Ndërlidhjet

Pse ofensiva ruse në Donbas nuk po shkon ashtu siç ishte parashikuar?


Tanke dhe makina ushtarake ruse të shkatërruara gjatë luftimeve në Ukrainë.
Tanke dhe makina ushtarake ruse të shkatërruara gjatë luftimeve në Ukrainë.

Vlerësimi më i prerë se si po shkon ofensiva ushtarake ruse në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, erdhi nga një person i cili është në një pozicion të mirë që ta dijë një gjë të tillë.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

“Përfundimi i përgjithshëm, fatkeqësisht, është i zymtë”, tha Igor Girkin, një komandant famëkeq i ushtrisë ruse dhe ish-zyrtar i inteligjencës, i cili ka luajtur një rol thelbësor kur shpërtheu lufta e parë në Donbas më 2014.

“Në skenarin më të mirë, armiku do të ‘dëbohet’ ngadalë nga Donbasi, me humbje të mëdha [për të dyja palët, natyrisht], për shumë javë dhe ndoshta shumë muaj”, shkroi ai më 28 në një postim në llogarinë e tij në Telegram. “Në përgjithësi, armiku po mbrohet plotësisht, në mënyrë të ashpër, dhe ka nën kontroll situatën dhe trupat e tij”.

Dy javë më parë, një veteran mjaft i njohur i forcave speciale ruse kishte një vlerësim edhe më të ashpër, duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentit rus, Vladimir Putin, përmes një videoje: “Vladimir Vladimirovich: a po bëjmë një luftë apo po vetëkënaqemi?”.

Pasi kanë pësuar ngecje të shumta në përparim në javët e para të pushtimit të Ukrainës, duke dështuar që të marrë kontrollin e Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha dhe duke shkaktuar viktima të mëdha, komandantët dhe udhëheqësit politikë rusë kanë ndryshuar taktikën, duke zhvendosur pothuajse të gjithë njësitë ushtarake drejt lindjes për një ofensivë në Donbas.

Pjesë të dy provincave të Donbasit – Donjeckut dhe Luhanskut – kanë qenë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë që nga viti 2014 dhe Putini ka njoftuar se Rusia i njeh ato si shtete të pavarura. Ky njoftim u bë disa ditë para se presidenti rus të urdhëronte nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Më 18 prill, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ofensiva e re ruse kishte nisur. Një ditë më vonë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se qëllimi i Moskës ishte “çlirimi i plotë” i dy provincave të Donbasit.

Por, si po shkon kjo ofensivë? Shikuar nga të gjitha aspektet, më ngadalë sesa pritej. Pse? Kjo është një pyetje më e ndërlikuar.

“Nuk është aq e qartë se ofensiva ka çaluar, se nuk do të prodhojë rezultate”, tha Konrad Muzyka, analist i mbrojtjes dhe drejtor në Rochan Consulting, me seli në Poloni.

“Burimet e mia në Ukrainë janë shumë të shqetësuara lidhur me aftësitë ruse përreth Izjumit”, tha ai duke iu referuar një qyteti strategjik në lindje të Ukrainës, dhe shtoi se “është ende shumë herët të thuhet” se ofensiva në Donbas ka çaluar.

Në përgjithësi, dështimet e ushtrisë ruse kanë befasuar shumë ekspertë, të cilët kanë parashikuar që forcat e saj të armatosura, që janë më të mëdha dhe më të pajisura, do të kishim mundësi që shpejt të merrnin nën kontroll objektivët e mëdhenj, siç është Kievi dhe qytetet e tjera përgjatë bregdetit, siç është Mariupoli.

Duele artilerie në fushëbetejë në rajonin e Luhanskut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:26 0:00

Në vend të kësaj, mbrojtësit e Ukrainës kanë shkaktuar numër jashtëzakonisht të lartë të viktimave në mesin e ushtarëve rusë, por po ashtu kanë shkatërruar një numër të madh të pajisjeve dhe armatimeve ruse – një fakt që kryesisht i atribuohet furnizimeve masive me armatime që po i dërgohen Ukrainës nga Perëndimi.

Rusia nuk ka publikuar të dhëna për ushtarët e vrarë që nga 25 marsit. Në këtë datë, Moska pranoi se 1,351 ushtarë të saj ishin vrarë. Megjithatë, sipas vlerësimeve perëndimore, besohet se mbi 15,000 trupa ruse janë vrarë, ndërkaq autoritetet ukrainase kanë pretenduar se ky numër kalon shifrën prej 20,000.

Që këto dy shifra tejkalojnë numrin e viktimave të trupave sovjetike gjatë luftës pothuajse 10-vjeçare në Afganistan në vitet ’80.

“Rusia po përballet me probleme sa i përket ritmit të operacioneve. Është e qartë, ata kanë pësuar humbje të mëdha, taktikat e tyre janë dëshmuar të pasuksesshme, ata po përballen me një mbrojtje më të vendosur”, tha Kostas Tigkos, ekspert i ushtrisë ruse në Grupin Janes në Londër.

“Nuk është se ata dëshironin që të lëviznin kaq ngadalë në Donbas”, shtoi Tigkos.

Dështim apo përparim i ngadalshëm?

Siç thanë amerikanët dhe britanikët, ofensiva po shënon përparim, megjithëse shumë ngadalë.

“Ne vlerësojmë se forcat ruse po bëjnë një përparim të ngadalshëm, dhe sinqerisht ne do ta përshkruanim si një përparim në rritje në Donbas”, tha një zyrtar amerikan i mbrojtjes më 29 prill. “Ka ende shumë lëvizje në Donbas, në kuptimin e marrjes ose humbjes së kontrollit të territoreve nga të dyja palët. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në pamjen e përgjithshme në Donbas”.

“Anemike”. Kështu e përshkroi më 2 maj një zyrtar tjetër amerikan i mbrojtjes ofensivën ruse në Donbas.

“Rusia ende po përballet me sfida të konsiderueshme. Është detyruar të bashkojë, të ridisloklojë njësi ushtarake nga përparimet e dështuara në verilindje të Ukrainës”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes më 2 maj. “Shumë nga këto njësi ka të ngjarë që vuajnë nga mungesa e moralit”.

Zyrtarët perëndimorë për javë të tëra kanë theksuar se problemet me moralin dhe disiplinën janë faktorë të mëdhenj që po kontribuojnë në performancën e dobët të ushtrisë ruse. Këta po ashtu konsiderohen si faktorë që kanë kontribuar në numrin e pazakontë të gjeneralëve që janë dërguar në vijat e luftës, të cilët më pas u janë ekspozuar sulmeve ukrainase.

Luftimet në veri të Kievit u analizua nga afër nga vëzhguesit, teksa forcat ruse u tërhoqën dhe filluan të pozicionoheshin në lindje, si pjesë e prioritetit të ri të urdhëruar nga Putin. Presidenti rus po ashtu emëroi vetëm një komandant, gjeneralin e ushtrisë, Aleksandr Dvornikov, që të marrë nën udhëheqje ofensivën, gjë që nuk kishte ndodhur më herët.

Që atëherë, megjithatë, trupat ruse kanë bërë përparime të kufizuara. Për shembull, përreth Izjumit, raportimet tregojnë se forcat ukrainase kanë rimarrë territor në rajonin e Harkivit, edhe pse është e paqartë nëse kjo ndodhi për shkak të tërheqjes së trupave ruse. Raportet e tjera të inteligjencës kanë sugjeruar se komandantët rusë po kërkojnë një “lëvizje më të mprehtë” nga jugu dhe veriu, në tentim për të rrethuar forcat ukrainase në Donbas.

Kjo nuk ka ndodhur. Të paktë, jo deri tani.

“Ata nuk po bëjnë gjithçka në të njëjtën kohë”, tha Muzyka. “Kjo më bën të mendoj se ata po tentojnë të kryejnë një sulm të pjesshëm, të mos kryejnë ndonjë operacion thelbësor me këto njësi, por përkundrazi duke i përdorur njësitë ushtarake një nga një”.

Pra, a po çalon ofensiva apo thjesht po shkon ngadalë?

Johan Norberg, një analist ushtarak në Agjencinë suedeze për Kërkime të Mbrojtjes – organizatë hulumtuese e financuar nga qeveria – tha se këta dy terma nuk janë ekskluzivisht reciprok.

“Shumica e fuqisë ruse është konsumuar tashmë, pas dy muajsh luftë, ata kanë marrë goditje të rëndë, në aspektin e humbjeve njerëzore, dhe ata kanë humbur shumë pajisje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Ata kanë pak mundësi, por mund ta bëjnë ofensivën më ngadalë dhe në mënyrë më metodike”.

“Ata nuk po e zvarrisin ofensivë me dëshirë”, shtoi ai.

Çështja se si po shkon ofensiva u diskutua këtë javë pas vizitës së oficerit më të lartë ushtarak të Rusisë, gjeneralit Valery Gerasimov, në vijën e frontit në Izjum, qytet në veriperëndim të Donbasit.

Analistët thanë se është shumë e pazakonshme për një komandant të lartë apo për një gjeneral të qëndrojë në një vijë lufte të kontestuar, jo vetëm në këtë luftë, por në çdo luftë. Edhe më e pazakonshme, sipas analistëve është se të paktën shtatë gjeneralë janë konfirmuar se janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë.

Oleksiy Arestovych, këshilltar i lartë i Zelenskyt, tha se disa oficerë të lartë rusë janë vrarë më 30 prill, kur forcat ruse përdorën raketa dhe artileri për të goditur një post komandues afër Izjumit, dhe sipas tij, ka të ngjarë që ky sulm të ketë shkaktuar dhjetëra viktima.

Forcat ukrainase thanë po ashtu se kanë zmbrapsur një sulm rus në këtë zonë.

Gerasimov, që është kryesues i Shtabit të përbashkët të shefave të ushtrisë, po ashtu raportohet se ka qenë i pranishëm më 30 prill në vendin ku ka sulmuar Ukraina, edhe pse ai është larguar nga aty para sulmit. Arsen Avakov, ish-ministër i Brendshëm i Ukrainës, pohoi se Gerasimov ishte plagosur lehtë nga një predhë.

“Gerasimov ndoshta ka tentuar të kuptojë pse ofensiva ruse gjerësisht ka ngecur jashtë aksit Izjum dhe nëse ia vlen të vazhdohet të investohet në grupimet e njësive në ofensivën në këtë zonë ose të ndryshojnë” taktikë dhe të nisin forcat drejt Donjeckut, tha Instituti për Studime të Paqes, në një raport të publikuar më 1 maj.

Ukraina zmbraps forcat ruse afër Donjeckut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Vizita e Gerasimovit mund të jetë më pak tregues për problemet me udhëheqjen dhe disiplinën, tha Norberg, sesa thjesht që Gerasimov nuk iu besoi raportimeve nga komandantët që gjenden në vijat e para të frontit dhe dëshiroi që të shohë me sytë e tij se çfarë po ndodhte.

“Ju dëshironi ta shihni me sytë tuaj, ta ndieni luftën, ky është një instinkt ushtarak”, tha ai. “Mendoj se vizita më shumë kishte të bënte me atë që ai dëshironte të shihte se si ishte gjendja”.

Përpjekja më e mirë

Në Donbas, komandantët rusë “po bashkojnë” njësi, disa prej të cilave janë të dëmtuara rëndë nga luftimet e mëhershme afër Kievit, tha Michael Kofman, analist ushtarak në Qendrën për Analiza Detare në Arllington, Virxhinia.

“Shanset e tyre për sukses [në Donbas] sipas meje janë shumë të papërcaktuara, shumë të kushtëzuara”, tha Kofman në një podkast të publikuar në ueb-faqen War On The Rocks.

Kofman sugjeroi edhe një arsye tjetër pse komandantët rusë po lëviznin më ngadalë dhe në mënyrë më metodike.

“Faktikisht, ata duan të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira për këtë, sepse e vërteta është se pas kësaj ofensive, ushtria ruse është një forcë e konsumuar kur bëhet fjalë për potencialin e saj për ofensiva të ardhshme”, tha ai. “Sido që të përfundojë kjo ofensivë... ata nuk kanë kapacitet për një tjetër ofensivë të madhe në Ukrainë”.

Sa i përket çështjeve më të mëdha sistematike, Norberg tha se Rusia po i afrohet një pikë kthese në luftë: që të marrë vendim nëse duhet të dërgojë më shumë luftëtarë në fushëbeteja, që do të mund të çonte në shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm.

“Është mjegulla e luftës, por unë mendoj se ka më pak ushtarë në forcat e armatosura ruse sesa e dinim paraprakisht”, tha Norberg. “Nëse shifrat e paraqitura para luftës ishin të vërteta, nëse Rusia do të kishte më shumë ushtarë, do t’i përdorte në luftë tani”.

“Por, rusët nuk kanë më shumë ushtarë, nuk kanë forcë për të bërë një lëvizje vendimtare kundër ukrainasve”, tha ai. “Rusia nuk ka forcë konvencionale për të bërë një lëvizje të madhe”.

Për të sjellë numër të madh të ushtarëve të rinj, sipas ekspertëve, do të kërkonte që Putini t’i shpallë luftë Ukrainës, ndoshta duke e paraqitur si një luftë kundër NATO-s, si dhe do të do të duhej të shpallte një mobilizimi të përgjithshme, që do të paraqiste një përshkallëzim të madh.

“Nuk mund të ketë lëvizje të mëdha të trupave, apo ushtarë të rinj në javën e ardhshme apo pas dy javësh, duke pasur parasysh trupat që janë në dispozicion në terren”, tha Tigkos për Radion Evropa e Lirë.

“Ka pak të ngjarë që të ketë një intensifikim të operacioneve, thjesht sepse nuk ka aq shumë trupa për të mbuluar të gjitha frontet”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG