë nuk punon për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjendja e krijuar në Kuvend është pasojë e mungesës së një shumice stabile, e cila numëron 64 deputetë nga 120 sa ka gjithsej Kuvendi dhe mungesa e ndonjërit prej tyre, në rast kur nuk merr pjesë edhe opozita, e bën të pamundur mbajtjen e seancave. Për këtë partitë akuzojnë njëra-tjetrën.
“Deputetët e shumicës kanë vullnet dhe po bëjnë përpjekje që seancat të mos dështojnë, por kjo nuk ndodh edhe me VMRO-në opozitare, e cila bën obstruksione, pengon miratimin e ligjeve, të cilat për një kohë të gjatë janë në procedurë parlamentare. Deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm pasi janë zgjedhur nga populli për t’i përfaqësuar interesat e tyre dhe jo për të bojkotuar apo për të penguar mbajtjen e seancave”, ka deklaruar Snezhana Kaleska Vançeva, deputete e Lidhjes Social Demokratike.
Por, nga opozita thonë se partitë në pushtet fajin duhet ta kërkojnë në mesin e tyre dhe jo tek opozita, e cila ka në procedurë shumë propozime por që nuk vendosen në rend dite.
“VMRO-ja punon dhe mbetet e përkushtuar që të jetë në shërbim të qytetarëve. Deputetët e opozitës janë çdo ditë në Kuvend dhe e bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet. Problemi qëndron te partitë e koalicionit, të cilat nuk mund të merren vesh mes tyre për pazaret dhe interesat e tyre biznesore”, ka deklaruar Dimce Arsovski nga VMRO DPMNE-ja.
Puna jofunksionale dhe jocilësore e Kuvendit është kritikuar edhe nga njohësit e çështjeve politike dhe organizatave që merren me monitorimin e punës së institucionit ligjvënës.
Aleksandra Jovevska-Gjorgjeviq nga Instituti për Demokraci “Socielas Civilis” thotë se një hulumtim i kësaj organizate flet për cilësi të dobët në punën e Kuvendit.
“Ky nivel i ulët i debatit cilësor në Kuvend është i pranishëm gjatë dy vjetëve të fundit. Mungon transparenca, shumë ligje nuk janë miratuar, ndërsa është mbajtur vetëm një seancë me pyetje të deputetëve drejtuar Qeverisë. Shumë nga qëndrimet e deputetëve janë të dobëta ose aspak të argumentuara. Nuk ka debat të mirëfilltë në punën e Kuvendit dhe kjo ia ulë cilësinë”, thotë Jovevska-Gjorgjeviq.
Ajo që po ndodh në Kuvend flet për mungesën e seriozitetit dhe të përgjegjësisë së atyre që janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.
“Kemi një ngërç serioz, i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në vetë jetën e qytetarëve. Pra, nëse nuk kemi një përfaqësim të denjë të qytetarit në Kuvend, atëherë në fakt nuk kemi trajtim apo adresim të problemeve të tyre në institucionin më të lartë ligjvënës”, thotë Neziri.
Ai thotë se në situata normale zgjidhja mund të kërkohej në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por në situatën e tanishme të krizës së rëndë ekonomike si pasojë e konfliktit në Ukrainë që po rrezikon paqen dhe stabilitetin më gjerë, ato më shumë do të ishin një luks i panevojshëm që mund të ndërlikojë edhe më shumë krizën politike.
Daljen nga kjo situatë, Neziri e sheh në ndërgjegjësimin e të gjitha partive, se vendi nuk duhet të hyjë në kriza të reja, por të ketë lëshime, si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, kur bëhet fjalë interesat e qytetarëve dhe të shtetit, në përgjithësi.
“Mendoj se Qeveria, partitë e shumicës në Kuvend duhet të jenë më gjithëpërfshirëse, më të hapura, të gatshme për dialog me opozitën me qëllim që në çdo vendim dhe në çdo ligj apo akt që do të miratohej në Kuvend, të merrej parasysh edhe qëndrimi dhe interesimi opozitës. Pra, një unifikim të spektrit politik brenda Kuvendit, unifikim i cili jo domosdo do të nënkuptonte një qeveri të një formati tjetër apo të një koalicioni të gjerë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike.
Që nga konstituimi i përbërjes aktuale të Kuvendit, më 4 gusht të vitit 2020, 21 seanca ende nuk kanë përfunduar nga gjithsej 67 sa janë mbajtur.
Facebook Forum