Ndërlidhjet

Albulena Haxhiu
Albulena Haxhiu

S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e gjashtë

Deputetët dështuan për herë të gjashtë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.

Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

Albulena Haxhiu, për herë të katërt, i mori vetëm 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t'u zgjidhur.

Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 27 prill në orën 10:00.


08:44 25.4.2025

Përshëndetje të nderuar lexues,

Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e nisur më 15 prill.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë do t’ju sjellë në kohë reale zhvillimet lidhur me tentimin e gjashtë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

08:51 25.4.2025

Çfarë pritet të ndodhë në seancën e sotme?

Në seancën e sotme, deputetët duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët në mënyrë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.

Haxhiu dështoi të emërohej në tri tentimet e kaluara, pasi secilën herë i mori vetëm 57 vota nga 61 të nevojshme.

Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Në rast se Kuvendi konstituohet sot në përpjekjen e gjashtë, atëherë do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

09:26 25.4.2025

Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidatura e Haxhiut

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka ndërruar emri”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari, një natë para vazhdimit të seancës.

Dehari po ashtu tha mbrëmjen e së enjtes se nuk ka thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive.

“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, tha Dehari.


09:29 25.4.2025

Pse po kundërshtohet Haxhiu?

Emri i Albulena Haxhiut u hodh në votim tri herë, por në asnjërin rast ajo nuk arrit t’i marrë 61 votat e nevojshme për t’u bërë kryeparlamentare e Kosovës.

Haxhiu konsiderohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si figurë përçarëse, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzon të votojë çdo emër të propozuar nga fituesja e zgjedhjeve parlamentare, LVV-ja.

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) i sheh të dyja këto si motive të mundshme.

“Nga njëra anë, ato [partitë politike] duket se kanë një lloj rehatie me situatën, dhe nuk iu bëhet vonë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Por, nga ana tjetër, shihet se kanë edhe një mospëlqim për emrin e caktuar, të zonjës Haxhiu”, thotë Gërgi për Radion Evropa e Lirë.

Më shumë rreth kësaj teme mund të lexoni në tekstin më poshtë:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG