Rusia thotë se nuk kishte planifikuar të sulmonte ndonjë objektiv në Poloni
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dronët e saj kanë kryer një sulm të madh ndaj ndërtesave ushtarake në perëndim të Ukrainës, por pretendoi se nuk kishte planifikuar që të godiste ndonjë objektiv në Poloni.
Kjo ministri tha se forcat e saj kanë arritur të shënjestrojnë të gjitha caqet gjatë këtij sulmi, duke theksuar se dronët rusë “që pretendohet se kaluan kufirin me Poloninë” kanë një rreze veprimi jo më shumë se 700 kilometra.
“Gjithsesi, ne jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime me Ministrinë polake të Mbrojtjes për këtë çështje”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
SHBA thotë se qëndron pranë aleatëve të NATO-s pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, tha të mërkurën se Uashingtoni qëndron pranë aleatëve të tij, pasi dronë rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës dhe u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e NATO-s.
“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, shkroi në X i dërguari amerikan në aleancë, Matthew Whitaker.
Gjermania e cilëson “incident shumë serioz” shkeljen e hapësirës polake nga Rusia
Qeveria gjermane tha se shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë është një “incident shumë, shumë serioz”.
Autoritetet gjermane janë në kontakt me homologët në Poloni, tha zëdhënësi i Qeverisë në Berlin, Sebastian Hille.
Kjo ngjarje “tregoi edhe një herë se me çfarë lloj kërcënimi po përballemi dhe sa shumë Rusia po na teston”, tha Hille.
Ai tha se është e kuptueshme kërkesa e Polonisë për të aktivizuar nenin 4 të traktatit të NATO-s.
“Sipas nesh, kjo është plotësisht e justifikueshme dhe vë në pah se sa seriozisht ne si aleatë duhet ta marrim këtë incident”.
Ndërkaq, në një konferencë për media në Berlin ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se Rusia ka ndërmarrë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
“Pas tre vjetësh luftë në Ukrainë, Moska ende nuk është e gatshme që seriozisht të negociojë. Është e kundërta. Kremlini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën me çdo mjet të mundshëm. Ne duhet dhe do të hapim një përgjigje të qartë për këtë”, theksoi kryediplomati gjerman.
Ku janë bazat ushtarake amerikane në Evropë?
Shtetet e Bashkuara kanë prani ushtarake nëpër disa vende të Evropës, përfshirë në Poloni, shtet anëtar i NATO-s që rrëzoi disa dronë rusë mëngjesin e 10 shtatorit.
Shikoni infografikën e mëposhtme për të kuptuar se në cilat shtete gjenden bazat amerikane.