Ndërlidhjet

Gjykimi i ish-zyrtarëve të lartë kalon nga Specialja te Prokuroria e Rregullt


Ilustrim
Ilustrim

Dhjetëra lëndë gjyqësore me padi për vepra të rënda penale kundër ish-zyrtarëve të lartë që janë ngritur nga Prokuroria Speciale, kanë nisur t’i dorëzohen Prokurorisë së Rregullt.

Vendimi vjen pas arrestimit të kryeprokures Speciale, Katica Janeva, e dyshuar në rastin “Reketi” dhe kërkesës së saj nga burgu që lëndët t’i dorëzohen organit republikan të akuzës, me arsyetimin e mosrrezikimit të tyre nga skadimi i mandatit të Speciales më 15 shtator.

“Nën masa të sigurisë, të premten ka nisur pranim-dorëzimi i lëndëve të Prokurorisë Speciale te Prokuroria Publike. Është formuar një komision prokurorësh dhe pres që deri në fund të ditës të marrim të gjitha lëndët. Pas kësaj do të bëjmë një regjistrim të tyre, nëse janë në përputhje me përmbajtjen e lëndëve dhe më pas do të vendoset për të ardhmen e tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike Republikane.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska ka thënë se ky proces është dëshmi se këto lëndë nuk do të mbyllen siç pretendojnë nga opozita.

“Tani më është e qartë se lëndët e Prokurorisë Speciale do të vazhdojnë të procedohen para gjykatave. Bartja e lëndëve që po ndodhë i ka prishur llogaritë atyre që dëshirojnë që pas 15 shtatorit të mos ketë prokuror Special, të mos ketë kush t'i procedoj lëndët, por ky qëllim i tyre dështoi dhe më këtë dëshmuam se ka mekanizëm juridik për të bllokuar synimet e atyre që duan mbrojtjen e krimit”, ka deklaruar Deskoska.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Zoran Zaev ka theksuar angazhimin e tij për vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për Ligjin e Prokurorisë.

“Vazhdojmë të bisedojmë me VMRO DPMNE-në, por edhe me partitë tjera në Kuvend që të gjejmë zgjidhje. Ne nuk heqim dorë pasi mendojmë se mund të arrijmë kompromis. Si ofertë e jona mbetet që kreu i Prokurorisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë të zgjidhet me propozim të opozitës. Zgjidhje duhet të gjendet edhe pse lëndët janë siguruar dhe do të shkojnë në kompetencë të prokurorit publik por është mirë që të ketë ligj”, ka deklaruar Zaev.

Kryeministri gjithashtu ka hedhur poshtë pohimet e deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, sipas të cilit Zaev në takimin e liderëve ka thënë se Brenda 10 ditëve prokurorja speciale, Katica Janeva do të lirohet nga paraburgimi.

“Kjo është një gënjeshtër me bisht pasi në takimin e liderëve kur u hap debati se pse po negociohet kur lëndët po kalojnë tek Prokuroria e rregullt, komenti im kishte të bëjë me avokaten e Janevës sipas të cilët është logjike që ajo t’i dorëzojë lëndët për shkak të përgjegjësisë, sikur që është logjike edhe ajo që Janeva të kërkojë masa lehtësuese për shkak të mosndikimit tek dëshmitarët apo të lëndët gjyqësore. Konsideroj se nuk është e ndershme që dikush me gënjeshtra të tentojë që këtë ta keqpërdor në opinion”, ka deklaruar Zaev.

Por, nga opozita mbeten në pretendimin e tyre duke theksuar se pushteti me çdo kusht tenton të ruaj në fshehtësi dëshmitë mbi rastin “Reket” për shkak se në të mund të ketë të përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë aktuale.

“Ne të gjithë ishim të befasuar se si mundet një kryeministër, i cili thotë se nuk ka asnjë lidhshmëri me Prokurorinë dhe gjyqësorin dhjetë ditë më herët të dijë vendimet e gjykatave dhe të organeve të akuzës se me çfarë mase do të zëvendësohet paraburgimi i Katica Janevës”, deklaruar deputet i VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski.

Nga opozita thotë se mbështetin Ligjin e Prokurorisë si dhe kalimin e lëndëve të speciales tek Prokuroria e Rregullt, por kërkojnë që të mbyllen të gjitha lëndët që janë iniciuar pas skadimit të mandatit për ngritjen e tyre në qershor të vitit të kaluar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG