Ndërlidhjet

Pensionistët afganë bëhen shitës në rrugë


Një shitës afgan duke shitur domate në një rrugë në Kabul.
Një shitës afgan duke shitur domate në një rrugë në Kabul.

Atel shtyn një karrocë druri çdo ditë rreth kryeqytetit afgan, Kabul, duke shitur perime.

Pensionisti 70-vjeçar doli në pension rreth pesë vjet më parë. Por, që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, talibanët e kanë ndaluar pagesën e pensioneve.

Kjo i ka detyruar mijëra pensionistë si Ateli t’i kthehen punës, shpesh si shitës ambulantë, për të ushqyer familjet e tyre mes një krize shkatërruese ekonomike dhe humanitare në vend.

"Kanë kaluar gati tre vjet që kur kemi marrë pensionet tona për herë të fundit", tha Atel për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë. "Unë nuk kam fuqi të bëj punë fizike. Por, blej qepë dhe patate në treg çdo ditë dhe i rishes", tha ai.

Puna është rraskapitëse dhe ai fiton vetëm rreth 1 dollarë në ditë. Por, Atel, i cili ka një familje me tetë anëtarë, tha se nuk ka zgjidhje tjetër pos të punojë.

Një shitës frutash duke pritur klientë në një rrugë në Kabul.
Një shitës frutash duke pritur klientë në një rrugë në Kabul.


Mohammad Nasim është një tjetër pensionist që është detyruar të gjejë një punë. Ai shet fletore dhe stilolapsa në rrugë, duke fituar rreth 1 dollarë në ditë.

“Nuk kam mjete për të bërë punë të tjera”, tha për Radio Azadin Nasimi, i cili është me aftësi të kufizuara. Nga ana tjetër kam dhimbje dhe nuk kam para as t’i blej ilaçet e mia.

“Joislamike”

Rreth 150.000 pensionistë morën një pagesë mujore prej rreth 100 dollarësh nga shteti para se talibanët të merrnin Afganistanin, ku mosha e daljes në pension është 65 vjeç.

Por, pensionistëve nuk u janë paguar pensione që atëherë, duke shtyrë disa familje drejt urisë. Shumë nga pensionistët u shërbenin qeverive që kishin luftuar kundër talibanëve.

Në prill, udhëheqësi shpirtëror i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, urdhëroi qeverinë e tij të ndalonte zbritjen e kontributeve të pensionit nga pagat e nëpunësve civilë, duke çmontuar në mënyrë efektive sistemin e pensioneve.

Akhundzada sugjeroi se sistemi ishte "jo-islamik".

Ky veprim bëri që pensionistët të ngriheshin në protesta, duke thënë se nuk mund të mbijetojnë pa ndihmën e shtetit.

Pensionistë duke protestuar në Kabul - Fotografi nga arkivi.
Pensionistë duke protestuar në Kabul - Fotografi nga arkivi.

Dhjetëra nëpunës civilë në pension dhe anëtarë të pensionuar të forcave të armatosura, organizuan një tubim në Kabul më 20 prill. Protesta u shpërnda nga talibanët.

Njerëzit më të varfër

Papunësia masive dhe varfëria në rritje, si dhe mungesa e ndihmës nga qeveria, i kanë detyruar të moshuarit, madje edhe fëmijët, të gjejnë atë punë që munden. Kufizimet e ashpra të talibanëve për punësimin e grave i kanë lënë familjet pa një person në familje që do të mund të siguronte të ardhura.

Jo të gjithë pensionistët janë në gjendje të punojnë për shkak të sëmundjes ose moshës së tyre të shtyrë. Ata e kanë të vështirë të sigurojnë edhe punë të rëndomta.

“Ne kemi mjekra të thinjura, na dridhen duart dhe këmbët dhe askush nuk na jep punë”, tha për Radio Azadi një pensionist, i cili mori pjesë në protestën e prillit dhe foli në kushte anonimiteti.

Kreu i Shoqatës së Pensionistëve Afganë, Aafandi Sangar, tha se "njerëzit më të varfër në Afganistan janë pensionistët që nuk mund të punojnë më".

"Disa prej tyre janë duke bërë punë të vështirë, por disa janë të sëmurë [dhe të paaftë për të punuar]," tha ai për Radio Azadi.

Një afgan i moshuar duke shitur shalqinj në një rrugë në Kabul.
Një afgan i moshuar duke shitur shalqinj në një rrugë në Kabul.

Sangar theksoi se pensionistët do të vazhdojnë të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga qeveria talibane.

“Këto para janë para personale të pensionistëve”, tha ai. “Nuk janë paratë e qeverisë, pensionet janë e drejta e patjetërsueshme e çdo pensionisti”.

Përgatiti: Syzanë Paçarizi
XS
SM
MD
LG