Prej se Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kievi është ankuar se po e mbron veten e penguar nga shumë vështirësi përballë një Rusie që po e përdor gjithë forcën e saj.
Derisa partnerët perëndimorë, sikurse Shtetet e Bashkuara, i kanë dhënë armë në vlerë miliarda dollarë, Ukrainës nuk i është lejuar t’i përdorë ato për të kryer sulme thellë brenda Rusisë, ku makineria e luftës e Moskës u vendos për ta shmangur dëmtimin.
E gjithë kjo ndryshoi më 19 nëntor, në ditën e 1.000-të të luftës, kur Moska tha se Ukraina ka hedhur raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi në tokën ruse. Njoftimi erdhi pak kohë pasi u raportua se Shtëpia e Bardhë ia dha dritën jeshile Kievit.
Administrata e presidentit në largim të SHBA-së, Joe Biden, njoftoi pastaj një ndryshim tjetër në politikën e saj të kamotshme, duke thënë më 20 nëntor se do ta furnizojë Kievin me mina kundër këmbësorisë, për t’i ndihmuar ta frenojë përparimin e forcave ruse në tokën ukrainase.
Rusia, ndërkohë, bëri ndryshime në politikat e veta. Presidenti Vladimir Putin e nënshkroi ndryshimin e doktrinës bërthamore të Rusisë, duke e ulur dukshëm pragun për përdorimin e armëve atomike nga Moska, në rast të ndonjë sulmi konvencional nga një armik.
Pyetje të pakëndshme
Ndryshimet e njëpasnjëshme në rregullat e fushëbetejës, të cilat Moska i kishte ndryshuar tashmë duke i shtuar mijëra trupave koreanoveriore rishtazi, për t’i rritur forcat e saj në jugperëndim të Rusisë, tani kanë bërë që analistët të bëjnë një sërë pyetjesh:
Pse po ndodh kjo tani, vetëm dy muaj para se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump – i cili ka pohuar se mund ta përfundojë luftën shpejt – të kthehet në Shtëpinë e Bardhë?
A po veprojnë me rrezik të panevojshëm dhe të pamatur Bideni apo Putini – ose të dy?
A mund të shpëtojnë vendimet e Uashingtonit "planin e fitores" të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – i cili kërkonte leje për armët me rreze të gjatë për të goditur në zemër të makinerisë luftarake të Rusisë?
Dhe pyetja më e madhe – ajo që ndoshta e pengoi Uashingtonin t’ia jepte Zelenskyt lejen që kërkonte me ngulm – është nëse po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore midis fuqive bërthamore?
Ekspertët janë të ndarë në mendime mbi atë se kush mund të jetë më i prirë të rrezikojë.
"Gjendja e tanishme e bën të tundohet për përshkallëzim", shkroi në X Tatiana Stanovaya, themeluese e R.Politik, duke iu referuar potencialit të Rusisë për të përdorur armë bërthamore.
"Duke qenë se Trumpi nuk e ka marrë ende detyrën, një lëvizje e tillë nuk do të pengonte ndonjë nismë të menjëhershme paqeje, por përkundrazi mund ta forconte argumentin e Trumpit për dialog të drejtpërdrejtë me Putinin", tha ajo.
Nikolai Sokov, ish-diplomat rus dhe negociator për kontrollin e armëve që tani punon në Qendrën e Vjenës për Çarmatim dhe Mospërhapjen të Armëve Bërthamore, e kundërshtoi këtë në X duke thënë: "Mendoj se, përkundrazi, Bideni papritmas ka shfaqur një [dëshirë] të madhe për të rrezikuar, pas dy vjetëve e gjysmë duke qenë i kujdesshëm ndaj tyre".
Tani, shtoi ai, "Putini mund të ndihet i detyruar të reagojë, përndryshe Trump do ta përdorë këtë kundër tij".
Por, kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë nëse lëvizjet e fundit nga Moska dhe Uashingtoni kanë rritur rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor, Keir Giles, ekspert mbi konfliktin gjeopolitik midis Perëndimit dhe Rusisë, tha: "Jo, aspak".
Giles, autor i një libri të ri të quajtur "Kush Do ta Mbrojë Evropën", tha se vendimi i SHBA-së për t’i dhënë Kievit leje për t’i përdorur armët me rreze të gjatë erdhi "shumë kohë pasi mund të kishin pasur ndikim maksimal" dhe "nuk është diçka për të cilën Rusia do të jetë vërtet e shqetësuar tani".
Moska "do të vazhdojë të angazhohet në skena teatrale lidhur me doktrinën bërthamore, duke përfituar shumë nga to", tha Giles.
Ndërkohë, Ukraina përballet me trupa ruse dhe koreanoveriore, të cilat synojnë ta rimarrin territorin në rajonin jugperëndimor të Kurskut në Rusi. Kapjet territoriale të ushtrisë ukrainase brenda Rusisë erdhën si rezultat i një inkursioni befasues në gusht, për të cilin Zelensky tha se do t’i jepte Kievit më shumë ndikim në negociatat e ardhshme.
Kievi po përpiqet gjithashtu ta parandalojë një sulm masiv nga trupat ruse në lindje të Ukrainës, të cilin disa vëzhgues e shohin si një përpjekje për të marrë kontrollin e plotë të katër rajoneve të Ukrainës, që Moska i ka aneksuar në mënyrë të paligjshme, dhe t’i përdorë ato në bisedime të mundshme për paqe.
Por, tani për tani, tha Giles, "nuk ka asnjë nismë nga Rusia ose Ukraina për të nisur bisedime".
"Ukraina e di se kjo ka gjasa të jetë shumë më katastrofike për ta sesa vazhdimi i luftimeve, dhe Rusia e di se mund të nxjerrë shumë më tepër nga Ukraina sesa nëse e ngrin konfliktin në këtë kohë", tha ai.
Shumica e vëzhguesve bien dakord se raketat me rreze më të gjatë veprimi të SHBA-së, furnizimi i të cilave është i kufizuar, nuk do ta ndryshojnë vetë rrjedhën e luftës.
Jack Watling, hulumtues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara (RUSI), me bazë në Britani, shkroi se zhvillimet "kanë të bëjnë më pak me dëmin" që raketat ATACMS të SHBA-së mund ta shkaktojnë.
Ka të bëjë "më shumë me atë se çfarë mund të mundësojnë ato, dhe nëse ofrimi i tyre është katalizator ehe për të tjerë, si Gjermania, për të ofruar mbështetje të ngjashme", tha ai.
Asgjë për t’u shqetësuar
Sa i përket mundësisë që Rusia të hakmerret pas përdorimit të raketave amerikane nga Ukraina, Watling shkroi se “kjo natyrisht se nuk do të” çojë drejt një përgjigje bërthamore.
"Realiteti është se Rusia mund të përshkallëzojë në një sërë mënyrash për të imponuar kosto ndaj Perëndimit, nga sabotimet nënujore deri tek përdorimi i grupeve të veta përfaqësuese për ta trazuar tregtinë", shkroi Watling.
Sam Greene, profesor në Institutin e Rusisë në King’s College London, u bëri thirrje “të gjithëve të marrin frymë lirshëm".
"Fakti që Rusia publikoi një doktrinë të ndryshuar bërthamore në të njëjtën ditë që Ukraina hodhi për herë të parë raketa ATACMS përtej kufirit, është rezultat i menaxhimit të kujdesshëm të përshkallëzimit nga të dyja palët", shkroi Greene në X më 19 nëntor.
"Mund të arrijmë përfundimisht në Luftën e Tretë Botërore, por ndoshta jo menjëherë".
Përgatiti: Ekrem Idrizi