Një ruse, që u identifikua si Yellena, u paraqit në telekonferencën e drejtpërdrejtë të organizuar më herët gjatë këtij muaji nga guvernatori i rajonit të Leningradit, duke u ankuar për kushtet e burrit të saj, i cili po lufton në Ukrainë. Ajo, po ashtu, iu lut autoriteteve që ta ndihmojnë burrin e saj të rraskapitur.
“Burri im ka gati dhjetë muaj që po lufton, po jeton, po fle e po ha në llogore.. Gjatë kësaj kohe, atij nuk i është dhënë leje për pushim. Sigurisht, është një lodhje e madhe fizike dhe mendore, madje do të thosha se është rraskapitje”, tha ajo gjatë telekonferencës së mbajtur më 4 shtator.
“Ne, gratë, fëmijët, nënat e të mobilizuarve dërgojmë ndihma humanitare... Ne kemi marrë përsipër të gjithë punën e burrave në jetën e përditshme dhe po rrisim fëmijët. Por, burimet njerëzore nuk janë të pakufishme”, tha ajo.
Guvernatori Aleksandr Drozdenko i premtoi se do të bënte çfarë të mundte:
“Faleminderit për mbështetjen tuaj, për frontin, për burrat tuaj, vëllezërit, djemtë tuaj, për kthimin e tyre në shtëpi. Përpara, drejt fitores!”.
Ankesat e Yelenës, edhe pse të pamundura që të verifikohen, nuk janë rast i izoluar: Ato janë më të rejat në serinë e ankesave në rritje nga ushtarët, bashkëshortet e tyre, prindërit dhe mbështetësit e luftës së Rusisë, duke vënë në pah problemet e kamotshme sistematike brenda forcave të armatosura të Rusisë.
Pesha e këtyre ankesave ka rritur thirrjet nga disa komandantë, blogerë ushtarakë dhe nacionalistë, të cilët kanë argumentuar se Rusisë i duhen më shumë ushtarë.
Këto thirrje janë bërë në kohën kur Kremlini ka shfaqur disa shenja potenciale se mund të nisë një përpjekje të re për t’i përforcuar trupat e tij që po luftojnë.
Thjesht, mos e quani mobilizim.
“Nuk jam i sigurt nëse një valë e re e mobilizimit do të ndodhë në javët në vijim. Por, jam i bindur se do të ndodhë”, tha Ian Matveed, analist ushtarak rus, i lidhur me Fondacionin Kundër Korrupsionit, të themeluar nga aktivisti i burgosur opozitar, Aleksei Navalny.
“Kjo është e lidhur me nevojat e luftës. Qeveria ruse dhe zyrtarët ushtarakë tani po tentojnë të gjejnë forca të reja për kontrata vullnetare. Por, tani ata nuk janë të suksesshëm. Dhe, ata nuk po kanë suksese as në front. Këto e bëjnë të pashmangshëm mobilizimin”, shtoi ai.
“Nuk ka kuptim që të spekulohet për një mobilizim, ne do ta shohim atë shumë shpejt”, tha Pavel Luzin, analist për ushtrinë ruse që është studiues në Shkollën e Drejtësisë dhe Diplomacisë, Tufts Fletcher në Masaçusets.
Mobilizimi digjital
Që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Kremlini është përballur me vështirësi që ta izolojë popullatën e gjerë ruse nga realitetet e zymta të luftës. Kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë pasi vlerësohet se
Rusia ka humbur deri në 120.000 ushtarë dhe 180.000 të tjerë janë plagosur.
Në shtator të vitit 2022, disa muaj pas përpjekjeve të fshehura për rekrutim dhe me ngecje në fushëbetejë, Kremlini njoftoi për mobilizimin e qindra mijëra rusëve. Ky ishte mobilizimi i parë në Rusi që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ishte një pranim i heshtur se Kremlini po përballej me vështirësi serioze në fushëbetejë, duke e sjellë luftën më afër për rusët e zakonshëm.
Afër 300.000 rusë u mobilizuan dhe u dislokuan. Përveç ushtarëve të ushtrisë së rregullt, edhe luftëtarë nga grupi mercenar “Wagner” – grup që rekrutoi mijëra persona nga burgjet ruse – morën pjesë në luftime në përpjekje për të stabilizuar vijat ruse të frontit, edhe pse ata dështuan të kryenin ndonjë ofensivë të re të madhe kundër forcave ukrainase.
Përpjekjet për rekrutim dhe mobilizim hodhën dritë mbi sistemet e vjetruara të përdorura nga rekrutuesit ushtarakë për të identifikuar burrat e kualifikuar për luftë dhe për t’i detyruar ata që të shërbejnë në ushtri.
Autoritetet u përgjigjën duke modernizuar sistemet e tyre kompjuterike për të gjurmuar burrat e kualifikuar për luftë dhe ligjvënësit nisën të krijonin një bazë digjitale të të dhënave, që e bën më të lehtë dorëzimin e dokumenteve për rekrutim.
Sistemi varet nga një ueb-faqe ekzistuese e Qeverisë kombëtare, e quajtur Gosuslugi, që rusët e përdorin për shumë shërbime, sikurse për të paguar taksat apo për të marrë pensionet apo përfitime të tjera.
Sipas ligjit të ri, një person mund të penalizohet nëse injoron njoftimet për rekrutim, pavarësisht nëse ata përdorin ose jo Gosuslugin. Sipas legjislacionit, ndër masat ndëshkuese janë: ndalesa që qytetarët të largohen nga shteti, ndalimi i drejtimit të automjetit, blerja e shtëpisë apo edhe regjistrimi i ndonjë biznesi të vogël.
Së fundi, ligjvënësit kanë bërë hapa për të rritur kufizimin e moshës për pesë vjet për rusët që të bëhen pjesë e rezervës së ushtrisë. Javën e kaluar, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, lëshoi një urdhër të ri në të cilin listoheshin problemet shëndetësore dhe sëmundjet që do të përjashtojnë nga shërbimi ushtarak personat që kualifikohen për shërbim në bazë të moshës.
“Përgjatë këtij viti, ne kemi parë sesi Qeveria ruse po përpiqet shumë që t’i rregullojë të gjitha këto zbrazëtira, duke krijuar gjithë këtë procedurë të mobilizimit”, tha Sergei Krivenko, drejtor i “Qytetarët dhe Ushtria”, një grup rus i të drejtave të njeriut që ofron përfaqësim ligjor për ushtarët e rekrutuar.
“Ndryshimet dhe thirrjet që dërgohen në mënyrë elektronike janë duke u miratuar, gjobat po ashpërsohen, i gjithë ky sistem po përshtatet”, tha ai për Current Time – rrjet në gjuhën ruse, që udhëhiqet nga Radio Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Zërin e Amerikës.
“Ky është treguesi më i rëndësishëm se regjistrimi ushtarak dhe sistemi i zyrave për rekrutim po riorganizohen: për rekrutime dhe për mobilizim, sigurisht”, tha Krivenko.
Në fillim të shtatorit, një dekret që supozohet se është nënshkruar nga Shoigu qarkulloi në Telegram dhe në kanale të tjera të mediave sociale. Në të jepeshin detaje për urdhrin e ardhshëm të mobilizimit. Disa zyrtarë thanë se ky dokument është i rremë. Në mesin e tyre ishte edhe Andrei Kartapolov, një ligjvënës me ndikim, njëherësh udhëheqës i Komitetit të Mbrojtjes në Duma, Dhomën e Ulët të Parlamentit rus.
Kjo i parapriu raportimeve të tjera të pakonfirmuara në Telegram, përfshirë një që thoshte se Këshilli i Sigurimit i Kremlinit kishte një plan që 1.2 milion thirrje për shërbim ushtarak të dërgoheshin nga 25 shtatori. Një e treta e kësaj shifre u raportua se synohej të mobilizohej.
Çështja e një mobilizimi të ri është ngritur po ashtu javën e kaluar gjatë forumit ekonomik në portin e Vlladivostokut në Lindjen e Largët. Në këtë forum mori pjesë edhe presidenti rus, Vladimir Putin. Nuk ka nevojë, tha Putini, sepse 270.000 persona kanë dalë vullnetarë për shërbim ushtarak në gjashtë-shtatë muajt e fundit.
“Qytetarët po regjistrohen me dëshirë në ushtri në kushtet e sotme, duke e kuptuar se në fund do të përfundojnë në front”, tha ai më 12 shtator dhe shtoi: “Burrat tanë, burrat rusë, duke e kuptuar se mund të japin jetën për atdheun ose të plagosen rëndë, me vetëdije dhe vullnetarisht ende paraqiten, duke mbrojtur interesat e atdheut”.
Megjithatë, po të njëjtën ditë një kanal në Telegram i quajtur VChK-OGPU – kanal që njihet se publikon informacione që rrjedhin nga agjencia kryesore e inteligjencës së brendshme, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – publikoi një postim ku thuhej se po bëhen përgatitje për një valë të dytë të mobilizimit.
Masat, sipas postimit, u shtynë deri pasi të mbaronin zgjedhjet lokale dhe rajonale më 10 shtator. Masat u tha se do të hyjnë në fuqi para zgjedhjeve presidenciale të marsit të vitit 2024, kur Putin pritet të garojë sërish edhe për një mandat.
Kjo çështje, sipas postimit të VChK-OGPU, kishte shkaktuar “mospajtime të mëdha” në mes të zyrtarëve të sigurisë kombëtare dhe Administratës Presidenciale që është një degë ekzekutive me shumë ndikim brenda Kremlinit.
Administrata Presidenciale, “nga frika për një reagim të paparashikueshëm si nga poshtë, ashtu edhe nga lart, insiston që të mbetet në fuqi urdhri aktual, përderisa zyrtarët e sigurisë kombëtare janë mbërthyer nga euforia dhe kanë vendosur të shtyjë përpara mobilizimin”, thuhej në postim.
Në buletinin ditor më 11 shtator, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase – që ka synuar të ekzagjerojë problemet ruse, si pjesë e propagandës së tij dhe përpjekjeve të luftës së informacionit – tha se numri i lartë i viktimave do të detyrojë komandantët rusë që të nisin një mobilizim masiv për rekrutimin e 400.000 deri në 700.000 ushtarëve, dhe 40.000 të tjerë nga rajoni rus i Çeçenisë.
Në një intervistë për një televizion rajonal, Adrei Gurulyov – një tjetër ligjvënës i Dumës ruse që ka ndikim të madh dhe që njihet për lidhjet e tij të ngushta me zyrtarët ushtarakë – më 1 shtator po ashtu kundërshtoi thashethemet se do të ketë një mobilizim të ri. Ai tha se sistemi i Rusisë për pajisje, armatimin, trajnimin dhe dislokimin e ushtarëve nuk është i aftë të procesojë një numër të lartë rekrutësh përnjëherë.
Për më tepër rekrutimi i ri vjetor – ku të gjithë burrat e moshës 18 deri në 27 vjeç janë të obliguar të shërbejnë për një vit në forcat e armatosura – pritet të nisë më 1 tetor. Edhe pse ligji ndalon dislokimin e këtyre rekrutëve në Ukrainë, ata megjithatë do të pajisjen me armë dhe rroba dhe do të transferohen në baza trajnuese në kohën e njëjtë kur një mobilizim masiv mund të ndodhë.
“Dikush gjithmonë kërkon të krijojë probleme, të përhapë thashetheme për mobilizim dhe për çfarë?”, tha Gurulyov gjatë intervistës duke shtuar: “Po, sot lufta po vazhdon. Sot njerëzit janë dërguar, ata po shkojnë dhe ne kemi obligimet tona që duhet t’i përmbushim në rajonin tonë”.
“Por, ka edhe një pikë të dytë: për të mobilizuar masën – le të themi për të mobilizuar tre milionë trupa – ne duhet t’iu sigurojmë atyre armë, pajisje, veshmbathje, municion, mjete për luftë, logjistikë, karburante, ushqim dhe gjithçka tjetër”, tha ai. “Për të mobilizuar përnjëherë njerëzit, kompleksi industrial thjesht nuk do të jetë në gjendje të përgjigjet”.
Kjo, thanë ekspertët, sugjeron se rekrutuesit rusë thjesht ndoshta do të duhet të varen nga sistemi ekzistues i rekrutimit: fushata të marketingut patriotik që vënë në pah rrogat e majme dhe përfitimet për ushtarët vullnetarë, pensione për veteranët dhe përfitime për bashkëshortet e ushtarëve të vrarë.
“Nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt sepse rekrutimi për shërbim ushtarak nis më 1 tetor”, tha për Radion Evropa e Lirë, Mikhail Salkin, avokat dhe aktivist rus për të drejtat e njeriut. “Prandaj, zyrat e regjistrimit dhe zyrat për rekrutim thjesht nuk mund të përballojnë procedimin dhe mobilizimin e gjerë të rekrutëve. Dhe rekrutimi ynë zgjat deri në dhjetor, andaj mendoj se kjo përfundimisht nuk do të ndodhë gjatë periudhës së rekrutimit”.
“Më pas ne kemi zgjedhje presidenciale dhe me siguri këto lloj situatash stresuese, sikurse mobilizimi, nuk do të ndodhin publikisht gjatë kësaj periudhe”, tha Salkin.
Një rund i ri i mobilizimit do të përsëriste të njëjta probleme që ndodhën gjatë mobilizimit vitin e kaluar, tha Luzin, por gjithashtu do të kërkonte më shumë shtrëngim duke krijuar më shumë pengesa ekonomike dhe politike.
Po ashtu, rekrutuesit mund të zgjedhin që të zgjasnin kontratat afatshkurtra për ushtarët e rekrutuar, për të rinjtë që janë në fund të përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tha ai.
Përfitimi nga kjo, tha ai, është se “ushtarët 18-vjeçarë torollakë dhe të trajnuar keq janë më të mirë sesa ushtarët 35 vjeç, budallenj dhe të trajnuar keq. Dhe ushtarët 18 vjeç mund të motivohen më lehtë nga pagat që nuk i kanë pasur më herët”.
“Gjithsesi, ka mungesë të komandantëve të nivelit më të ulët në ushtrinë ruse”, tha ai. “Prandaj, ju mund të mobilizoni persona të rinj, por ende do të mbetet problemi me komandantët”.
*Video nga arkivi: "Jemi mish për top": Rekrutët rusë shprehin zemërimin
“Nëse autoritetet përgënjeshtrojnë diçka, atëherë do të ndodhë”
Megjithatë, Kremlini – në veçanti Administrata Presidenciale që kontrollon nga afër disponimin kombëtar dhe opinionin publik – raportohet se ka nisur të përgjigjet në mënyrë më agresive ndaj bisedimeve të reja për mobilizim.
Të paktën dy organizata ruse, që konsiderohen pro-qeveritare, kanë pranuar “kërkesa urgjente” nga Administrata Presidenciale që të përmbahet nga mbulimi i çdo thashetheme për mobilizimin e ri. Sipas portalit të lajmeve, Meduza, mediat janë urdhëruar që të mos mbulojnë përgënjeshtrimet apo mohimin që bëjnë zyrtarët apo ligjvënësit e Dumës për pretendime të tilla.
“Siç e dimë të gjithë ne në Rusi, nëse autoritetet përgjënjestrojnë diçka, atëherë përfundimisht do të ndodhë”, tha një gazetar rus për Meduzën.
Ushtarët që kanë shërbyer në Ukrainë, ndërkaq, po ashtu kanë thënë se presin një mobilizim të ri.
Duke folur për REL-in, Almaz, një tatar – që shërben në Ukrainë, por që është në pushim me leje – që më herët kishte shërbyer në Çeçeni, tha se konflikti në Ukrainë është “një mijë herë më i tmerrshëm”.
Ukrainasit “kanë shumë armë. Në anën tonë, shumë njerëz po vdesin dhe nuk kemi shumë njerëz. Do të ketë një mobilizim të ri. Ai është i pashmangshëm”, tha ai.