Rusia e akuzon Kosovën për “spastrim etnik” ndaj serbëve
Përfaqësuesi i Federatës Ruse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e akuzoi Kosovën se po kryen veprime që përbëjnë “spastrim etnik” që tha se po injorohen nga organizatat për të drejtat e njeriut.
Ai paralajmëroi se në Ballkanin Perëndimor mund të shpërthejë një konflikt i ri, duke e krahasuar situatën e palestinezëve në Rripin e Gazës me serbët që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se ndalimi i dinarit “është një hap kriminal dhe ua bën jetën e padurueshme qytetarëve” serbë, sepse sipas ambasadorit rus, serbët rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe ndihma të tjera që pranojnë nga Serbia.
SHBA kërkon që palët të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t'i kthehen dialogut.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”.
Ajo tha se Uashingtoni është i përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
“Është qëllimi që ne dhe partnerët tanë kemi vendosur për të nxitur demokracinë, integrimin ekonomik rajonal, shoqërinë multientike dhe sundimin e ligjit”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
Ambasadorja amerikane në OKB tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
SHBA-ja sërish kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores së BQK-së
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se shteti i saj ka shprehur shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së.
“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.
Sipas saj, ndërprerja e dërgesave për përfitimet shoqërore duhet të minimizohet “derisa të përfundojë tranzicioni dhe ne po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë serbe që të bashkëpunojë në këtë drejtim”.
Ambasadorja amerikane po ashtu shprehu shqetësim për "veprimet e pakordinuara të Qeverisë së Kosovës" sa i përket mbylljes së zyrave të institucioneve që Serbia mbështet në Kosovë dhe për mbylljen e zyrës së një organizate joqeveritare serbe në Prishtinë.
"Këto veprime nuk janë në përputhje me zotimet e Kosovës që të punojë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të adresuar çështjet që prekin mirëqenien e komunitetit serb dhe minojnë rrugën drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë".
SHBA ngre shqetësime për “kërcënimet e sigurisë që vijnë nga jashtë”
Ambasadorja amerikane në OKB, , Linda Thomas-Greenfield, po ashtu foli për çështjen e sigurisë në Kosovë dhe për sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023.
Ajo tha se “kërcënimet akute të sigurisë dhe stabilitetit vijnë jashtë Kosovës”.
Ajo sërish dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë nga një grup i serbëve të armatosur, duke theksuar se personi që ka marrë përgjegjësinë për sulmin, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.
Dialogu i BE-së, tha ajo, është mekanizmi për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë “në mes të këtij cikli krizash”.
“Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i zbatimit të saj janë ligjërisht të obligueshme”, tha ajo.