Duda Bale thotë se nuk e voton kandidaten e LVV-së
Kryetarja e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Bale, tha se ajo nuk do ta votojë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
“Unë i qëndroj qëndrimit të partisë sime, ne nuk e ndryshojmë qëndrimin”, tha ajo.
Rinis seanca konstituive
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës po vazhdon për të gjashtën herë sot, rreth gjysmë orë pas orarit të nisjes.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se të pranishëm janë 119 deputetë.
Në vazhdim pritet të propozohet sërish Albulena Haxhiu për postin e kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës.
Konjufca propozon sërish Haxhiun
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, propozoi sërish Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares së Kuvendit të Kosovës.
Ai u kërkoi votën edhe partive të tjera, duke u thirrur në tentim për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo është hera e katërt që Haxhiu propozohet për këtë post, pasi nuk ka arritur asnjëherë të sigurojë 61 votat e nevojshme.
S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e gjashtë
Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të premten në përpjekjen e gjashtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.
Haxhiu i mori 57 vota për, katër më pak se minimumi prej 61 votave të nevojshme për t'u emëruar.
Haxhiu nuk u votua për kryetare në katër seanca radhazi.