Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ende nuk ka arritur të konstituohet.
Nagavci: U bëjmë thirrje partive ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje partive parlamentare ta votojnë kandidaten e partisë së saj për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se Vetëvendosje nuk e ka “asnjë dyshim” se Haxhiu është kandidatja e duhur.
“Secila parti ka të drejtë të zgjedhë kandidatët qoftë për kryeparlamentar, qoftë për nënkryetar. Jemi vonë me konstituimin e Kuvendit dhe u bëjmë thirrje të gjitha partive që kanë marrë besimin e qytetarëve ta mundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Nagavci.
Rexhaj: Takimet po vazhdojnë me deputetët e pakicave
Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvevendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se LVV-ja po vazhdon takimet me përfaqësuesit e pakicave joserbe në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se takime janë zhvilluar me dy deputetët e këtyre pakicave që nuk e kishin votuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare herat e kaluara, Duda Balen dhe Veton Berishën.
“Unë besoj që dialogu dhe marrëveshja do të arrihet me subjektet që përfaqësojnë interesin e qytetarëve”, tha Rexhaj.
Ai tha se Berisha ka pranuar ta votojë propozimin për kryeparlamentar, por se s’ka marrëveshje për qeveri.
Haradinaj: S’ka ndryshime as në kandidaturë, as në qëndrime të opozitës
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk pret që sot të zgjidhjet kryeparlamentari/ja e re në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
“Me sa kam informata s’ka ndryshime as në kandidaturë as në qëndrime të opozitës”, tha Haradinaj.
Ai përsëriti qëndrimin se AAK-ja do të votonte për këtë post dy deputete të tjera të LVV-së, Shqipe Selimin dhe Saranda Bogujevcin, por jo Albulena Haxhiun.