Ministri rus i Edukimit, Sergei Kravtsov, e ka pranuar gjatë një vizite në rajonin Karaçai - Çerekesia këtë muaj se do të rishqyrtohet një kapitull i librit shkollor të historisë, i cili ka nxitur reagime të ashpra në Kaukazin Verior, ka thënë udhëheqësi i rajonit Rashid Temrezov në një postim në Telegram, më 23 shtator.
Bashkë-autor i librit të ri të historisë për shkollat e mesme është Vladimir Medinsky, ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës në periudhën 2012-20, dhe është kritikuar për imitim të praktikave sovjetike të indoktrinimit ideologjik.
Në mesin e gjërave tjera, në këtë libër minimizohen dëbimet brutale të diktatorit sovjetik Josep Stalin ndaj shumë minoriteteve etnike – përfshirë çeçenët, karaçait, ingushët, balkarët, kalmikët, mesketianët, krimeo-tatarët – si ndëshkim kolektiv për dyshimet se ato kanë bashkëpunuar me pushtuesit nazistë gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rezultati ka qenë një katastrofë demografike, pasi janë vrarë qindra mijëra njerëz dhe është shkaktuar një traumë historike.
Akuzat për bashkëpunime të mundshme janë tërhequr zyrtarisht dhe dëbimet janë dënuar me Ligjin sovjetik të vitit 1991 për Rehabilitimin e Personave të Shtypur.
Më 2014, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një dekret për “rehabilitim të plotë për kombet e shtypura”.
Megjithatë, në një paragraf të vetëm të librit shkollor, përsëriten akuzat e Stalinit për tradhti, duke thënë se dëbimet janë kryer “bazuar në rastet e bashkëpunimit me pushtuesit”.
Si rezultat i ndëshkimit kolektiv, “nuk janë shtypur vetëm banditët dhe bashkëpunëtorët, por edhe njerëzit e pafajshëm”, përmendet në libër.
“Të dëbuarit janë përballur me shumë fatkeqësi. Drejtësia është vënë në vend vetëm pas [vdekjes së Stalinit] më 1953”.
Në tekstin shkollor, më pas, krahasohen dëbimet me internimin e amerikano-japonezëve gjatë kohës së luftës.
“Një grup punues, i përbërë nga krerët e të gjitha rajoneve, njerëzit e të cilëve janë shtypur, janë duke punuar në këtë çështje për më shumë se një javë”, ka thënë Temrezov.
Pikëpamjet e tyre “janë analizuar me autorin e librit, Vladimir Medinsky, i cili është pajtuar me ta… dhe ka shprehur gatishmëri për përmirësime”.
Plagë të vjetra
Prej nisjes së vitit të ri akademik më 1 shtator, libri shkollor është dënuar ashpër në Kaukazin Verior.
Ali Totorkulov, udhëheqës i Kongresit rus të Popullit të Kaukazit, e ka dënuar librin dhe e ka përshkruar si “shpifje të vjetër staliniste” që “edhe një herë ofendon miliona shtetas rusë, të cilët i kanë humbur 30 deri në 50 për qind të popullsisë nga dëbimet gjatë [Luftës së Dytë Botërore].
Ai e ka përshkruar këtë kapitull libri si “minë tokësore, të vendosur nën unitetin e popullit të Rusisë”.
“Çdo vit ne e kujtojmë këtë ngjarje, i kujtojmë dëbimet kriminale dhe mërzitemi për të pafajshmit që janë shkatërruar”, ka shkruar ai.
“Pse janë duke na vendosur kripë në plagë të hapura?” ka pyetur Totorkulov.
Në Ingusheti, organizata civile TsORI i ka bërë thirrje legjislaturës rajonale për të hetuar librin shkollor, nën dyshimet për “ngjalljen e armiqësisë etnike”, si dhe për formim të një trupe për rishikim të materialeve edukuese në të ardhmen.
Beslan Tsechoyev, ish-kryetar i Magas, kryeqytetit të Ingushetisë, ka shkruar në Instagram se libri shkollor nuk ka asnjë justifikim dhe i ka bërë thirrje Medinskyt që të kërkojë falje.
Në Çeçeni, shefi i Parlamentit rajonal, Magomed Daudov, ka thënë më 23 shtator se libri shkollor “ka shkaktuar valë të zemërimit në mesin e përfaqësuesve të popujve të shtypur gjatë ish-Bashkimit Sovjetik”.
Lideri çeçen, i përkrahur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov ka urdhëruar heqjen e librave nga shkollat, ka thënë Daudov.
Mirëpo, postimi i Daudovit është fshirë nga platforma ku ka shkruar ai, pa ndonjë sqarim.