UNMIK kritikon Kosovën për rregulloren e BQK-së
Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, tha se hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së është shndërruar në shqetësim për komunitetin lokal dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë, pasi që tha se nga ky vendim preken dhjetëra mijëra serbë që marrin përfitime të ndryshme financiare nga Serbia.
“Dua të rikthesoj se veprimet, pavarësisht ligjshmërisë, duhet të marrin parasysh ndikimin te komunitetet që prekin", tha ajo.
"Në të kundërtën, këto veprime rrisin tensionet”, tha Ziadeh, duke përmendur se vetëm ditë më parë, Qeveria e Kosovës njoftoi se rregullorja do të zbatohet përmes një periudhe tranzicioni dhe publiku do të informohet më shumë rreth vendimit të BQK-së.
Shefja e UNMIK-ut tha se zgjidhja për vendimet e fundit është vetëm përmes dialogut.
Vuçiq: Vendimi për dinarin, sulm ndaj popullatës serbe në Kosovë
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se situata në Kosovë po bëhet e vështirë për serbët, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.
Me vendimin për ndalimin e dinarit, Kosova po krijon “kushte të padurueshme të jetës për serbët në Kosovë”, tha Vuçiq, duke akuzuar Prishtinën se po kryen “sulme të përhapura sistematike” ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.
“Në një situatë të tillë, pa një reagim të duhur, mund të shkaktohet një dëm i pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, tha ai.
Sipas Vuçiqit, rregullorja e BQK-së është “goditje ndaj mbijetesës së serbëve dhe themelimit të Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Me vendimin për të ndaluar transaksionet për dinarin, regjimi në Prishtinë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndalon çdo operacion në të gjitha institucionet shëndetësore, arsimore, sociale dhe kulturore, që u mundësojnë serbëve që të kenë gjërat bazë”, tha Vuçiq.
Vuçiq: Situata e serbëve u përkeqësua pas zgjedhjeve në veri
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, foli edhe për zgjedhjet lokale të prillit të vitit të kaluar në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Këto zgjedhje, pas bojkotit të serbëve, u fituan nga partitë shqiptare.
Vuçiq tha se situata e serbëve në Kosovë u përkeqësua pas këtyre zgjedhjeve. Ai tha se vetëm 3 për qind e votuesve ishin serbë, duke akuzuar kryetarët shqiptarë se kanë zaptuar komunat.
Ai tha se dëgjoi kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, duke iu kërkuar serbëve që të nisin procedurat e një peticioni për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.
Vuçiq: Serbët po largohen për shkak të dhunës sistematike
Vuçiq tha se serbët në Kosovë po përndiqen nga gjyqësori në Kosovë.
Ai pretendoi se mbi 14 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova. Sipas tij, ata janë larguar për shkak të dhunës sistematike dhe të përhapur ndaj tyre nga institucionet e Kosovës.
Vendimi për dinarin, sipas tij, është shembulli i fundit i përndjekjes ndaj serbëve në Kosovë.