Ndërlidhjet

Miliarderi i lidhur me sigurimin e automjeteve ushtarake ruse që u përdorën në Ukrainë


Miliarderi i sanksionuar rus, Mikhail Fridman.
Miliarderi i sanksionuar rus, Mikhail Fridman.

Një kompani sigurimesh në bashkëpronësi të biznesmenit miliarder rus të sanksionuar, Mikhail Fridman, duket se ka siguruar automjetet e Gardës Kombëtare të Rusisë, që më vonë u vendosën në Ukrainë, ka zbuluar ekipi hulumtues i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Zbulimi mund të çojë në përpjekjen e Kievit për të bllokuar asetet e Fridmanit në Ukrainë.

Dokumentet në faqen e internetit të prokurimeve të Qeverisë ruse tregojnë se ‘AlfaStrakhovanie’ fitoi nga sigurimi i automjeteve të Gardës Kombëtare të paktën 63.4 milionë rubla [rreth 800 mijë dollarë] në vitin 2022 , vit ky kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Duke përdorur rrjetet sociale dhe faqet e internetit të Qeverisë ruse, Shërbimi Ukrainas i REL-it vërtetoi se shumë nga këto automjete të siguruara morën pjesë në pushtimin e Ukrainës, megjithëse sigurimi nuk ishte në fuqi kur ato ishin jashtë Rusisë.

Sigurimi i kompanisë shtrihet edhe tek automjetet e përdorura nga një ekip i sigurisë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Një kompani tjetër në pronësi të Fridmanit, ‘X5 Group’, e regjistruar në Holandë, drejton një sipërmarrje të përbashkët me kompaninë ‘Voentorg’, një shitës i sanksionuar që është në pronësi të Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe furnizon trupat ruse me ushqim dhe veshje.

Një automjet i ushtrisë ruse me simbolin Z.
Një automjet i ushtrisë ruse me simbolin Z.

Si në Ukrainë, ashtu edhe në Bashkimin Evropian, veprimet që konsiderohen se kanë minuar sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës, mund të çojnë në sanksione.

Gjetjet e Shërbimit ukrainas të REL-it, u publikuan më 1 maj. Më 3 maj, kompania e regjistruar në Luksemburg, e cila është kompani amë e ‘AlfaStrakhovanie’, ‘ABH Holdings’, iu përgjigj raportimit të Shërbimit ukrainas të REL-it dhe njoftoi rreth planeve për t'i tërhequr investimet nga bizneset e saj ruse në fushën e sigurimeve dhe ato bankare.

Firma, në të cilën Fridman ka afërsisht 33 për qind të aksioneve, mohoi se ‘AlfaStrakhovanie’ kishte shkelur sanksionet e BE-së dhe theksoi se aksionarët e sanksionuar të ‘ABH Holdings’ nuk marrin pjesë në menaxhimin e kompanisë.

Kompania 'AlfaStrakhovanie’ nuk duket se e ka fshehur rolin e saj në sigurimin e automjeteve të Gardës Kombëtare.

Një njoftim për shtyp i botuar në internet në gusht të vitit 2022, që mbante logon e korporatës, njoftoi se kompania kishte filluar të siguronte 340 automjete të Gardës Kombëtare të Rusisë.

Rreth katër muaj më herët, në prill të vitit 2022, drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës raportoi gjetjen e dokumenteve nga kjo njësi mes një kolone të "forcave speciale" të Gardës Kombëtare Ruse, për të cilën tha se e kishte "shkatërruar" jashtë Kievit.

Ministri i Drejtësisë i Ukrainës, Denys Malyuska.
Ministri i Drejtësisë i Ukrainës, Denys Malyuska.

Ministri ukrainas i Drejtësisë, Denys Malyuska, i tha Shërbimit ukrainas të REL-it, se nëse konfirmohen gjetjet e raportimit të REL-it, Kievi mund të ngrejë një padi për konfiskimin e aseteve të Fridmanit në Ukrainë.

Sipas ligjit ukrainas, një shtetas rus që sanksionohet për lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska mund të humbasë të gjitha pasuritë e tij ose të saj në Ukrainë pa kompensim. Kievi e sanksionoi Fridmanin në tetor të vitit 2022.

Përveç një dege të ‘AlfaStrakhovanie’, Fridman raportohet të ketë aksione në ‘Sense Bank’, një nga bankat më të mëdha të shitjes me pakicë të Ukrainës e që është kompani simotër e ‘Alfa-Bank’ dhe disa kompanive tjera.

Fridman 59-vjeçar, me bazë në Londër, renditet në Indeksin e Miliarderëve të Bloombergut si një nga 200 njerëzit më të pasur në botë, me një vlerë totale neto prej rreth 11.5 miliardë dollarësh.

Si Bashkimi Evropian, ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar e kanë sanksionuar atë për gjoja mbështetjen financiare të pushtimit rus të Ukrainës.

Duke përdorur një fushatë shkrimi letrash dhe padi kundër Bashkimit Evropian, Fridman ka kundërshtuar sanksionet britanike sikurse dhe ato të BE-së.

Ndonëse Agjencia Kombëtare e Krimit të Mbretërisë së Bashkuar e ka reduktuar hetimin e saj për akuzat kriminale kundër biznesmenit, një hetim mbi akuzat për pastrim parash është duke vazhduar, raportoi Financial Times në prill.

Në komentet për Shërbimin ukrainas të REL-it, Fridman, i cili në mars të vitit 2022 e quajti luftën në Ukrainë një "tragjedi të madhe" që "duhet ndalur", nuk e mohoi që ai kontrollon ‘AlfaStrakhovanie’-- sanksionet e BE-së ia ndalojnë atij t'i shesë aksionet e tij -- por vuri në dukje se në shkurt të vitit 2022 ai dha dorëheqje nga menaxhimi i të gjitha kompanive në të cilat ai zotëron aksione.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

"Për momentin, nuk kam të drejtë të marr pjesë në punën e këtyre kompanive në asnjë mënyrë", i tha Fridman Shërbimit ukrainas të REL-it, përmes një bisede aplikacionin Telegram më 26 prill.

"Ju duhet t'ia drejtoni pyetjet tuaja drejtpërdrejt menaxhmentit të kompanive", theksoi Fridman.

Sigurimi i Gardës Kombëtare Ruse

Një video promovuese e vitit 2022 e postuar në YouTube për 30-vjetorin e ‘AlfaStrakhovanie’ deklaron se kompania ofron sigurim për çdo gjë, nga telefonat celularë deri tek "anijet detare, pajisjet hapësinore dhe rreziqet bërthamore".

Videoja nuk përmend sigurimin e Gardës Kombëtare Ruse dhe automjeteve të sigurisë presidenciale.

Duke përdorur një Rrjet Virtual Privat, Shërbimi ukrainas i REL-it, gjeti prova të atyre transaksioneve në faqen e prokurimeve shtetërore të Rusisë, të njohur si ‘Goszakupki’.

Një seri dokumentesh zyrtare që konfirmojnë se një klient qeveritar ka marrë shërbime të kontraktuara nga një ofrues, i njohur si Aktet e Shërbimeve të Ofruara, tregon se Garda Kombëtare Ruse është renditur si një nga klientët më të mëdhenj qeveritar të ‘AlfaStrakhovanie’ që nga viti 2018, me mbi 3.5 milionë dollarë në politikat e sigurimit të automjeteve.

Në deklaratën e tij për shtyp të 3 majit, anëtari i bordit të ‘ABH Holdings’, Andrew Baxter tha se të gjitha "kontratat" e cituara nga Skemat ishin lidhur përpara shkurtit të vitit 2022. Megjithatë, një Akt i Shërbimeve të Ofruara nuk është një kontratë, por një regjistër i shërbimeve të ofruara sipas kushteve të një kontrate.

E formuar nga presidenti Vladimir Putin në vitin 2016, Garda Kombëtare Ruse, e njohur zakonisht si Rosgvardia, ka qenë e "inkuadruar drejtpërdrejt" në operacionet luftarake të Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë përdorimin e artilerisë për të shkatërruar objektivat, sipas drejtorit të saj, Viktor Zolotov, një aleat i ngushtë i Putinit.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Viktor Zolotov, udhëheqës i Gardës Kombëtare të Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Viktor Zolotov, udhëheqës i Gardës Kombëtare të Rusisë.

Garda Kombëtare Ruse u raportua se kishte "funksione të rëndësishme" në Ukrainë si garantimin e "sigurisë së objekteve të një rëndësie të veçantë", duke përfshirë termocentralin bërthamor të Zaporozhias.

Sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë për automjetet motorike të ‘AlfaStrakhovanie’ për Gardën Kombëtare Ruse – një lloj police e njohur me shkurtesën ‘OSAGO’ – ofron deri në 5.200 dollarë për riparimet e automjeteve dhe deri në 6.500 dollarë për viktimat e përfshira në aksidente.

Në deklaratën për shtyp të 3 majit, njëri nga udhëheqësit e ‘ABH Holdings’ theksoi se "këto kontrata nuk janë të vlefshme në territorin ku po zhvillohen armiqësi" - një pohim i verifikuar në mënyrë të pavarur nga Shërbimi ukrainas i REL-it.

Ky kufizim, megjithatë, nuk duket se zbatohet për automjetet që udhëtojnë në Rusi në rrugën e tyre për në Ukrainë.

Një dokument i 22 dhjetorit të vitit 2022 tregon në detaje shërbimet e sigurimit ‘AlfaStrakhovanie’ më 2022, për njësitë rajonale të Gardës Kombëtare Ruse, të cilat të gjitha kanë kaluar kohë duke luftuar në Ukrainë.

Ai bazohet në një kontratë të 27 dhjetorit të vitit 2021, të nënshkruar para dorëheqjes së Fridmanit nga pozitat e tij drejtuese.

Një video e postuar në fund të prillit të vitit 2022 në RuTube, një alternativë ruse për YouTube, tregon komandantin e Gardës Kombëtare Ruse për rajonin e Briansut, kolonel Ivan Vanchugov, duke uruar trupat e kthyera së fundmi nga Ukraina për përfundimin e "udhëtimit të tyre në të ashtuquajturën zonën e operacionit special”.

Një Akt i Shërbimeve të Ofruara thotë se një njësi Rosgvardia me bazë në Briansk mori shërbime nga ‘AlfaStrakhovanie’ me vlerë afërsisht 15.100 dollarë më 2022.

Një video e postuar më 16 prill 2022 në një platformë ruse të mediave sociale, shfaqi një kolonë kamionësh ‘Kamaz’ që mbanin flamurin rus derisa ktheheshin nga Ukraina.

REL-i gjurmoi numrat e regjistruar të targave të dy prej automjeteve që shihen në video në jugperëndim të Moskës dhe rajonin e Voronezh.

Targa ‘0766KA15’ i përket njësisë së Gardës Kombëtare Ruse ‘6681’, për të cilën Goszakupki raporton se ia ka paguar mbi 14.000 dollarë 'AlfaStrakhovanies' në vitin 2022:

Numri i targës “0369ОМ15” i përket degës së rajonit Voronezh të Gardës Kombëtare Ruse, e cila mori shërbime nga ‘AlfaStrakhovanie’ me një kosto prej pak më pak se 12.000 dollarësh më 2022:

Një video e postuar në RuTube në fillim të korrikut 2022 shfaq trupat e Gardës Kombëtare Ruse nga qyteti i Tulas, në jug të Moskës, duke u kthyer në shtëpi nga Ukraina.

REL-i identifikoi një nga automjetet e kolonës si pronë e degës së rajonit Tula të Gardës Kombëtare Ruse:

Ueb-faqja e prokurimit të Qeverisë ruse tregoi se që nga 12 dhjetori i vitit 2022, ‘AlfaStrakhovanie’ i kishte ofruar degës së rajonit Tula shërbime me vlerë mbi 11.000 dollarë.

‘AlfaStrakhovanie’ siguroi, gjithashtu, njësinë ushtarake ‘5598’, e cila është pjesë e Gardës Kombëtare Ruse dhe është e vendosur në Kazan, kryeqytet i rajonit të Tatarstanit.

Në fillim të marsit të vitit 2022, inteligjenca ushtarake ukrainase tha se kishte identifikuar ‘5598-shin’ si një njësi e forcave speciale të Gardës Kombëtare Ruse që kreu "operacione ndëshkuese" kundër civilëve në zonat e pushtuara të Ukrainës.

Mbrojtja e Putinit

Shërbimet e sigurimit të automjeteve të ‘AlfaStrakhovanie’ për Qeverinë ruse shtrihen përtej Gardës Kombëtare Ruse, duke përfshirë edhe sigurinë e presidentit rus, Vladimir Putin.

Një dokument i 7 shkurtit 2023 thotë se kompania do të mbulojë katër automjete nga njësia ushtarake “26116” - një minibus, kamion dhe disa lloje të tjera për një vlerë prej 90 dollarësh. Kontrata skadon në fund të vitit 2023.

Sipas regjistrit të personave juridikë të Rusisë, njësia ushtarake “26116” i përgjigjet Drejtorisë Kryesore të Programeve Speciale të presidentit të Federatës Ruse, e cila mbikëqyr objektet e fshehura të emergjencës, të njohura si "bunkerët" e Putinit.

Këmisha Z, ushqimi dhe më shumë për ushtrinë ruse

Një kompani tjetër në të ashtuquajturën familje “Alfa”, “X5 Group”, e cila tregtohet në bursën e Londrës, bashkëpunon me ushtrinë ruse në një sferë tjetër – shitjen me pakicë.

Një sipërmarrje e përbashkët midis zinxhirit të marketeve të mëdha 'Pyatyorochka' të “X5 Group” dhe ‘Voentorg’ të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, e cila vesh dhe ushqen trupat ruse dhe prodhon bluza me emblemat Z, është zgjeruar që nga fillimi i luftimeve të vitit 2022.

Në gusht të viti 2022, dyqani i 57-të ‘Voentorg-Pyatyorochka’ u hap në qytetin e Engels të lumit Vollga, vendi i një baze të forcave ajrore, nga e cila nisin rregullisht sulmet e rënda të bombardimeve ruse kundër Ukrainës.

Bashkimi Evropian dhe Zvicra e sanksionuan ‘Voentorgun’ në qershor të vitit 2022 për "mbështetje materiale dhe financiare për veprimet që minojnë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës".

‘X5 Group’, e cila është e regjistruar në Holandë, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë partneritet me pakicë.

Përgatiti: Shkelqim Hysenaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG