Krasniqi: VV-ja s’do ta zhbllokojë procesin, po mban peng shtetin
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje qëllimshëm nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pasi që nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.
“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.
Ai tha se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.
“Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti”, tha Krasniqi.
Ai tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të ishte të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në maj të këtij viti.
Krasniqi shtoi se përveç Haxhiut, ka edhe emra të tjera nga LVV-ja që PDK-ja nuk do i votonte për postin e kryeparlamentarit, por nuk pranoi të emëronte ata.
Murati: Haxhiu mbetet kandidatja jonë për kryetare
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së votave dhe kundërshtimeve.
“Kuvendit kemi dashur t’ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi ynë që nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë”, tha ai.
Ai tha se kundërshtimet ndaj kandidaturës së Haxhiut “janë më shumë taktika sesa ndonjë arsye konkrete”.
Murati u bëri thirrje partive të tjera parlamentare të “reflektojnë”.
Limaj: Vetëvendosje të lëshojë rrugë
Deputeti dhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i ka bërë thirrje partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, t’ua hapë rrugën partive të tjera parlamentare për formimin e institucioneve të reja.
“Besoj se tashmë është bërë e qartë se partia që i ka fituar zgjedhjet nuk i ka votat dhe është koha të lëshojë rrugë për të krijuar një shumicë e cila do t’i themelonte institucionet”, tha Limaj për gazetarë.
Ai tregoi se partia e tij nuk ka marrëveshje politike me asnjë parti.
Haxhiu: Jemi të gatshëm të flasim për datën e zgjedhjeve
E propozuara e LVV-së për postin e kryeparlamentares, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet, siç po ndodh që gjashtë herë, “atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje”.
“Duket që ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi i Koovës, por ne jemi shumë të gatshëm që t’i presim partitë politike që të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.
E pyetur nëse do të tërhiqej nga kandidatura për postin e kryeparlamentares pas dështimit për të katërtën herë sot, ajo tha se “Vetëvendosja e ka qëndrimin e qartë”.
Përfaqësuesit e LVV-së kanë instituar në kandidaturën e Haxhiut, duke thënë se nuk u takon partive të tjera ta përcaktojnë propozimin e LVV-së.