Kryetari i VMRO DPMNE-së, partisë më të madhe të opozitës, Hristijan Mickoski, i ka quajtur “komike” deklaratat e zyrtarëve se po bëjnë gjithçka për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Maqedoninë e Veriut.
Duke komentuar reagimet e shumta të zyrtarëve të lartë të SHBA-së dhe BE-së për “dështimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit”, Mickoski tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme për përballje me këtë fenomen. Sipas tij, “qeveria aktuale nuk është e interesuar që të ketë shoqëri të shëndoshë dhe shtet pa krim dhe korrupsion”.
“Interesante dhe komike duken deklaratat e zyrtarëve të qeverisë kur thonë se po e luftojnë korrupsionin, ndërsa harrojnë se tashmë pesë vjet janë në pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë. Më komike duken deklaratat e përfaqësuesve të asaj partie politike [Bashkimit Demokratik për Integrim] e cila qe 20 vjet është në pushtet, kur thonë se tani është momenti të luftohet korrupsioni".
"Ata nuk kanë asnjë qëllim dhe nuk do ta luftojnë korrupsionin. Pse? Sepse janë partnerë me kriminelët dhe janë të korruptuar. Ata kanë vetëm se një qëllim, se si të vjedhin dhe si të ndajnë mes vete atë që e kanë vjedhur. Prandaj, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mënyra e vetme e përballjes me këtë fenomen, që këta përfundimisht të largohen nga pushteti”, tha Mickoski.
Partia tjetër opozitare, Aleanca për Shqiptarët, thotë se Maqedonia e Veriut me këtë pushtet nuk do të ketë asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit.
“Asnjë nga 58 rastet e korrupsionit të proceduara në organet e drejtësisë nga Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit në katër vjet ekzistencë nuk është shqyrtuar nga gjykatat e vendit, sepse këto raste targetojnë kryesisht zyrtarë të zgjedhur dhe të emëruar në pozitat më të larta institucionale, si deputetë, ministra dhe drejtorë agjencie”, thuhet në një komunikatë të Aleancës për Shqiptarët, e cila fton të gjitha partitë dhe faktorët e tjerë që të ulen dhe të diskutojnë për hartimin e një strategjie të përbashkët.
Partitë në pushtet, në veçanti Bashkimi Demokratik për Integrim, që në vitin 2020 kishte propozuar miratimin e një ligji për veting në gjyqësor, por për shkak të, siç thonë nga kjo parti, “agjendës së ngjeshur” ky propozim nuk është futur akoma në procedurë parlamentare.
- Pastrimi i Gjyqësorit, kusht për drejtësi të pavarur
- Qytetarët e Maqedonisë Veriore nuk kanë besim në Gjyqësor
Propozimi parashikon themelimin e një Agjencie, e cila do të bëjë vetingun e gjykatësve, prokurorëve, por edhe të bartësve të funksioneve publike. Maqedonia e Veriut në dy javët e kaluara ishte në shënjestër të kritikave të vazhdueshme nga jashtë, në veçanti nga SHBA-ja për mosveprim në luftën kundër korrupsionit.
Ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, ka thënë se institucionet kanë dështuar pavarësisht ndihmës së madhe prej miliona dollarësh që ka dhënë SHBA-ja për luftimin e korrupsionit.
“Dëgjojmë se çfarë ndodh në prapaskenë me manipulimet e emërimeve në postet kryesore. Lexojmë për tenderë fitimprurës që përfundojnë me kompani me lidhje politike apo personale. Pra, le të angazhohemi tani, publiku, politikanët, zyrtarët e qeverisë, për ta zhbërë korrupsionin dhe për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar. Mosndëshkimi duhet të marrë fund”, tha Aggeler.
Reagimet janë intensifikuar menjëherë pas zgjedhjes së Islam Abazit në krye të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe pretendimeve të shumta në opinion për lidhjet e tij me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë.
Në krye të Këshillit Gjyqësor është zgjedhur Vesna Daneva, e cila më parë ka qenë e angazhuar si drejtuese e sektorit juridik të Lidhjes Social- Demokrate (LSDM) në pushtet.
Në Maqedoninë e Veriut, më 6 dhjetor, arriti një ekip për sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.
Por, detaje lidhur me takimet nuk janë dhënë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me këta zyrtarë amerikanë nuk është takuar, përveç një bisede telefonike që ka pasur më 14 dhjetor me këshilltarin e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
“Biseduam për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, edhe për procesin e skriningut që po zhvillohet kuadër të BE-së, që ka të bëjë me sundimin e ligjit. U fokusuam në konkluzionet që pritet të dalin e të cilat do të jenë lart në agjendën e Qeverisë që të mund të bëjnë një plan aksional dhe ndihmën që presim nga partnerët tanë, siç është edhe SHBA-ja. Sa i përket ekipit të sanksioneve që ndodhej këtu për të cilin kishte njoftuar Ambasada amerikane, unë nuk kam pasur asnjë takim”, deklaroi Kovaçevski.
Ai hodhi poshtë akuzat e partive opozitare sikurse dhe kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se korrupsioni rrënjët i ka në qeverisjen dhjetëvjeçare të VMRO DPMNE-së me Maqedoninë e Veriut.
Facebook Forum