Ndërlidhjet

Si e ka ndryshuar partneritetin Kinë-Rusi lufta në Ukrainë?  


Presidenti rus, Vladimir Putin, shihet në një ekran gjigant në Pekin gjatë një takimi virtual mes tij dhe presidentit kinez, Xi Jinping, më 15 dhjetor.
Presidenti rus, Vladimir Putin, shihet në një ekran gjigant në Pekin gjatë një takimi virtual mes tij dhe presidentit kinez, Xi Jinping, më 15 dhjetor.

Që prej të shtënave të para në orët e hershme të 24 shkurtit, Kina ka mbajtur një linjë të çuditshme të mbështetjes së pushtimit të Ukrainës nga Moska, teksa ka tentuar që ta distancojë veten nga shkatërrimi që ushtria ruse ka shkaktuar.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Më 4 shkurt, presidenti kinez, Xi Jinping, u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pekin në margjinat e Olimpiadës, teksa dy liderët sinjalizuan për thellim të partneritetit të tyre, duke thënë se raportet midis dy shteteve të tyre “nuk kanë kufi” pasi nënshkruan një dokument masiv strategjik.

Por, një muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, partneriteti midis Rusisë dhe Ukrainës është duke u testuar.

Sanksionet e ashpra perëndimore kanë gjymtuar ekonominë e Rusisë dhe e kanë vendosur Kremlinin nën presion të paparë në aspektin ndërkombëtar. Pekini ka shmangur që t’i ofrojë Moskës shpëtim politik ose ekonomik, por Kina po ashtu ka ofruar mbulesë diplomatike për partneren e saj dhe media e saj shtetërore ka shtyrë përpara narrativin e njëjtë të Rusisë rreth pushtimit tek audienca e saj brenda dhe jashtë vendit.

Kjo e ka lënë Perëndimin që të përqendrohet gjithnjë e më shumë në rolin e paqartë të Kinës në mes të krizës, e cila pritet të rritet, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, më 24 mars nisi një udhëtim katërditor në Evropë.

Në samitet dhe takimet me NATO-n, G7-n dhe Bashkimin Evropian, Biden pritet të rrisë presionin ndaj Rusisë lidhur me pushtimin dhe të krijojë një front të përbashkët me Evropën karshi Kinës, përpara një samitit të BE-së me presidentin kinez, Xi, që do të mbahet më 1 prill.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Pekinin kundër ofrimit të ndihmës ndaj Rusisë dhe liderët evropianë shpresojnë që ta shtyjnë Kinën që të veprojë në mënyrë konstruktive dhe të ndihmojë që t’i jepet fund luftës së përgjakshme.

Por, sa thellë e ka ndryshuar lufta në Ukrainë partneritetin në rritje të Kinës dhe Rusisë?

Për të kuptuar më shumë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur gjashtë ekspertë se çfarë na ka mësuar një muaj luftë për natyrën e raporteve Pekin-Moskë dhe në cilin drejtim po shkojnë këto raporte.

Raporti Xi-Putin vështirë se do të prishet

Steve Tsang
Steve Tsang

Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës në Universitetin SOAS në Londër

Kina dhe Xi u befasuan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, jo pse ndodhi, por pse u bë aq keq.

Si një besimtar i vërtetë i superioritetit të sistemeve të tyre autoritare, Xi padyshim mendoi se Rusia do të fillonte sulmet “kirurgjikale” ose do të përdorte presion shtrëngues që Putini të depërtonte në Kiev pa dëmtuar marrëdhëniet thelbësore të Kinës me Ukrainën. Dështimet ruse deri më tani i kanë dëmtuar interesat e Kinës dhe e kanë zvogëluar respektin kinez për Putinin dhe Rusinë.

Edhe kur pushtimi rus u shndërrua në një rrëmujë, Kina mund të kishte përfituar duke marrë një rol paqeruajtës.

Nëse Xi do të mund ta bindte Putinin që t’i japë fund konfliktit, ai do të fitonte famë ndërkombëtare dhe do të bënte që Kina sërish të dukej mirë. Edhe nëse ai do të dështonte, Pekini do të kishte mundur të fitonte ndonjë mirënjohje ndërkombëtare për përpjekjet e tij.

Por, Kina as që u përpoq, pavarësisht deklaratave të saj për neutralitet dhe dëshirën e shprehur që konflikti të përfundojë shpejt. Diplomatët profesionistë kinezë mund ta shohin vlerën e këtij opsioni, por ata nuk mund ta bindin presidentin Xi për këtë.

Realiteti është se politika e Kinës diktohet nga Xi dhe ai mbështet Putinin. Lejimi që një burrështetas leninist të dështojë, mund të nxisë sfida për autoritetin e tij në Kinë. Xi, po ashtu, ndan zotimin e Putinit për ta bërë botën e sigurt për autoritarizmin dhe për të sfiduar udhëheqjen globale të SHBA-së. Kjo nënkupton se ne nuk mund të presim që Kina të luajë një rol konstruktiv në Ukrainë, pasi fokusi i presidentit Xi nuk është gjëja më e mirë për botën apo Kinën, por ajo se çfarë është më e mira për të si burrështetas i Kinës.

Shikoni veprimet e Kinës, jo fjalët e saj

Ryan Hass, bashkëpunëtor në Institutin Brookings në Uashington, njëherësh ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Supozimet e para të Pekinit për përfitimet e mundshme që Kina mund të nxjerrë nga pushtimi rus i Ukrainës, çdo ditë po bëhen më pak të qëndrueshme.

Në fillim, shumë strategë në Pekin thuhet se besonin se pushtimi i Rusisë do të devijonte fokusin amerikan në Evropë. Ata supozuan se pesha e luftës do të ulte fuqinë amerikane dhe do të dëmtonte unitetin transatlantik. Ata gjithashtu prisnin që Rusia do të bëhej më e izoluar dhe më e varur nga Kina, duke i dhënë Pekinit levën që të nxjerrë përfitime nga koncesionet e Moskës, ashtu siç ishte rasti pas pushtimit rus të Krimesë më 2014.

Në vend të kësaj, një muaj pas fillimit të konfliktit, uniteti transatlantik ndoshta është po aq i fortë sa ka qenë në çdo moment që nga Lufta e Gjirit e vitit 1991. Shpejtësia dhe shkalla e sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë i tejkaloi pritjet e Pekinit dhe Rusia duket se është në një trajektore për t’u bërë një aset strategjik që zhvlerësohet me shpejtësi në sistemin ndërkombëtar.

Si importuesja kryesore në botë e naftës dhe një prej blerëseve kryesore të ushqimit dhe mallrave, Kina gjithashtu po dëmtohet në mënyrë disproporcionale në aspektin ekonomik për shkak të paqëndrueshmërisë në tregjet globale për produkte të tilla.

Zyrtarët kinezë, me të cilët kam biseduar, janë të gatshëm të pranojnë privatisht se pushtimi rus i Ukrainës ka dëmtuar interesat e Kinës. Megjithatë, mos prisni që Kina ta dënojë publikisht sjelljen e Rusisë.

Në vend të kësaj, zyrtarët kinezë me siguri mund t’i japin mbështetje publike Rusisë.

Me gjithë peshën e fjalës, veprimet kanë më shumë rëndësi. Përmasa kryesore e rolit të Kinës në konflikt do të jetë ajo që bën Kina – dhe nuk bën – për të demonstruar mbështetjen e saj për Rusinë.

Kina nuk ka plane që të heqë dorë nga Rusia

Melissa Chan
Melissa Chan

Melissa Chan, bashkëpunëtore në Qendrën e Raportimit Global, me seli në Berlin, njëherësh ish-korrespondente për Kinën

Ne kemi parë shumë analistë që analizojnë çdo koment nga diplomatët kinezë dhe çdo postim në Twitter nga media shtetërore, për të parë nëse ka ndonjë shenjë për ndryshimin e pozicionit të Kinës, duke besuar se imazhet e tmerrshme të krimeve të luftës në Ukrainë me siguri do ta shtynin Pekinin që të distancohej nga Rusia. Një muaj pas konfliktit, megjithatë, fakti është që Kina ende nuk do që ta quajë “pushtim” atë që po ndodh.

Me shqetësim ne shohim një konvergjencë të gjuhës së paqartë që buron nga teoritë konspirative, të cilat po reklamohen nga diplomatët kinezë dhe rusë dhe motorët e mediave shtetërore – brenda dhe jashtë vendit – dhe nëpërmjet llogarive në rrjetet sociale. Pekini dhe Kina tani ndajnë të njëjtat mesazhe, në një mënyrë që specialistët e dezinformimit nuk e kanë vërejtur më parë.

Diplomatët kinezë kanë përdorur një gjuhë që duket se e distancon vendin nga ofensiva ruse dhe Pekini ka mohuar se do t’i japë armë Moskës. Ne kemi parë studiues kinezë që japin mendime të ndryshme, por marrëdhënia midis dy vendeve nuk përcaktohet nga këta zëra – ajo përcaktohet kryesisht nga dy burra të fshehtë dhe të izoluar: Putin dhe Xi.

Ne me të vërtetë nuk dimë shumë se si mendojnë asnjë prej këtyre dy liderëve. Vëmendje i është kushtuar mentalitetit të bunkerit COVID të Putinit, por duhet të kujtojmë se Xi ka jetuar dhe vepruar në mënyrë të ngjashme në dy vjetët e fundit. Nëse Pekini nuk heq dorë nga deklarata e tij e bërë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore se marrëdhënia e tij me Rusinë “nuk ka kufi”, ne nuk duhet të supozojmë ndryshe.

Këndvështrimi nga Ukraina

Yurii Poita, kreu i seksionit të Azi-Paqësorit në Qendrën për Studime të Ushtrisë, Konvertimit dhe Çarmatimit, me seli në Kiev

Përderisa Pekini do të vazhdojë ta mbështesë Moskën në të ardhmen në mënyrë diplomatike dhe informative, muaji i fundit tregoi se bashkëpunimi Kinë-Rusi ka kufij mjaft të qartë, të cilët udhëheqja kineze nuk është ende e gatshme t’i kalojë. Kjo kryesisht ka të bëjë me shmangien e ndihmës ushtarako-teknike për Rusinë, si dhe ndihmën për përballimin e sanksioneve.

Në Ukrainë, i ashtuquajturi “neutralitet pro-rus” i Pekinit nuk shkakton shumë entuziazëm. Në komunitetin e ekspertëve, besohet se Kina, me pëlqimin e saj të heshtur për luftën e Moskës, mban gjithashtu pjesën e saj të përgjegjësisë për pushtimin rus dhe madje mungesa e dënimit të veprimeve të Kremlinit nga ana e Kinës, tregon një mbështetje indirekte për krimet e luftës të Rusisë.

Në praktikë, për aq kohë sa Kina nuk i ofron ndihmë ushtarake apo çfarëdo ndihme të drejtpërdrejtë Rusisë, kjo do të jetë pak a shumë e pranueshme për Kievin. Zyrtarisht, Qeveria ukrainase do të mbajë, sa më shumë që të mundet, marrëdhënie miqësore me Pekinin.

Megjithatë, nëse Kina dëshiron që të jetë një lojtare e vërtetë dhe e përgjegjshme botërore, ajo duhet të marrë një pozicion në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Përndryshe, në një mënyrë apo tjetër, pozicioni i saj në Ukrainë, në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në BE do të minohet në mënyrë të konsiderueshme.

Në Ukrainë, diskursi në mediat shtetërore të Kinës po ashtu perceptohet negativisht, pasi ai kryesisht përsërit narrativët dhe dezinformatat pro-ruse dhe gjithashtu përjashton pjesëmarrjen e Ukrainës në luftë dhe në vend të kësaj e paraqet atë si konfrontim të Rusisë me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe BE-në.

Kina duhet ta kuptojë se Ukraina është një shtet sovran. Nuk është një zonë e hirtë apo një kukull e Perëndimit. Ukraina ka interesat e veta kombëtare dhe kjo duhet të trajtohet seriozisht nga Pekini.

Një bast që nuk po sjell përfitim

Zsuzsa Anna Ferenczy, bashkëpunëtore në Universitetin Kombëtar Dong Hwa të Tajvanit, njëherësh ish-këshilltare e Parlamentit Evropian

Një muaj pas luftës, kumari i Putinit është shndërruar në një dilemë strategjike për presidentin Xi.

Për momentin, nuk ka asnjë dalje të lehtë për Pekinin, ka vetëm pyetje të vështira që duhet të adresohen. Çfarë roli do të zgjedhë të luajë Xi dhe si do të mund t’i koordinojë interesat e tij për të mbështetur sovranitetin, integritetin territorial dhe agjendën e tij gjeopolitike për udhëheqjen globale, duke ruajtur bashkëpunimin me BE-në?

Moska dhe Pekini kanë lulëzuar për vite me radhë për shkak të mungesës së vullnetit politik të BE-së për të vepruar që të mbrojë interesat e saj, duke minuar bllokun dhe duke diskredituar demokracinë pa pasur nevojë që të përballen me ndonjë pasojë – deri në pushtimin e Putinit të Ukrainës.

Ky agresion ka çuar në një nivel koordinimi dhe veprimi të përbashkët në Bruksel që do të ketë pasoja të gjera, jo vetëm për BE-në, por edhe për raportet e Kinës me Rusinë dhe për rolin e Kinës në botë.

Rruga që Xi do të ndërmarrë në lidhje me luftën e Putinit do të vë në rrezik imazhin dhe besueshmërinë globale të Kinës, duke e detyruar atë që të rishqyrtojë vlerën që “partneriteti strategjik” i Kinës me Rusinë ka për Pekinin.

Nëse Pekini zgjedh që ndihmojë Moskën që të shmangë sanksionet ndërkombëtare, do të ketë një çmim të lartë për të paguar sapo të nisin sanksionet dytësore ndaj Kinës. Xi rrezikon ta gjejë veten të ngatërruar në një situatë sigurie ndërkombëtare që do ta bëjë Pekinin të vëzhgohet nga afër më shumë se kurrë më parë.

Minimi i sigurisë evropiane dhe botërore më në fund mund të ketë pasoja reale për Pekinin dhe Moskën.

Lufta në Ukrainë do të ketë efekt global

Raffaello Pantucci
Raffaello Pantucci

Raffaello Pantucci, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror për Shërbime të Bashkuara të Londrës

Përderisa qëndrueshmëria e raporteve Kinë-Rusi në vetvete nuk është befasuese, mprehtësia dhe shkalla me të cilën Pekini duket se është i gatshëm që ta mbështesë Moskën, teksa situata në terren ka ngecur dhe Perëndimi shtyn përpara sanksione gjithnjë e më të forta, nxjerr në pah se sa fort janë të lidhura aktualisht këto dy shtete.

Pak nga detajet që janë bërë publike kanë qenë shumë befasuese: kompanitë kineze ende nuk janë të gatshme ta vendosin veten mes sanksioneve amerikane, ndërkohë që raportimet për shitjen e mundshme të armëve nga Kina në Rusi nuk janë konfirmuar ende.

Kjo krizë po tregon se si dinamika Moskë-Pekin do të bëjë jehonë në mënyra që do të ngatërrojnë narrativët e demokracive kundrejt autokracive.

Ajo që ndoshta është vënë re më pak është mënyra se si India dhe Pakistani kanë ndërvepruar dhe duket se e mbështesin Moskën. Në shumë mënyra, kjo i jep Kinës një mbulesë për mbështetjen e saj për Moskën dhe njëkohësisht hap një dinamikë të re interesante në Azinë Jugore, e cila mund t’i komplikojë përpjekjet e Perëndimit që ta përdorë Indinë si aleate kryesore në Azi në përballjen e saj me Kinën.

Sa i përket asaj nëse pikëpamjet e njëri-tjetrit kanë ndryshuar: unë do të dyshoja se kinezët tani mund të jenë më pak të frikësuar ndaj homologëve të tyre ushtarakë rusë, por në të njëjtën kohë ata mbeten ushtria më e ashpër në beteja që Kina mund të kryejë stërvitje. Kjo sugjeron një dinamikë interesante të mundshme në të ardhmen në raportet ushtarake mes dy vendeve.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG