Ndërlidhjet

Scholz në Kiev: Kjo luftë duhet të përfundojë


Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, shtrënguan duart me presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky, në Kiev, 16 qershor 2022 .
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, shtrënguan duart me presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky, në Kiev, 16 qershor 2022 .

Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rumanisë takuan në Kiev presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për t’i shprehur solidaritetin e Evropës me vendin e tij, të pushtuar nga Rusia.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri italian, Mario Draghi, dhe presidenti rumun, Klaus Iohannis, shtrënguan duart me Zelenskyn, përpara se të fillonin bisedimet.

Më herët, Ukraina ka kritikuar Francën, Gjermaninë dhe, deri në një masë Italinë, për, siç ka thënë, hezitime në mbështetjen e tyre për Kievin dhe ka thënë se ato janë të ngadalshme në dërgimin e armëve.

Katër udhëheqësit, të cilët udhëtuan në Kiev me tren, kaluan më herët nëpër rrënojat e periferisë së kryeqytetit, Irpin.

Scholz shkroi në Twitter se Irpini, ashtu sikurse Buça - ku trupat ruse janë akuzuar për krime lufte - është bërë simbol i “mizorisë” së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Irpini, ashtu si Buça, është bërë simbol i mizorisë së paimagjinueshme të luftës ruse, i dhunës së pakuptimtë. Shkatërrimi brutal i këtij qyteti është një paralajmërim: kjo luftë duhet të përfundojë”, shkroi Scholz.


Draghi, duke qëndruar në mesin e rrënojave, tha se ushtria ruse “ka shkatërruar kopshte, ka shkatërruar kënde të lojërave”. “Gjithçka do të rindërtohet”, premtoi ai.

Duke reaguar ndaj vizitës së liderëve të BE-së, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i paralajmëroi ata kundër furnizimeve të reja të Ukrainës me armë.

“Unë do të doja të shpresoja se udhëheqësit e këtyre tri shteteve dhe presidenti i Rumanisë nuk do të fokusohen vetëm në mbështetjen e Ukrainës, duke e pompuar atë edhe më shumë me armë”, u tha Peskov gazetarëve.

Lufta për Severodonjeckun tërbohet

Në fushëbetejë, forcat ruse intensifikuan sulmet në Severodonjeck, në përpjekje për të marrë kontrollin e këtij qyteti strategjik, që ndodhet në lindje të Ukrainës.

I fiksuar pas Ukrainës: Si erdhi deri te pushtimi?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:57 0:00

Ushtria e Ukrainës tha se Rusia ka përqendruar forcat e saj në veri të rajonit Luhansk dhe se po përpiqet të sulmojë njëkohësisht në nëntë drejtime.

“Lufta e ashpër në rajonin e Luhanskut vazhdon”, tha Valeriy Zaluzhny, komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha në buletinin e saj të përditshëm të inteligjencës se situata vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë për mbrojtësit e Severodonjeckut.

Zbulohet një varrezë e re masive në Buça
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

Inteligjenca britanike, po ashtu, vuri në dukje vështirësitë e mundshme që ka Rusia në zëvendësimin e trupave të rëna në fushëbetejë.

“Siç pretendohet nga autoritetet ukrainase, disa grupe taktike të batalioneve ruse - të krijuara zakonisht me rreth 600 deri në 800 pjesëtarë - kanë arritur të grumbullojnë deri në 30 të tillë”, tha inteligjenca britanike.

Kombet e Bashkuara thanë se rreth 12,000 civilë mbeten të bllokuar në Severodonjeck - me furnizime gati para mbarimit. Shumë prej tyre janë të strehuar në bunkerë, nën fabrikën kimike të Azotit.

“Mungesa e ujit dhe mjeteve sanitare paraqet shqetësim të madh. Është një shqetësim i madh për ne, sepse njerëzit nuk mund të mbijetojnë kohë të gjatë pa ujë”, i tha BBC-së zëdhënësi i Zyrës për Çështjeve Humanitare të OKB-së, Saviano Abreu.

Më 15 qershor, Rusia u ka kërkuar mbrojtësve ukrainas, të strehuar në fabrikën Azot, që të heqin dorë nga “rezistenca e pakuptimtë dhe t’i dorëzojnë armët”. Ajo, po ashtu, ka premtuar një “korridor humanitar” për civilët që strehohen në uzinë dhe për luftëtarët, por Kievi e ka injoruar ultimatumin.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën për një paketë shtesë armësh për Ukrainën, me vlerë prej rreth një miliard dollarësh. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se ka informuar presidentin Zelensky për ndihmën, përmes një bisede telefonike.

Zelensky, paraprakisht, ka bërë thirrje për më shumë armë të rënda dhe për më shumë sanksione të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Duke folur të mërkurën, përpara një mbledhjeje të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se ekziston një “nevojë urgjente” për të dërguar armatime më të avancuara në Kiev, por paralajmëroi se familjarizimi i ushtrisë ukrainase me sisteme të tilla armësh kërkon kohë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG